Turqia po tenton të krijojë një model të ri ndërmjetësimi për zgjidhjen e krizës Izraeli-Palestinë. Ajo synon të përfshijë shtetet e rajonit dhe atë perëndimore si garantues dhe të shkojë drejt një zgjidhjeje afatgjatë mbi principin e dy shteteve.
Ministri i Jashtëm, Hakan Fidan, tha të hënën se Turqia ka dy prioritete në lidhje me konfliktin e riaktivizuar: mbrojtja e civilëve dhe ndihma humanitare nga njëra anë dhe përpjekja për të gjetur një zgjidhje afatgjatë nga ana tjetër.
Fidan tha se përpjekjet diplomatike dhe modelet e deritanishme nuk kanë sjellë rezultat, ndaj fokusi do të jetë një model i ri ndërmjetësimi.
“Ne propozojmë një model garancie si ide kryesore. Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë në pozicionin për ta shtyrë Izraelin drejt zgjidhjes me dy shtete. Vendet e rajonit, si Liga Arabe dhe Organizata për Bashkëpunim Islamik, duhet të përfshihen gjithashtu”, tha ai.
Turqia vetë pritet të marrë rolin e garantorit për Palestinën, ndërsa vende të tjera mund të zgjedhin Izraelin. Garantori duhet të mbajë përgjegjësi për zbatimin e marrëveshjes që nënshkruajnë palët.
Deklarata e kreut të diplomacisë turke vjen në një moment angazhimi intensiv në rajon. Ai ka zhvilluar së fundmi takime me homologët e SHBA, Rusisë, Egjiptit, Katarit dhe shteteve të tjera myslimane.