Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë ka reaguar pas sulmit të dhunshëm ndaj KFOR-it nga ana e turmës serbe në Zveçan.

MPJ-ja gjermane ka shkruar se e dënon sulmin e dhunshëm dhe të papranueshme në veri të Kosovës.

“Dënojmë fuqishëm sulmet e dhunshme të papranueshme në veri të Kosovës pasditen e sotme, duke shkaktuar plagosjen e dhjetëra ushtarëve të KFOR/NATO-s dhe disa civilëve. Mendimet tona janë me të lënduarit, të cilëve u urojmë shërim të shpejtë.”- thuhet në komunikatën e MPJ-së së Gjermanisë.

“U bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të çdo dhune dhe të çdo veprimi që ndez tensionet. De-përshkallëzimi tani nevojitet urgjentisht. I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në bisedime për këtë qëllim pa ndonjë vonesë të mëtejshme dhe të vazhdojnë të punojnë në zbatimin e Marrëveshjes për normalizim, të arritur në shkurt dhe mars, duke përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”- vlerësohet tutje në këtë deklaratën e Gjermanisë.