Dashamirë e bashkëqytetarë:

U bë gati një muaj prej ditës së zgjedhjeve. Numërimi i plotë i votave dhe shpallja e rezultateve po merr kohë, por fitorja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! është e pakthyeshme. Lëvizja do të ketë grupin ma të madh parlamentar, deputetët e Lëvizjes do të na përfaqësojnë denjësisht në Kuvendin e Republikës, dhe aktivisti Albin Kurti si kryeministër do t’i prijë ndryshimit që meriton vendi dhe populli ynë.

Nga shënimet që ka botu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, unë vetë kam marrë afro 4 mijë e 500 vota. Këto gjasshëm nuk mjaftojnë që të kem mandatin e deputetit në këtë legjislaturë, por janë një thirrje e fuqishme që unë të vijoj angazhimin tim si aktivist i Lëvizjes, si bashkëkombas e qytetar krenar i Republikës së Kosovës, dhe si profesionist i përkushtuar ndaj drejtësisë dhe interesit publik.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është themelu më 2005, kur si 17 vjeç kam marrë rrugën drejt Amerikës për të viju shkollimin. Ndonëse larg vendlindjes, kam çmu ndër vite punën dhe sakrificën e aktivistëve për idealet e larta të lirisë, vetëvendosjes, përparimit dhe bashkimit kombëtar.

Jam kthy në Kosovë në fund të 2015-s, me vullnet të plotë për të kontribu si profesionist dhe për të jetu si qytetar i ndershëm i Dardanisë shqiptare. Përvojat shoqërore, sfidat e punës dhe dëshira me gëzu një republikë të mirëfilltë më kanë afru pashmangshëm me Lëvizjen. Pasi i kisha njohë për shumë vjet dhe pasi kisha bashkëpunu ngushtë me ta në shumë raste, këtë verë iu bashkova zyrtarisht aktivistave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! — për ta përkrahë haptaz dhe me gjithë mund ndryshimin e madh në vendin tonë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! garoi në zgjedhjet e sivjetme si e vetmja shpresë për ndryshim. Ju zgjodhët vetëvendosjen dhe ndryshimin, dhe tani erdhi dita për republikën që e kemi pritë me breza të tërë!

Lëvizja fitoi zgjedhjet falë jush. Unë ju falënderoj me përzemërsi për përkrahjen dhe interesimin tuaj gjatë fushatës, në ditën e zgjedhjeve, si dhe pas zgjedhjeve. Kjo është fitore juaja, andaj dhe urimet e mia janë për ju!

Shumë prej jush më keni kontaktu gjatë fushatës, duke më thënë se nuk keni pasë ndërmend fare të votoni, se nuk keni pritë ndryshim, ose se simpatitë politike i keni pasë të kthyera tjetërkah, por se në këto zgjedhje do të votonit për Lëvizjen hatri im. Veçse ma të shumtë keni qenë ju që më keni uru mirëseardhje në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, kur unë u bëra pjesë e organizatës, dhe më keni mbështetë çiltërsisht, kur unë u caktova kandidat për deputet me propozimin e kryetarit.

Kurajë e nder më keni dhënë veçanërisht ju bashkëkombas që jetoni në mërgim. Ndonëse dallgët e jetës ju hodhën në brigje të huaja, ju asnjëherë nuk i braktisët trojet tona. Vota e mërgimtarëve për Lëvizjen ka vlerë të posaçme për shumë arsye. Së pari, është vetëm një dromcë e përkrahjes së njëmendtë, që sistemi i tanishëm e ka pengu të kthehet në votë të plotë. Së dyti, vjen nga njerëzit që kanë pa me sytë e tyre se si ndërtohet shteti i fuqishëm dhe shoqëria përparimtare në Evropë e Amerikë. Dhe së fundi, vjen nga qytetarë që lidhjen me Kosovën e kanë parësisht shpirtërore, pa hilet që këtej shpesh na kanë zhytë në varfëri e në zhgënjim.

Por tani erdhi dita! Dhe këtë ditë na e prutë ju.

Të gjithë ju keni viju të më përkrahni pa ngurrim, duke më dhënë hapësirën e duhur për të bashkëbisedu me qytetarët, për të shprehë shqetësimet tona të përbashkëta, dhe për të shpalosë e shoshitë zgjidhjet e mundshme të problemeve të Kosovës.

Juve ju jam thellësisht mirënjohës, kurse popullit mbarë — ashtu siç ka thënë kryeministri ynë Albini — në borxh të pafund.

Përzemrësisht,
Getoari

erdhidita #qeveriaKurti ❤️