Shkruan Luan Rama

Në vitin 1988, Ismail Kadare botonte në Tiranë, romanin e tij “Një dosje për Homerin”, apo “Dossier H”, e botuar më pas në Francë. Ishte historia e udhëtimit të ethshëm të dy irlandezëve të New York-ut nëpër malet shqiptare në vitet ‘30, që vinin të kërkonin përqasjet e botës homerike me atë të jetës së atyre maleve, ku këngët dhe ritet, pesha e gjakut, tragjikja e llahtarisur, mbartnin ende një ngarkesë të përngjashme me atë të tregimeve të Homerit të verbër në Iliadën dhe Odisenë e tij.

Ata fillimisht kishin qenë në Novipazar, ku banonin shumë shqiptarë dhe dihet nga historia se bardë shqiptarë këndonin këngët legjendare të Mujit dhe Halilit, “ciklin e Kreshnikëve” dhe disa prej tyre ishin të verbër, si bardët e Homerit. Por, kjo përqasje nuk ishte e re sepse gati një shekull më parë se ata, kishte qenë në fakt, një studjues i njohur francez, i cili kishte bredhur në malet shqiptare në kërkim të këtij “prushi” homerik, që ai e preku realisht. Ky ishte Albert Dumont, një nga studiuesit më me emër të Francës, mbi antikitetin dhe Ballkanin.

Ç’kishte ndodhur atëherë? Në mëngjesin e 23 dhjetorit të vitit 1871, Albert Dumont (Charles-Albert-Auguste-Eugène Dumont) linte portin e Kotorrit. Në bllokun e tij të shënimeve, ai nuk harronte të shënonte për natyrën e atyre brigjeve ku “në breg, orkestra e regjimentit austriak luan muzikë”. Anija “Miramar”, e shoqërisë “Lloyd”, që prej vitesh rrihte brigjet e Adriatikut, ndaloi në Tivar, ku atij tashmë i duhet të shkojë me kuaj prej aty për në Shkodër. Koha është e ftohtë dhe qielli larg gjëmon. “Rruga gjer në Shkodër shkon shtatë, pesëmbëdhjetë apo njëzetë orë, sipas stinës, shirave ose ujit nëpër shtigje”, – shënon ai.

Rruga në fakt është plot ngjitje e zbritje, mes shkëmbenjve, ku padyshim, pamjet madhështore e habisin çdo udhëtar të huaj që zbret në këto anë, siç do ta mrekulluonin disa vite më pas, Pierre Loti-n. Nga Leqet e Hotit ata zbrisnin drejt Shkodrës, por sapo hyjnë në rrugën që zgjatet drejt qytetit, atje rrëzë kështjellës, Dumont shikon dyqanet, ku siç shkruan ai “Në pazarin e Shkodrës, një nga më të rëndësishmit e Turqisë, vijnë nga të gjitha malet e pashallikut si dhe nga Mali i Zi. Por çdo vit, uji përmbyt dyqanet e tij.” Tri muaj më parë, për Shkodrën, atij i kishte folur miku i tij, etnografi dhe kartografi i njohur francez Guillaume Lejean, i cili për herë të dytë e kishte vizituar Shqipërinë. Ai e kishte takuar në Maqedoni, gjatë një udhëtimi. “E takova në Filipopolis, ku ishte sëmurë nga ethet, pas gjithë atyre lodhjeve të mëdha…” – shkruante ai.

Biseda për Shqipërinë ishte e nevojshme për të, pasi Dumont përgatiste udhëtimin e tij drejt atyre viseve që fare pak njerëz i kishin shkelur. Dhe ja tani, ai vëzhgonte tokën shqiptare, njerëzit, sjelljet e tyre, takohej me konsullin francez në Shkodër dhe fillonte të frekuentonte kafenetë e këtij qyteti, të njohur për kështjellën e tij, takonte malësorë dhë shpejt merr udhën e maleve.

Greqia homerike në malet shqiptare

Albert Dumont, i cili prej disa vitesh ishte marrë me mbishkrimet e vjetra, ishte nisur me një qëllim të caktuar: të gjente përafërsitë e antikitetit grek me shqiptarët e maleve veriore. Kur shkruan për tributë, ai thotë se “ata jetojnë të izoluar, por kanë një kryeplak, i cili vendos për kohën e kullotave, ndarjen e tyre dhe kohën e shtegtimit; kur ka ankesa të një fqinji për tjetrin, etj. Në Greqinë antike, qeveritarët e çdo tribuje quheshin “pleq”. Ishin ata që bënin drejtësi, ashtu të ulur mbi gurë, në formë rrethi, siç tregohet dhe në mburojën e Akilit.

Kur prijësit shqiptarë mblidhen po kështu për të vendosur, ata formojnë atë që quhet “rrethi i gjakut” (la ronde du sang), çka sagat e vjetra e quajnë “gerichtsring”. Këtë zakon apo rit e kishte venë nê dukje gjysëm shekulli më parë, pra në vitet 1840, studiuesi tjetêr francez, sllavisti Cyprien Robert i cili bënte tê njêjtën përqasje tê shqiptarëve me botên homerike

Gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri, nga veriu në jug, idea e Dumont merr një formë solide: ai është i bindur se prushi i dikurshëm homerik është ende i ndezur në malet shqiptare. Një shekull më pas, po të ishte gjallë, ai do të gëzohej, nëse do të merrte vesh se një udhëtim të tillë kishin bërë studjues të tjerë, kësaj rradhe nga një botë më e qytetëruar.

Milman Parry, ishte një nga ata që kishte studiuar traditën gojore të Jugosllavisë në vitet 1933 dhe 1934. Në një nga udhëtimet e tij në Novi Pazar, ai kishte regjistruar disa rapsodë shqiptarë, të cilët këndonin në dy gjuhët: serbisht dhe shqip të njëjtat këngë të “Eposit shqiptar të Veriut”, ose “Ciklit të Kreshnikëve”, siç do ta quajmë atë. Në Europë ishte koha e vlerësimit apo e “Kultit të epopesë homerike”, meqë letrarët e kontinentit të Vjetër po i riktheheshin legjendave dhe bëmave homerike. Pasi kishte mësuar shqipen në Dubrovnik, Parry udhëtoi nëpër fshtatrat e Malësisë së Madhe e në Dukagjin, duke rrahur shtigjet e Bogës, duke iu ngjitur Thethit, Tropojës e Kukësit.

Në vitin 1938, ai mblodhi pothuaj njëqind këngë rapsodike, mes të cilave këngët e Gjeto Basho Mujës, Ago Ymerit apo Gjergj Elez Alisë. Në udhëtimet e mëpasme, Parry u shoqërua edhe nga Albert Lord, profesor i gjuhëve sllave në Universitetin e Harvardit. Vallë a e dinin ata se një studjues i njohur francez, kishte qenë një pararendës i udhëtimeve të tyre dhe se ata ecnin tani në gjurmët e tij? Ndoshta!…

– “Hyjmë në një shtëpi të vjetër që shërben dhe si bakall, – shkruante atëherë Dumont, në librin që do të botonte nën titullin “Ballkani dhe Adriatiku”. – Ishte një lloj dyqani ku shiten erëza, verë, likere dhe gjithçka e nevojshme për këtë popull që ka pak nevoja. Një grua rreth të pesëdhjetave është ulur në një cep: ka gjashtë javë që nuk e ka lëshuar atë vend. Ditën e kalon duke qarë e duke klithur: “Ah, ata që vranë tim bir!” Djali i viktimës pret klientët dhe duket i ngushëlluar. Ai na shpjegon se një nga fqinjët erdhi aty, një grindje plasi, thikat u nxorrën dhe ati i tij u vra e ra i vdekur. “Ishte vërtet një trim! – na thanë ata përreth. – Cili, i vrari apo vrasësi? – Oh, që të dy. Kështu është këtu. Ishte zemërimi i Zotit që solli të keqen! Dhe fajtori ia kishte mbathur nga frika e hakmarrjes të të afërmve të viktimës. Por askush nuk mendon ta qortojë atë moralisht. Madje dhe kjo nënë që nuk mund të ngushëllohet dot e as vrasësi i mallkuar, i cili nuk beson se vrasja është një krim kaq i madh…

Ky lloj shpagimi, i gjakut për gjak, apo i dëmshpërblimit të gjakut të derdhur, ishte harruar në Europë. E megjithatë, në malet e thella shqiptare dhe ato të Malit të Zi, ky shpagim kishte krijuar mekanizmin e vet, i cili lëvizte, diku pengohej, ndalohej e pastaj vihej përsëri në lëvizje, me një jehonë të vazhdueshme krismash që nuk ndalonin. Dhe kjo, Dumont-it i rikujtonte antikitetin grek, të cilin shtatë vjet më parë e kishte studiuar në Shkollën Franceze të Athinës.

“Streha që i jepej një njeriu, – vazhdon ai, – që kishte bërë vrasje në shoqërinë antike greke, shpjegohet nga këto mendësi e vrasje.

Shqiptari është mikpritës për vrasësin që fshihet dhe që nuk është i klanit të tij. Ai e mirëpret dhe i siguron atij mbrojtjen. Vetëm familja e të vrarit ka të drejtë të shpagohet ndaj tij. Dhe kuptohet lehtë ajo që ata mendojnë se ç’është një njeri i mirë apo i keq, çka e gjejmë në shprehjet e vjetra homerike. Ai që është i mirë, nuk është shqiptari i virtytit, që e zotëron vetveten dhe pasionet e tij, por është njeriu i fortë, ai që imponohet nga fjala dhe veprimet e tij, është ai, para të cilit duhet të nënshtrohesh, ai që vërtet është zot i të tjerëve. I keq është i dobëti, i ndrojturi. Shqiptari tregon me krenari që i vodhi delet e tribusë fqinje.

Ai e ka kapur atë në befasi, e ka mashtruar dhe e ka vrarë armikun e tij, pasi askush nuk është më dinak se ai. Askush tjetër nuk e bën më shumë viktimën të vuajë se sa ai. Kështu dhe i mënçuri Nestor mburrej në kuvendin e grekëve për barbarinë e kohës së rinisë së tij. Po kështu, Uliksi pati meritën të citohej si shëmbull midis njerëzve të kohës së tij, duke kujtuar me krenari gjyshin nga e ëma, Antlykos, një grabitës me emër, i cili mbrohej nga hyjnitë, veçanërisht nga Hermes.

Deri në epokën historike, në kohën e Tuqididhit dhe Platonit, pirateria do të mbetej jo vetëm një profesion i nderuar, por ajo do të meritonte respektin popullor. Ne sot nuk e nderojmë një të ftuar, po t’i themi: “A jeni pirat?… Por grekët e Homerit, e thonin këtë. Dhe shqiptari e pyet gjaksin që fshihet dhe që do të bëhet miku i tij: “Sa kokë ke prerë?”…

Albert Dumont, (1842-1884), gjatë këtij udhëtimi ishte një djalosh 29-vjeçar nga Scey-sur-Saône, një i ri i fuqishëm e me kurajo të madhe. Ai di t’i përballojë rrebeshet dhe stuhitë e atyre maleve. Kërshëria për të njohur këtë popull, e shtyn gjithnjë drejt të panjohurës, drejt asaj që fshihet brënda atyre kullave të rënda e të ftohta, por me një shpirt mikpritës, ku miku ishte i barabartë me Hyjnitë.

Ashtu si në kohë antike, edhe këtu ai gjen “taksën e gjakut”. Siç shkruan në shënimet e tij, gjatë shekujve, ai pikas se pagesa me bagëti kaloi në pagesën me para. “Për shqiptarët, një vrasje vlen 750 piastra. Tarifa e princave “merovingines”(frankët e shekujve V-VIII, L.R.) nuk ishte më e lartë se kaq. Zakoni i pagimit në raste të tilla u zhduk shpejt tek helenët.

Në “skenën e gjykimit” që e shohim në mburojën e Akilit, të dyja palët kundërshtare diskutojnë rreth çmimit që duhet paguar për një të vrarë. Grekët përdornin fjalën që më vonë nënkuptonte ndëshkimin. Ndërsa pena, peine, tregon një pagesë, nga fjala latine «pendere», «poenam». Tacite shkruan se ishte koha e gjatë e gjakmarrjes që bëri të lindë kompensimi i gjakut. “Dhe urrejtja duhet ndarë ndër të afërmit dhe miqtë e babait të tij. Këto urrejtje nuk janë të pamëshirshme. Madje dhe vrasja pagohet, pësohet, përmes dhënies së një numri kafshësh. Atëherë gjithë familja është e kënaqur”. Kjo frazë zbatohet tek shqiptarët dhe gjermanët”.

Gratë e rrëmbyera si në tregimet antike

“Jeta shqiptare është tepër e thjeshtë, – shkruan ai. – Ata nuk janë bujq dhe i përbuzin punët e mundimshme. Ata i çojnë bagëtitë në kullota, siç bënin heronjtë grekë, të cilët të gjithë ishin barinj. Nëse stina është shumë e keqe, ata djegin dru dhe bëjnë qymyr. Kjo padyshim është industria primitive që historia mund të ketë… ” Atij i bën përshtypje jeta e shqiptarëve nëpër kasolle, por megjithatë habitet që gjen atje thesare të vërteta.

Jo vetëm armë të bukura e të punuara në filigran, por dhe varëse ari, bixhuteri të jashtëzakonshme dhe zbukurime të tjera që malësorët i transmetojnë brez pas brezi. “Si vallë këto xhevahire kanë ardhur deri në këto male?… Askush nuk e di. Shqiptarët më të respektuar, ata që quhen “plak” dhe që shikohen si nderi i racës së tyre, bëjnë punë dhe nga më të rëndomtat.

Gjatë kohës që i biri u prin buajve në arë, si Menelas, i ati ndërton shtëpinë, ashtu si Uliksi. Për darkë, kur ju pret si mik: ai e ther delen vetë, ashtu siç bënte Akili… Ulemi në tokë në mes enëve më të zakonshme dhe ju përcillni dorë më dorë një tas të marrë nga miqtë e tyre të civilizuar. Gratë shërbejnë. Kur darka mbaron, plaku merr lahutën dhe luan vetë, ndërkohë që të rinjtë bëjnë gara ose bashkohen të kapur për qafe, në një valle të vjetër; burrat kapen nga duart dhe bëjnë gjoja si viktimat në labirinthin e Kretës.

Kështu, gjithçka që shkruan ai, të sjell kujtimin e përshkrimeve homerike…

«Aristoti, – vazhdon Dumont, – tregon se kërkesa që i fejuari tu paguajë prikë prindërve të nuses është një nga karakteristikat e shoqërisë primitive. Shqiptari e bën këtë pagesë. Kjo shumë e paguar nga burri, në ligjet lombarde quhet “mund” dhe është objekt i shumë diskutimeve. Kodi i Ethelbert përcakton numrin e kafshëve që burri do t’i japë prindërve të gruas së ardhshme.

Në të njëjtin kuptim, Homeri shkruan se gratë e bukura vlejnë shumë buaj. Kjo fjalë tek grekët është si “mundinen” tek gjermanët. Në disa tribu, martesa bëhet me të grabitur. Çdokush do të martohet duke grabitur gruan e tribusë armike. Në Orosh, në qendër të Mirditës, pothuaj gjithë gratë janë të grabitura. Princi i zonës, meqë para disa vitesh mbeti i ve, ai grabiti bijën e një beu të Krujës. Dhe kjo është e përgjithshme në këto male…

Burri do që askush mos ta prekë atë. Ai është i ëmbël me të, e trajton si fëmijë që kërkon ta përkëdhelin dhe që i ati ia jep. I shtyrë nga instiktet, edhe pse jo nga ndjesi sensuale, shqiptari, krah gruas së tij merr dhe një tjetër. Kisha katolike ka qenë mjaft e ashpër ndaj kësaj praktike, por poligamia nuk është e rrallë tek kristianët dhe muslimanët e këtyre maleve. Prifti nuk i njeh këto lidhje, ndërsa shqiptari nuk i sheh ato si fajtore, edhe pse gruaja legale ka një lloj superioriteti. Tjetra qëndron në një pozitë inferiore, njësoj si tek mbretërit grekë të antikitetit, ku robinat mbushnin shtëpitë e tyre…”

Në çdo vend që ndalonte Dumont, gjente gjurmë të një jete të lashtë, si të thuash gjurmë homerike, atë çka prej shekujsh ishte shuar në tokat parahelene dhe që këtu ishin ende të gjalla. “Habitesh ndonjëherë të shohësh ligjet e vjetra në Itali dhe Greqi, ku gruaja përjashtohet nga trashëgimia…

Në Shqipëri, vejusha nuk ka asnjë lloj trashëgimie në pronat e burrit të vdekur. Janë të bijtë që marrin tokën dhe bagëtitë. Nëse nëna nuk martohet, ajo konsiderohet si pasuri e lënë nga burri i vdekur, ose më shpesh ato i mbajnë pranë tyre. Shumë herë gruaja kthehet në familjen e prindërve të saj vetëm me gjërat e përdorimit që i japin gjatë fejesës. Zakonet antike tregojnë se në shumë vende, vejusha mund të martohej dhe pa dëshirën e saj me burrat e familjes së burrit të vdekur. Ky zakon është tek shqiptarët dhe ne s’kemi asnjë vështirësi për ta konstatuar atë. Gruaja është më shumë një plaçkë, një objekt, sesa një njeri.”

Ai konstatoi me habi që në disa qytete, kur vajzat kalonin moshën e adoleshencës, ato i mbanin të mbyllura në shtëpi deri sa ato martoheshin. “Ato që janë kristiane dalin një herë në vit për të shkuar në meshën që bëhet posaçërisht për to, gjatë natës së Krishtlindjes. Me përjashtim të kësaj feste, ato shohin veçse njerëzit e familjes dhe priftin që u vjen tu mësojë katekizmin… Udhëtarët e kanë thënë shpesh se një burrë mund të udhëtonte në të gjithë Shqipërinë nën mbrojtjen e një gruaje. Në këto vënde, prekja e nderit të gruas është diçka shumë e rrallë”.

Po. Gjaksi mund të udhëtonte krah një gruaje pa patur frikë se rrugës mund ta vrisnin. Kjo histori i kishte ndodhur dhe një gazetareje franceze, Paule Fercoq de Leslay, e cila ashtu si irlandezët Parry dhe Lord, udhëtonte me kuaj në të njëjtën kohë me ta nëpër malet shqiptare. Një djalosh që kishte bërë një vrasje, kur dëgjoi se ajo kalonte në ato anë, shkoi me të, meqë ajo do merrte udhën drejt kullës së prindërve të tij dhe ai ishte i sigurt se gjatë atij udhëtimi, askush nuk do guxonte të qëllonte, sepse mund të vriste një grua, dhe për më tepër një të huaj…

Gjatë atij rrugëtimi të vështirë, (dimri qënkej vërtet i egër në ato male), Dumont shënonte gjithçka: rite, zakone, tipa socialë, besytni popullore… – “S’ka popull që të mos u ketë besuar shpirtrave. Por ka diçka që ka mbetur e veçantë tek shqiptarët: funeralet dhe banketi për të vdekurit. Kur një shqiptar vdes, mblidhet e gjithë familja: ata shkulin flokët dhe çjerrin faqet, të cilat shpesh mbulohen me gjak. Ai i gris dhe teshat e trupit. Secili nga familja duhet t’i flasë të vdekurit, duke lëvduar dhuntitë e tij: improvizimet e tyre që zgjasin me orë, ndërpriten nga klithma dhe të qara. Kur ke parë një skenë të tillë, kjo s’mund të harrohet…”

Rrush, shegë apo verë për të vdekurit

Një lloj vajtimi tjetër, apo ceremoniali funeral, Dumont ndesh tashmë në jug të Shqipërisë, në Gjirokastër para se të ndërmerrte udhën drejt Epirit të banuara nga shqiptarët ortodoksë : “Rasti e solli që atë ditë të kaloja para një shtëpie ku qanin të vdekurin. Klithmat filluan para se të agonte dhe nuk u ndërprenë veç një çast në mesditë, për të vazhduar pastaj gjer në mbrëmje. Dhe ato dëgjoheshin në tërë lagjen. Ato të qara të vajtueshme, të përzjera me ulurima, nuk i kishin shteruar forcat e vajtojcave, të cilat të nesërmen, gjëndeshin në të njëjtin vënd për të vazhduar vajin.

Gjatë gjithë vitit, dy apo tri herë në javë, gratë vijnë për të qarë atë që nuk është më në këtë botë. Praktika të tilla nënkuptojnë mbresa të dhunshme që u japin këtyre grave forca të atilla që nuk njihen në vendet tona. Ka në to një brutalitet të dhimbjes që ne nuk arrijmë ta kuptojmë e çka spektakli i tyre është për ne i padurueshëm. Skena është totalisht antike. Atë e gjejmë tek poetët e parë grekë.

Monumentet figurative e tregojnë shpesh këtë, veçanërisht në epokat e para të artit. Ne kemi në muzeumet tona vazo me piktura të zeza dhe tablo prej balte të pjekur, ku gjen ilustrime besnike si të ceremonive shqiptare. Eshtë e vërtetë që në progresin e bërë të kulturës helenike, artistët iu janë shmangur këtyre subjekteve. Zakonet zbuten, skenat funebre bëhen më të qeta… Grekët e shekullit të V para erês sê re dhe të kohërave edhe më të vjetra, afrohen me shqiptarët e sotëm”.

Po kështu, Dumont pikas se në praktikën funerare, të vdekurit i çohen në varr rrush, shegë apo verë, çka “është një nga zakonet e çuditshme që ne gjejmë në gadishullin ballkanik”…- shkruan ai. – Ato i jepen të vdekurit që të gjejë forcat, sepse në varr ai i ruan ende ndjenjat e oreksit dhe kërkesat e tjera të jetës tokësore.

Nëse këto ushqime mungojnë, hija e tij reale dhe e dukshme, do ta humbiste forcën që i ka mbetur. Ky besim është po aq i vjetër sa dhe grekët. E gjejmë tek Homeri. Në shekujt e bukur të poetëve, flisnin fare pak për këtë, por ne e shohim se ajo ekzistonte. Ajo ka frymëzuar një seri bazorelievesh. Kristianizmi e luftoi, por nuk e shkatërroi… Por kjo praktikë vazhdon ende në Shqipëri…”

Dumont na jep gjithashtu të dhëna dhe për gjendjen e gruas shqiptare. Madje ai ishte habitur nga një fakt i veçantë që kishte dëgjuar në konsullatën franceze në Shkodër. I ishte e dukur e pabesueshme, por njëkohësisht kuptimplote: “Në Shkodër, haremllëku nuk i mbron gratë. Pas konsullatës së Francës ka një përrua të vogël ku brenda një muaji, më 1871, janë gjetur dymbëdhjetë kadavra foshnjesh. Udhëtari francez n’a informon njëkohësisht se në kohën që ai udhëtonte në trevat shqiptare, pra në vitin 1871, pesë peshkopët në Shqipëri ishin italianë dhe i gjashti ishte një polak. Në Shkodër, prej disa vitesh, është ngritur për të rinjtë një kolezh, të cilët pastaj shkojnë të vazhdojnë studimet në Romë. Ndërsa në dioqezën e Lezhës me 17.000 banorë, “vetëm 50 prej tyre dinin të lexonin dhe dhjetë dinin ta shkruajnë emrin e tyre… Françeskanët pak shqetësohen për arsimimin e tyre…”

Në librin e tij, Dumont vë në pah racën e pastërt shqiptare veçanërisht tek mirditasit, këlmendasit, kastratët, etj, ai thekson në mënyrë të veçantë traditat luftarake të shqiptarëve.

Shqiptarët ishin në betejën e Fornovas, në Itali, shkruan ai, “duke nga kujtuar stratiotët e mëdhenj shqiptarët të ardhur nga Morea e Shqipëria dhe që depërtuan nëpër Evropë, duke shërbyer, siç e thekson me të drejtë ai, në Angli, në Francë e Gjermani, në ushtrinë e mbretit Henry VIII, në atë të perandor Maximilien të Gjermanisë apo të mbretit francez François I”.

Jo pak kohë më parë, ai kishte lexuar dhe një botim të një letrari grek, Zoti Sathas, që siç shkruan ai, “sapo ka botuar një histori të stratiotëve shqiptarë, për njërin prej tyre, Mërkur Bua, e shkruar në greqisht dhe në vargje nga Koronaios i Zantes”. “Ushtritë e kësaj kohe, – shton ai, – nuk kishin ushtarë më të mirë se këta stratiotë, këta zviceranë të Orientit. Nëse ata luftojnë si heronjtë homerikë, duke e kthyer strategjinë në dinakëri, në një forcë që lëshohet pa urdhër mbi armikun, ata dinë po ashtu ta pranojnë disiplinën dhe të ndjekin rregullat e tjera të luftës. E kemi parë në Egjipt në kohën e Mehmet Ali Pashës.

E shohim sot në ushtrinë e Portës së Lartë. Kur kanë patur rastin të marrin detet, ata kanë qenë marinarë të shkëlqyer. Porti i Ulqinit, gjatë shekullit XVII, ka patur flotë të rëndësishme gjer me 500 anije tregëtare që lundronin në të gjithë Mesdheun. Janë ata që i kanë dhënë Sulltanit elitën e flotës osmane. Por dimë gjithashtu se ç’kanë bërë për Pavarësinë greke shqiptarët e Hidrës dhe të Spezaj. Heronj, që poetët i kanë kënduar ashtu sikur pasardhësit e Themistokles dhe të Leonidhas të ishin bij të shqiptarëve të panjohur”.

Duke lëvduar kështu historinë shqiptare, më së fundi Albert Dumont arrin në konkluzionin e tij historik rreth lashtësisë së këtij populli, çka ishte diçka që mbështetej dhe nga disa studjues të tjerë të botës antike, veçanërisht nga tezat e Louis Benloew, autorit të veprës “Greqia para grekërve”. – “Ky popull kaq i panjohur – do të shkruajë Dumont, – i cili ruan imazhin më të saktë të asaj çka ishin etërit e racës greke e latine, meriton gjithnjë interesin e historianit. Ky popull do të mbetet si dëshmitar i gjallë i një të kaluare që shpesh besojnë se është zhdukur.

Asnjë vend në Evropë nuk ka zakone më të lashta. Dhe kjo shpjegon habinë e dijetarëve të vërtetë dhe studjuesve të këtyre tribuve, që besonin se ata janë ajo çfarë ka mbetur nga ajo racë misterioze: e pellazgëve që ne gjejmë në gjenezën e dy qytetërimeve më të bukura të botës së vjetër. ”

Drejt Epirit e Moresë, në gjurmë të Bua Shpatës

Në librin e tij, Dumont do të tregojë dhe vazhdimin e udhëtimit të tij në jug të Shqipërisë, duke kapërcyer së pari lumin e Vjosës. “Ne e ndoqëm atë udhë gjatë pesë ditëve, nga Vlora gjer në Janinë, një nga zonat më të bukura të kësaj krahine. Lumi rrjedh midis dy vargmalesh: herë ai rrjedh i qetë e i pastërt, e herë duke gjëmuar, i mbushur me shkumë, duke u hedhur si një përrua… Është e vërtetë që Epiri ka lëndina të bukura si ato të Paramithisë. Ndonjëherë qytetet ngrihen mes ullishtave si Vlora në veri, Preveza në jug, duke fshehur në kopshte minaretë e tyre dhe muranat e vjetra të shkatërruara. Qyteti i Pargës ka humbur mes pemëve me limona… ”

Në Shqipërinë e jugut, në Epir dhe në Greqi, jeta homerike kishte vdekur me kohë. Ajo gjendej veçse në mermeret e monumenteve antike, shumica ende nën dhé, mbuluar nga tërmetet dhe stuhitë. Atje, gjithçka kishte ngrirë shumë e shumë shekuj më parë.

Ndërsa larg, në veriun shqiptar, në ato male të vështira për t’i ngjitur, rrethuar nga bora, prushi homerik ishte ende i ngrohtë, digjte, jetonte në këngët e gjata të rapsodëve, por dhe në ritet njerëzore, tragjeditë e dhimbshme të dashurisë dhe të gjakut, të rrëmbimit të grave dhe të kalimit të të gjallëve në botën e përtejme.