Ish ushtari i Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, Gani Krasniqi, do të paraqitet në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, për t’iu përgjigjur ftesës për intervistim gjatë ditës së sotme dhe të nesërme .

Javë më parë, vet Krasniqi kishte bërë të ditur për ftesën që kishte pranuar më 11 tetor, se më 11 dhe 12 nëntor të këtij viti, në orën 9:00 do t’i përgjigjet kësaj zyre për të dëshmuar në lidhje me luftën.

‘Provat, dëshmitë…, motivohen me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe pse përkufizimi i datave është: 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000! Për t’u përgjigjur pozitivisht, më obligon një pjesë e deputetëve të papërgjegjshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës [..] Natyrisht, ashtu siç e ndjej për nder, që isha pjesë UÇK-së së lavdishme, ashtu do të dëshmoj për Luftën e drejtë të saj’, kishte shkruar Gani Krasniqi më 19 tetor kur njoftoi se ishte i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale.

Krasniqi gjatë vitit 1998 ka qenë i angazhuar në Këshillin Financiar, me seli në Malishevë, për të ndihmuar arsimin në Kosovë. Ndërsa, pas përgatitjeve të para ushtarake, drejtoi këtë zonë duke ndihmuar edhe në themelimin e celulave të para të UCK’së, dhe në formimin e Shtabit të Malishevës.