Për kaq shumë vite me radhë, mërgatën dhe diasporën e trajtuan me përbuzje, përçmim dhe mungesë të skajshme të respektit. Kur ishin ambasadorë, ministra apo kryeministra, mërgatën më meritore e përjashtonin nga aktivitetet e organizuara me paratë e tatimpaguesve, duke i tkurrur listat në vetëm anëtarë të rrethit familjar të tyre, të miqve personal dhe në partnerë biznesi. Kur vinin për vizita përfaqësues të institucioneve, i dërgonin nëpër restorante dhe ndeja me pikërisht këta. Përveç shopingut, natyrisht.

Sot kur llogaridhënia, edhe ndaj qytetarëve të Kosovës në mërgatë, është kthyer në model të qeverisjes, kur Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve, herë nën organizimin e shoqatave nga më të ndryshmet e herë nën organizimin e misioneve diplomatike të Kosovës, bëjnë bashkëbisedim të hapur me të gjithë pjesëtarët e mërgatës, në takime ku pa lista dhe pa kufizime të tjera ftohen publikisht të marrin pjesë TË GJITHË, ku në takime nuk bisedohet as për lidhje biznesore e as familjare, as për parti politike apo interesa personale, por ku Kryeministri bashkëbisedon me qytetarët e Kosovës jashtë vendit për zhvillimet në Kosovë, situatat e ndryshme që përcjellin realitetin e ri të krijuar në vendin tonë, krijimin e lidhjeve më të mira mes mërgatës, diasporës dhe Kosovës, përfshirjes më efikase në Kosovë të gjeneratave të lindura dhe rritura në mërgim, të shkolluara dhe aftësuara, falë kontributit të prindërve të tyre, në institucionet më prestigjioze arsimore të botës, krijimit të mekanizmave institucional për profesionalizimin e mësimit në gjuhën shqipe në mërgatë, regjistrimin e mërgatës, etj., pikërisht këta keqpërdorues masiv të diplomacisë dhe shtetit mbajnë konferenca për shtyp dhe thërrasin diplomatët e Kosovës që të bojkotojnë dhe sabotojnë shtetin.

Kryeministri, Presidentja, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës nuk kanë bërë në këto gati 4 vjet pothuajse asnjë vizitë jashtë vendit pa e ndarë të paktën një kohë të shkurtër për takim me mërgatën dhe diasporën. Diku një takim me studentë, diku me profesionistë të rinj, diku tjetër me figura të shquara të shoqërisë së shteteve përkatëse, ndërsa diku me veprimtarë meritorë të çështjes kombëtare, me biznese të suksesshme e me përfaqësues të artit e kulturës, shkencës dhe teknologjisë.

Por, nuk është përmbajtja e takimeve të Kryeministrit ajo që i shqetëson ata që për vite të tëra degraduan jo vetëm diplomacinë e Kosovës, por edhe përçanë, përbuzën dhe përçmuan mërgatën kudo që shkelën. Është entuziazmi dhe ngrohtësia me të cilën pritet Kryeministri dhe përfaqësuesit e institucioneve të Republikës nga qytetarët e Kosovës në të gjithë botën, ajo që po iu pengon.

Ambasadave dhe konsullatave të Republikës së Kosovës pak e nga pak, por në mënyrë të pakthyeshme, po ua kthejmë rolin e tyre të vërtetë, atë të shtëpisë së madhe dhe derës së hapur për të gjithë mërgimtarët tanë. Ky është realiteti i ri me të cilin duhet të mësohen sa më parë ata që diplomacinë dhe ambasadat e Kosovës ishin mësuar t’i shohin dhe shfrytëzojnë vetëm në funksion të interesave të tyre personale dhe klanore.

Sa më shumë forcojmë lidhjen e Kosovës me mërgatën dhe diasporën e saj, aq më shumë fuqizohet edhe Kosova, por edhe pozicioni i saj në botë. Dhe nuk ndalemi në këtë mision.

By