Në autobus dhe tren vetëm me teste negative, certifikatë shërimi ose vaksinimi. Por a mjafton ky ligj për të thyer valën e katërt të infektimit?

Këtë të mërkurë, në Gjermani, hyn në fuqi ligji i mbrojtjes nga infeksionet, i cili u miratua javën e kaluar nga parlamenti gjerman (Bundestag) dhe nga Këshilli Federal (Bundesrat).

Ai parashikon mbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura. Vizitorët dhe bashkëpunëtorët në azilet e të moshuarve dhe të personave me aftësi të kufizuar ose në spitale duhet të paraqesin çdo ditë nga një test negativ. Kjo vlen edhe për të vaksinuarit.

Në të gjithë Gjermaninë që sot e tutje mund të udhëtohet me mjete të transportit publik vetëm me test negativ, certifikatë vaksinimi ose certifikatë shërimi. Kjo vlen edhe për vendin e punës. Kontrollet do të shpeshtohen dhe shkeljet do të ndëshkohen më me konsekuencë.

Ligji parashikon gjithashtu masa të veçanta për ato lande, ku shkalla e hospitalizimeve është mbi tre, pra, 3 në100.000 dërgohen në spital pas një infektimi me Covid. Në varësi nga zhvillimi i pandemisë në secilin land, këto masa parashikojnë për shembull, ndalimin e hyrjes në restorant, në ambiente të kohës së lirë, si palestra, stadiume, bare e koncerte për personat e pavaksinuar.

Masa të tilla ndërkohë kanë filluar të merren në shumë lande të Gjermanisë, sidomos në Bavari, Berlin, Baden Württenberg, Saksoni etj., ku incidencat sa vijnë e shtohen. Kontrollet do të shpeshtohen dhe shkeljet do të ndëshkohen më me konsekuencë.

Situata sa vjen e keqësohet

Shifrat e infektimeve me Covid në Gjermani vazhdojnë të rriten. Instituti Robert Koch (RKI) raporton 66 884 teste pozitive brenda 24 orëve të fundit. Janë 14 058 raste më shumë se të mërkurën e kaluar, kur u raportuan 52 826 infektime të reja. Incidenca shtatë-ditore u rrit sërish në një nivel rekord prej 404.5 nga 399.8 një ditë më parë. Ky është numri i të infektuarve me koronavirus në 100 000 banorë gjatë shtatë ditëve të fundit.

Pas Saksonisë dhe Bavarisë, shtetet federale Baden-Württemberg dhe Saksonia e Ulët kanë ashpërsuar masat për aktivitetet sportive për shkak të situatës së rënduar. Qeveria e landit në Stuttgart lëshoi një rregullore të re për koronën, e cila hyn në fuqi nga kjo e mërkurë dhe parashikon që stadiumet dhe ambientet sportive, mund të përdoren vetëm me 50 për qind të kapaciteteve. Kufiri i sipërm është 25,000 spektatorë.

Ligji nuk e pengon marrjen e masave të rrepta për ndalimin e pandemisë, por shpallja gjendjes së pandemisë si të përfunduar, ishte një sinjal në momentin e papërshtatshëm, mendojnë shumë kritikë. DW