Në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, të shoqëruara me ndërhyrje të dukshme amerikane, partia e kryeministrit aktual, Albin Kurti, ka marrë shumicën e votave. Megjithatë, ajo pësoi humbje të ndjeshme krahasuar me rezultatin e saj katër vjet më parë. “Ne kemi fituar dhe do të formojmë qeverinë e re”, shpalli Kurti pak pas mesnate në Prishtinë. Por ndryshe nga viti 2021, kur partia e tij “Vetëvendosje” siguroi më shumë se 50 për qind të votave, këtë herë ai do të ketë nevojë për partnerë koalicioni, dhe nuk është e sigurt nëse do t’i gjejë ata.
Sipas rezultateve të përkohshme, ende jozyrtare, Vetëvendosje ka marrë rreth 40 për qind të votave, duke mbetur forca më e madhe politike në Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e themeluar nga ish-luftëtari i UÇK-së, Hashim Thaçi, i cili është i akuzuar për krime lufte, mori rreth 22 për qind të votave. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) siguroi 18 për qind, ndërsa partia rajonale Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) rreth 7 për qind. Po ashtu, 20 nga 120 vendet në parlamentin e Kosovës janë të rezervuara për pakicat etnike, ku gjysma e tyre i takojnë serbëve.
Ndërhyrja e Richard Grenell
Fushata zgjedhore në Kosovë u ndikua nga ndërhyrjet e shumta të Richard Grenell, ish-i dërguari i posaçëm i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi. Grenell, i cili më parë ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Gjermani, kishte tentuar gjatë mandatit të parë të Trump të arrinte një marrëveshje të shpejtë mes Prishtinës dhe Beogradit.
Në atë kohë, Kurti, që sapo kishte marrë detyrën si kryeministër, kundërshtoi fuqishëm marrëveshjen e propozuar nga Grenell, e cila synonte t’i siguronte Trump një sukses diplomatik të shpejtë përballë BE-së, e cila kishte dështuar të ndërmjetësonte një zgjidhje. Ky refuzim nga Kurti shkaktoi zemërimin e Grenellit, i cili atëherë u angazhua për rrëzimin e qeverisë së tij duke i bërë presion një partie partnere të largohej nga koalicioni.
Nga ajo kohë e deri më sot, marrëdhëniet mes Kurtit dhe Grenellit mbeten armiqësore. Kurti madje mori pjesë në konventën e Partisë Demokratike të SHBA-së në Chicago në gusht, duke përkeqësuar edhe më tej marrëdhëniet e tij me ekipin e Trump. Vetëm pak ditë para zgjedhjeve, Grenell e akuzoi Kurtin në rrjetin social X (ish-Twitter), duke thënë se ai nuk është i besueshëm për Uashingtonin dhe gjithmonë ka qenë anti-amerikan. Grenell madje deklaroi se SHBA-ja dhe NATO-ja janë kundër Kurtit.
Kurti mohon përkeqësimin e marrëdhënieve me SHBA
Kurti, nga ana e tij, mohoi deklaratat e Grenellit dhe pretendoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së janë më të mira se kurrë. Kjo deklaratë nxiti një tjetër reagim të ashpër nga Grenell, i cili, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, e quajti atë “mashtrues” dhe theksoi se raportet mes SHBA-së dhe Kosovës nuk kanë qenë kurrë më të këqija.
Koalicioni i ardhshëm mbetet i pasigurt
Aktualisht, nuk mund të bëhen parashikime të sigurta mbi formimin e koalicionit qeverisës. Shumë skenarë janë të mundshëm, përfshirë një koalicion të partive opozitare pa Kurtin.
Një faktor që mund të ndikojë në stabilitetin e qeverisë së ardhshme është zgjedhja e presidentit të Kosovës në fillim të vitit 2026. Mandati i presidentes Vjosa Osmani do të përfundojë dhe nëse parlamenti dështon ta zgjedhë një president të ri brenda tre raundeve, Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Opozita mund të përpiqet të krijojë një krizë institucionale me qëllim që vendi të shkojë në zgjedhje të reja brenda një viti. Në këtë kontekst, edhe nëse Kurti arrin të formojë një qeveri të re, ajo mund të ketë një jetëgjatësi të shkurtër./Burimi: Frankfurter Allgemeine Zeitung/ Përktheu MekuliPress/