Iannis Xenakis është nderuar në Greqi me një ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Artit Bashkëkohor në Athinë. Xenakis është cilësuar si themeluesi i muzikës elektronike, një njeri me talent të shumanshëm, që theu kufijtë e zërit, duke përdorur formula matematikore.
Xenakis është ndarë nga jeta 20 vjet më parë, në Paris, vendi në të cilin ai u arratis pasi i mbijetoi me vështirësi një predhe tanku britanik në përleshjet që i paraprinë luftës brutale civile të Greqisë.
“Pak figura kulturore ishin aq të rëndësishme në gjysmën e dytë të shekullit”, thotë Katerina Gregos, drejtoresha artistike e Muzeut Kombëtar të Artit Bashkëkohor në Athinë (EMST). “Xenakis nuk ishte thjesht një polimath, një vizionar, një kozmopolit i vërtetë, ai ishte një matematikan, inxhinier civil, arkitekt, autor, teoricien i muzikës, kompozitor dhe hartues, një njeri i Rilindjes nga e ardhmja.”
Gregos, një nga kuratoret më të njohura të Evropës përpara se të merrte drejtimin e muzeut kryesor, prej kohësh donte që Greqia t’i bënte homazhe një artisti që dekada më parë është pranuar në Akademinë e Arteve të Bukura të Francës dhe është dekoruar me Legjionin Francez të Nderit.
Xenakis, i cili ndoqi shembullin e arkitektit modernist francez, Le Corbusier, është vlerësuar për projektimin e Pavijonit Philips, i ndërtuar në vitin 1958 për ekspozitën e Brukselit dhe i frymëzuar nga një nga kompozimet e tij të para ikonike “Metastaseis”.
“Ishte një ëndërr,” i tha ajo Observer. “Diku tjetër ai është nderuar, ndërsa këtu nuk është vlerësuar kurrë aq sa meritonte. Ishte një nderim që shteti grek i bën një njeriu të përmasave kaq të mëdha.”
Vepra e tij ekspozohet si kurrë më parë. “Ka pasur shfaqje dhe koncerte aty-këtu, por kjo është hera e parë që ai njihet në nivel institucional në Greqi”.
Një numër rekord vizituesish në EMST, një ndërtesë jo fort larg Akropolit, kanë ndjekur me interes ekspozitën kushtuar marrëdhënies së trazuar të Xenakis me Greqinë.
“Më në fund një muze po bën atë që duhet të ishte bërë shumë kohë më parë”, citon The Guardian Eleni Katsarou-n, 34 vjeç, producente e muzikës elektronike, e cila mrekullohet nga UPIC, një sistem i improvizuar “kompozimi muzikor të kompjuterizuar” i krijuar nga artisti për të përkthyer imazhet në nota. “Ai ishte shumë përpara kohës kur jetoi, ishte unik. Është befasuese të mendosh se ai parashikoi se si do të prodhonim muzikë, se si kompozitorët do të ishin një ditë programues kompjuteri që sintetizonin tingullin.”
Xenakis, i lindur në Rumani, frymëzoi njerëz si Lou Reed, Ryuichi Sakamoto dhe Frank Zappa me teknikat e tij novatore dhe përdorimin inovativ të matematikës, që kishte filluar të ndihej në botën e kompozitorëve të trajnuar në konservator, po aq edhe te muzika elektronike eksperimentale.
Historia e jetës së Xenakis pasqyron rrugën e trazuar të historisë moderne greke dhe shpjegon pjesërisht pse në vendin e tij të lindjes ai mbeti i panjohur për kaq gjatë. Një arsim i privilegjuar në ishullin Argo-Saronic të Spetses, në një shkollë me konvikt, që mes nxënësve kishte edhe Mbretin e ndjerë Konstandin, u pasua nga ngjarje që do t’i linin përgjithmonë shenjë: pushtimi nazist dhe gjakderdhja që i parapriu shpërthimit të luftës civile.
Pasi u regjistrua me rezistencën dhe humbi syrin e majtë në dhunën që shpërtheu në Athinë në vitin 1944, ai u detyrua të fshihej përpara se të ikte jashtë vendit – një vendim që i krijoi ndjenjën e fajit dhe nostalgji të vazhdueshme. Muzika ishte forca krijuese përmes së cilës, do të thoshte më vonë, ai mund të “bënte diçka të rëndësishme për të rifituar të drejtën për të jetuar”. Ndërsa ndarjet në Greqi u intensifikuan – një skizmë mes të majtës dhe të djathtës ende e dukshme edhe sot – i gjithë radikalizmi dhe shpirti i tij i lirë shkuan në atë drejtim.
“Ai ishte pjesë e një brezi intelektualësh të përndjekur politikë që ilustronin këtë dikotomi politike në shoqëri,” tha Gregos.
Artistët avangardë që ishin larguar jashtë vendit nuk u njohën. Fakti që Xenakis ishte një ish-komunist, i dënuar me vdekje nga një gjykatë ushtarake në mungesë, nuk ndihmoi.
Rikthimin në Greqi – pasi u fal pas rënies së sundimit ushtarak – e përdori jo vetëm për të shijuar atë që i kishte munguar, por edhe për të vënë në skenë “Politopin Mycenae”, një spektakël i një madhësie të tillë që përfshiu ushtrinë, një kor fëmijësh, interpretues profesionistë, barinj dhe qindra dele. Performanca, e mbajtur në një natë të vetme në shtator 1978, në kodrat e rrotulluara jashtë Mikenës, shihet si një pararendëse e instalimeve multimediale, tashmë një event i zakonshëm në botën e artit. “Për një kohë shumë të gjatë, trashëgimia avangarde e diasporës greke është margjinalizuar,” thotë Gregos. “Është misioni ynë ta nxjerrim në pah atë.”