Edhe pse në shikim të parë mund të duket se gjithçka po shkon mirë në Norvegji, realiteti është krejt ndryshe – të paktën sipas gazetës britanike The Telegraph.

Gazeta përshkruan Norvegjinë si një shembull të tmerrshëm të asaj që ndodh kur një qeveri e majtë zbaton verbërisht një politikë të gjelbër energjetike dhe largon të pasurit nga vendi.

Nën titullin “Si u bë Norvegjia Sovjetike një paralajmërim i shëmtuar për Keir Starmer”, The Telegraph këshillon kryeministrin britanik Keir Starmer (nga Partia Laburiste) që të nxjerrë mësime nga gjendja e supozuar e vështirë në Norvegji.

Pika e nisjes për këtë analizë është prishja e bashkëpunimit mes kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Støre (nga Partia Laburiste) dhe partnerit të tij qeverisës, Partisë së Qendrës – pas, siç thotë The Telegraph, “javësh të betejave të ashpra të brendshme”.

“Konfiskim i fshehtë i pasurisë”

Sipas gazetës, mijëra të pasur norvegjezë kanë lënë vendin që nga ardhja në pushtet e koalicionit qeverisës katër vite më parë.

Si shembull, përmendet bashkëthemeluesi i firmës analitike të Bitcoin Dune Analytics, Fredrik Haga, i cili u shpërngul në Zvicër në dhjetor të vitit 2022.

Ai shpjegon se, megjithëse vlera e kompanisë së tij në letër ishte e lartë, ai nuk kishte para të gatshme për të paguar taksën mbi pasurinë. Kjo e detyroi të shiste aksione ose të merrte dividentë për të përballuar tatimet, gjë që ai e cilëson si një “konfiskim të fshehtë të kompanisë”.

Ai nuk është i vetmi që kritikon sistemin fiskal të Norvegjisë dhe qeverinë aktuale.

“Muri i turpit”

The Telegraph thekson se një e katërta e 400 taksapaguesve më të mëdhenj të Norvegjisë janë larguar nga vendi që prej vitit 2022. Në vende të tjera, kjo mund të shihej si një dështim, por jo në Norvegji, shkruan gazeta.

Përkundrazi, partia e majtë SV krijoi një “Muri të Turpit”, ku publikoi emrat e atyre që u larguan nga vendi për të shmangur taksat. Kjo nismë u kritikua ashpër, madje edhe nga Elon Musk, i cili aktualisht shërben si “ministri i kursimeve” në administratën e presidentit amerikan Donald Trump, sipas artikullit.

Këto zhvillime kanë dëmtuar imazhin e Norvegjisë si një “parajsë skandinave të ndërtuar mbi investime të mençura dhe një kulturë barazie”, shkruan The Telegraph.

Sipas gazetës, njerëz si Haga e shohin vendin ndryshe: një “petro-shtet biond” që përzë njerëzit e tij më të talentuar dhe të zgjuar”.

Kryeministri Støre është cilësuar si fajtori kryesor për këtë situatë pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2021. Ndërkohë, zyra e tij refuzoi të komentojë për këtë çështje.

“Skandale të panumërta dhe të tmerrshme”

Sipas The Telegraph, miliarderët norvegjezë, me në krye biznesmenin Kjell Inge Røkke, “votuan me këmbë” dhe u larguan drejt Zvicrës pasi qeveria Støre rriti taksën mbi pasurinë.

Për më tepër, “taksimi i largimit”, i cili synon të tatojë të pasurit që ikin nga vendi, e ka bërë Norvegjinë një nga shtetet më armiqësore në Evropë për sipërmarrësit e rinj, sipas burimeve të gazetës.

Në këtë kontekst, avokatja zvicerane e tatimeve, dr. Laura Melusine Baudenbacher, kritikon ashpër sistemin fiskal norvegjez:

“Shteti ka një pushtet ekstremisht të fortë, me shumë pak kufizime. Kjo ka çuar në një numër të madh skandalesh të tmerrshme ndër vite,” thotë ajo.

Sipas saj, “Nuk ka asnjë vend tjetër në botë ku qeveria praktikisht konfiskon pasurinë e qytetarëve të saj”, ndërsa kompanitë e huaja nuk janë subjekt i kësaj takse mbi pasurinë.

“Si bashkimi sovjetik”

Një nga klientët e saj, sipërmarrësi norvegjez Lars Oscar Øvstegård, është po aq kritik ndaj qeverisë:

“Ata duan më shumë ‘shtet, shtet, shtet’. Njerëzit po fillojnë ta krahasojnë këtë me Bashkimin Sovjetik,” thotë ai për The Telegraph.

Baudenbacher përforcon këtë ide:

“Gjithnjë e më shumë norvegjezë po thonë se ‘po shkojmë drejt një diktature nafte dhe gazi’,” përfundon ajo./Përktheu dhe përshtati MekuliPress/

Burimi: Dagbladet

By