Joseph Fouche (21 maj, 1759 – 25 dhjetor, 1820) ka qenë burrështetas francez dhe “ministër i policisë” në kohën e Napoleonit.

Si njëri prej njerëzve më të fuqishëm të kohës së tij dhe njëri prej njerëzve më të shquar të të gjitha kohërave, Fouchen nuk e kanë dashur bashkëkohësit e tij dhe pasuesit e kanë gjykuar edhe më keq. Napoleoni në ishullin e Shën Elenës, Robespieri duke u folur jakobinëve, Karnoi, Barasi, Talejrani në kujtimet e tij dhe të gjitha historianët francezë, me tu përmendur emri i tij, fillonin të shkruanin me mllef e inat duke i vënë lloj-lloj epitetesh.

Por në librin e tij “Joseph Fouche”, Stefan Zweig thotë se “vetëm një njeri, nga lartësia e mendjes së tij, e pa madhështinë origjinale të kësaj figure që ishte e vetme në llojin e vet. Ai ishte Balzaku.”

Në këtë libër, Zweig-u e paraqet njërin ndër fjalimet e para të Fouches, përmes së cilit ai e përkrahte fuqishëm revolucionin e vitit 1793, qëndrim ky i cili i kishte befasuar të gjithë. Në vazhdim po ju paraqesim fjalimin e plotë të tij:

“Revolucioni është kryer për t’i shërbyer popullit por me këtë emër nuk duhet të kuptojmë klasën e privilegjuar të pasanikëve që ka përvetësuar të gjitha gëzimet e jetës dhe të gjithë pasurinë shoqërore. Populli është tërësia e qytetarëve të Francës dhe para së gjithash klasa kolosale e të varfërve që po që po mbron kufinjtë e atdheut tonë e që me punën e saj ushqen shoqërinë.

Revolucioni do të kishte qenë një krim moral dhe politik në qoftë se do kujdesej vetëm për mirëqenien e disa qindra njerëzve duke duruar varfërinë e njëzet e katër milion të tjerëve. Ai do të kishe qenë një mashtrim ofendues për njerëzimin në qoftë se do të flisnim gjithë kohën për barazi në një kohë kur dallime shumë të mëdha në mirëqenie i ndajnë njerëzit nga njëri – tjetri.”

Fusheja kërkon prej popullit që të manifestojë një energji shumë të madhe që të realizojë revolucionin e vërtetë “integral”.

“Mos e gënjeni veten më kot. Për të qenë republikan i vërtetë, çdo qytetarë duhet të bëjë revolucionin e vetvetes si ajo që shndërroi pamjen e Francës. Nuk duhet të ngelet asgjë e përbashkët midis nënshtetasve të një tirani e popullsisë së një vendi të lirë. Të gjitha veprimet tuaja, ndjenjat tuaja e zakonet tuaja duhet të ndryshohen. Në qoftë se iu shtypin kjo do të thotë se ju duhet ti asgjësoni shtypësit tuaj.

Kemi qenë skllevër të bestytnive fetare, tani kulti i vetëm i juaji duhet të bëhet kulti i lirisë… Çdo njeri për të cilin ky entuziazëm është i huaj, kush ka njohur të tjera gëzime, përveç lumturisë së popullit, ai që çmon vetëm interesin e ftohtë, kush bënë hesap se ç’të ardhura do i sjell ai ofoq, pozita dhe talenti i tij duke u shkëputur për një çast nga çështja e përbashkët, kujt nuk i zien gjaku kur shikon shtypjen e disave, e luksin e të tjerëve, kush derdh lot mëshire kur sheh hallet e armiqëve të popullit dhe nuk i ruan këto ndjenja për martirët e lirisë, ai gënjen nëse guxon ta quajë veten republikan.

Republika do brenda kufijëve të saj të shoh vetëm njerëz të lirë, ajo ka vendosur të vrasë të gjithë të tjerët dhe të quajë bijë të saj vetëm ata që dëshirojnë të jetojnë, të luftojnë e të vdesin për të.”

Ky fjalim është shkëputur nga libri “Joseph Fouche”, Stefan Zweig

Përgatiti: Shkumbin Nebihi /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress