Gëzim Mekuli
/Njohës i shkencave të mediave dhe retorikës/
Ja shikoni ku kemi arritur. Nga njëra anë kemi arrestimin e Igor Popoviqit, një funksionar të strukturave serbe që mohojnë shtetësinë e Kosovës, i ndaluar në pikën kufitare për fjalimin antishqiptar dhe me urrejtjeje destabilizuese; pra një ngjarje serioze, që kërkon vëmendje të plotë mediatike dhe shtetërore.
Nga ana tjetër? Ja vlerësojeni vetë: shfaqja e Avokatit. Me regji hollivudiane, me tone dramatike e ngjyra emocionale, për të na bërë të besojmë se po ndodhte diçka e jashtëzakonshme.
Por çfarë ishte realisht? Një akt teatral. Një skenë narcisoide, një përpjekje për protagonizëm në një moment kur Kosova jonë ka nevojë për maturi, bashkim dhe përballje me rrezikun real që vjen nga BIA serbe, Serbia e moçme dhe deklaratat luftënxitëse të Vuçiqit, mikut të dashtun të Edi Ramës.
Të dashur lexues,
A nuk është për të qeshur, e për të qarë njëkohësisht, që ky episod, me regjisorë, me kameramanë e me skenografi filmike, u shndërrua në “lajm të ditës”, ndërkohë që kërcënimi i shtetit Serb, arrestimi i një zyrtari serb me lidhje të thella me aparatin e propagandës anti-Kosovë u injorua thuajse plotësisht?
Pse mediat në Prishtinë e Tiranë heshtin kur Serbia kërcënon hapur shqiptarët si popull politik?
Pse s’pyet askush për strukturat e fshehta serbe që operojnë në Kosovë nën hundën tonë? A është ky qëllimi? Të shpërqendrohet publiku te zbokthi, flokët, tek retorika e lodhur dhe aktrime të tejkaluara që të përkujtojnë filmat Bardh e Zi të Charlie Chaplinit?
Jo, kjo nuk është personale; nuk është kritikë adhominen. Por është kritike miradashëse, sepse kemi nevojë për gazetari të vërtetë, jo për gazetarë të kapur nga oligarkë dhe partizanë të politikave të dështuara të cilët transmetojnë live kryecapllaka dhe censurojnë Kosovën.
E them këtë sepse kur bëhet teatër e film me hallet e Kosovës, e kur heshtet për kërcënimet reale nga Serbia e moçme, atëherë e vërteta kthehet në viktimë të radhës. Dhe bashkë me të edhe ne shqiptarët e Kosovës, dhe të gjithë shqiptarët jashtë sajë./Mekuli Press.com/