Nga Zejnullah Jakupi
Nganjëherë elita politike/ mediatike krijon realitet konform interesave te saja e kur nuk ‚dëshiron’ dispozitivi i saj,nuk e bënë; Krahaso opinionin e Sh. Gashit me hyrjen në dokumentar dedikuar Gjykatës Speciale nga gazetari/redaktori Leonard Kerqukun. Emision #ZonaExpress: “Gjahu në UÇK” (Pjesa e parë) 16.10.2016. E mora vetem si shembull ilustrativ në këtë kontekst, për të treguar se si i njëjti mesazh në dy kontekste të ndryshme vlerësohet në mënyra të ndryshme. Njëherë ke të drejtë e pastaj nuk ke..!
Frames ose në shqip: Kornizat (Ervin Goffman, Robert Entman)
Pyetja, pse reagojnë masat në publik, përfshire ketu edhe në rrjete sociale kundër prononcimit të Shkelzen Gashit (tashmë i shkarkuar nga kryeministri Albin Kurti), ka të bëjë me mënyrën sesi njeriu në vetëdijen e tij asocion me metaforat, sesi i aktivizon ato përmes Frames, kornizave të përbëra me tog fjalësh, fjali të përzgjedhura në një rast të caktuar kur duam të themi diçka. Për shembull, duhet pyetur;si funksionon teoria e kornizave? Arts dhe Dijksterhuis (2002) kanë bërë një studim, të cilin shkurtimisht këtu po i referohemi, sa për ilustrim, nga një eksperiment me recipientë. Disa shikuesëve ju dha mundësia të lexojnë një tekst në të cilin ishte shkruar fjala ›breshkë‹ ose ‚Leopardi’ (Gepard). Pastaj ata u pyetën që të vlerësonin ecjen e një njeri të zakonshëm me ritmin e vlerësuar. Ata pjesëmarrës të cilët kishin lexuar në tekst fjalën ‘breshkë’ e vlerësuan ritmin e ecjes së njeriut si dukshëm më e ngadaltë se ata që kishin lexuar fjalën ‚Leopard‘.
Në një inspektim më të afërt, kuptohet se, në dy rastet, askund në tekst nuk përmendet fjala ´i ngadaltë´ ose ´i shpejtë´. Vlerësimi i respodentëve për mënyrën e ecjes së njeriut të zakonshëm ata e asociuan me atë të breshkës dhe Leopardit dhe me dy fjalët; ku ata përcaktuan përceptimin e kornizës edhe kjo diktoi përshtypjen e ecjes së ngadaltë ose të shpejtë, edhe pse dy fjalët nuk figuruan në tekst. Kjo njohuri u konsiderua një pjesë e kornizës përkatëse e cila aktivizohet automatikisht. Pjesëmarrësit vlerësuan ritmin e caktuar të njeriut me atë të kafshës përkatëse.
Kështu ndodhi edhe ndërlidhja me prononcimin e Sh. Gashit. Bazuar në këtë teori, mjafton të përmendet në debat fjala “Gjykata Speciale” dhe secili në mendjen e tij i thërret memories, të cilin ai e posedon, përvojës negative ose pozitive lidhur me temën. Secili prej nesh do vlerësojë, sipas shablloneve të tij dhe njohurive të cilat i ka fituar nga debatet, interakcionin e përditshëm për këtë temë, duke u bazuar edhe në bazë të përcaktimit politik, social, ekonomik etj. Ai/ajo pastaj do ta dekodojë këtë fjalë, të ngulituar thellë në mbamendjen e tij/ të saj. Kornizat ndikojnë gjithashtu në përceptimin tonë për botën! Siç thoshte Ludwig Wittgenstein, kufijtë e gjuhës sime janë kufijtë e botës time dhe se si gjuha ndërton realitetin. Teza kryesore e tij është: “Gjuha është një pamje e faktit” ose gjuha duhet të korrespondojë me faktet logjike reale, por ato nuk janë njësoj si fakte,por mbi të gjitha ato janë modele me ndihmën e të cilave “njerëzit mund të përshkruajnë një realitet të caktuar”. Sidoqoftë, është një dyshim nëse mund ta përshkruajmë botën plotësisht, siç shprehet Wittgenstein, pa vërë në dyshim të gjithë “deklaratat e të gjitha fjalive elementare plus deklaratën se cilat prej tyre janë të vërteta dhe cilat janë false”. Sipas Wittgenstein, “ne nuk mund të mendojmë për objekte hapësinore jashtë hapësirës tonë, ose ne nuk mund të mendojmë për objekte të përkohshme jashtë kohës, kështu që ne nuk mund të mendojmë për ndonjë objekt jashtë mundësisë së lidhjes së tij me të tjerët”. Kjo do të thotë që gjuha na tregon atë që mendojmë, d.m.th. gjuha e përshkruan realitetin. Por duhet pyetur cilin realitet? A krjohet ky realitet përmes gjuhës – kornizave, sic e përshkruan konstruktivizmi radikal (shih më poshtë). A do qëndronte teza e I. Kantit se ka edhe dicka jashta realitetit të cilin e përceptojmë. Ndërsa G.W.F Hegel, nga ana tjetër, do të thoshte se me mendimet tona mund të shohim atë që nuk mund të shihet përmes syrit- shqisave tona. Me sa shihet, nuk qëndron teza se vetëm në ndërdijen tonë, ose vetëm me përceptimin tonë individual krjojmë realitetin përmes gjuhës. Përtej kësaj duhet ta themi se jo individi por shoqëria e krijon realitetein, sipas M. Foucault. Kjo e shpjegon pikërisht të kundërten e mendimit individualist, se ne nuk kemi vetëdije sovrane por ajo, pra edhe gjuha dhe mendimi ose fakti, sesi duhet të mendojmë dhe çfare duhet të themi, na imponohet përmes diskursit shoqëror, në këtë rast, shoqëria na dikton diskursin, na thotë me një fjalë,çfarë të mendojmë edhe për temën në fjalë. Gjithsesi nuk duhet mohuar supozimin ndryshe.Kundërshtari i Foucault-it J-P. Sartre do të thoshte se ne jemi të lirë dhe do ta bëjmë realitetin, do ta themi të vërtetën ashtu si e mendojmë, sepse ne jemi njerëz, qenie të lira.
Komunikimi ndërnjerëzor sipas Paul Watzlawick
E vërteta nëse ajo krijohet nga interakcioni mes dy a më shumë aktorëve, atëherë duhet të shikohet mesazhi i të gjithe aktorëve si pjesëmarrës në sistemin e komunikimit, për t´i kuptuar veprimet e aktorëve. Pra, së pari ne e njohim një të vërtet të caktuar përmes shqisave tona, pastaj informata përpunohet në shabllone, në trurin tonë. Përpunimi i informatës bëhet edhe në relacionin unë dhe ego (sipas Sigmund Freud), e cila zhvillohet bazuar edhe në përvojën tonë, rrethin social, normat shoqërore dhe preferencat individuale.
Ne nuk e gjejmë të vërtetën të dhënë nga dikush, qoftë ajo përmes medieve apo një instance tjetër sociale, por duhet ta gjemë vetvetiu. Dhe e vërteta është një ´zbulim´ shpikje, siç e përshkruan konstruktivizmi radikal (Paul Watzlawick) mbështetet në të ashtuquajturit “Aksiomet pragmatike”, të cilat do i shtjellojmë këtu shkurimisht. Aksioma e parë, do thotë; çdo sjellje, qoftë si mimik apo gjest (komunkimi nonverbal) ka karakter komunikues. Kjo do thotë, njeriu nuk mund të mos komunikojë, pra edhe kur vendos të mos komunikojë, ai një një mënyrë komunikon. Po themi, edhe nëse hesht në një një moment të caktuar, ai komunikon, sepse nuk dëshiron të përzihet në debat. Kjo sjellje ndikon tek njerëzit të cilët na rrethojnë. Aksioma e dytë; Çdo komunikim ka një përmbajtje dhe një aspekt të marrëdhënies (d.m.th), çfarë themi dhe si e themi. Pyetja: Pse u vonove? Varet pastaj si si e themi, në cilin tonë, si është mimika, gjesti ynë gjatë komunikimit? Këtu qëndron aspekti sesi qëndrojnë dy komunikuesit. Nëse vije deri tek komunikimi pengues ose ai i rrjedhshëm, kjo është pyetja. Kryesore është sesi është aspekti mardhënies mes dy komunikuesëve. Ky quhet edhe metakomunikim, tek i cili vendimtare është pyetja, jo çfarë A i thotë B, por edhe e kundërta; çfarë B i përgjigjet A. Aksioma e tretë: Këtu bëhet fjalë për shenjat e sekuencave të ngjarjeve, ose kemi të bëjmë me strukturën. Interakcioni për autorin në fjalë nuk ka as fillim as mbarim, sepse kanë formën e rrumbullakët. Ky interakcion do të formohet bazuar nga dy partnerët e komunikimit. Aksioma e katërt përfshin komunikimin analog dhe digjital. Me këtë vije në shprehje kur një objekt shënjozohet me simbol përmes gjuhës ose fjalës së caktuar. Ky komunikim është i qartë, ndërsa komunikimi analog e përcjell aspektin e marrëdhënies pra, kemi të bëjmë me asociacionet pozitive ose negative ndaj një simboli të caktuar (ose figure). Me të parë objektin, figurën, ne si komunikues japim përshtypjen tonë lidhur me të pra, me figurën/simbolin në fjalë. Mes tyre egziston një sintaks logjike. Dhe Aksioma e pestë, ka të bëjë me interakcionin simetrik dhe dhe atë komplementar (ose i quajtur në shqip si bashkëveprim simetrik dhe plotësues). Simetrik do thotë kur dy bashkebiseduesit komunikojnë nga një pozitë e njëjtë sociale (shih bashkëbisedimin mes kolegëve) dhe plotësues ose komplementar paraqet relacionet punëdhënës dhe punëmarrës.