Në në deklaratë për shtyp sot, kreu i Rithemelimit, Sali Berisha, deklaroi ndër të tjera se:

koalicioni “Bashkë Fitojmë” shpëtoi opozitarizmin

Patjetër që këtu kemi të bëjmë me një rast tipik të investimit të vetëdijshëm në somnambulizëm politik: opozita e drejtuar nga z. Berisha është ngritur e po ecën duke shpallur se është opozitarizmi. Dhe këtu tradhëton në fakt një të vërtetë të hidhur: kërcënimi kryesor i dyshes Berisha-Meta nuk vjen nga Edi Rama, që merr votat e veta, por nga vakumi përfaqësues që ka krijuar opozita aktuale e shumëfishuar tashmë në disa degë. PD-ja e Bashës dhe Lëvizja Bashkë, morën diku te 200 000 vota, shtuar këtu abstenimit të mbi 250 000 të tjerëve dhe llogaria del qartë.

Zoti Berisha është duke luftuar për të mbetur pikë referimi e opozitës, sepse diversifikimi që është faktik e relativizon atë dhe e çorienton më tej elektoratin që do të kërkojë rrugë të reja. Mirëpo era ka nisur tashmë dhe atë nuk e ndal dot as Odiseu që me shtatë hile dhe një trimëri, sërish u detyrua të hante dynjanë nja 10 vjet pasi e ceku disa minuta bregun e Itakës.

Z. Berisha e di shumë mirë këtë gjë tashmë; e mira do ishte që dikush që i ka provuar të gjitha, të mbathte opingat si i thonë një fjale, e të ikë sepse nuk e nxjerr dot në breg më as partinë e vet e lëre më opozitarizmin që e ka shitur sa herë ia ka dashur interesi, siç bëri kur mbështeti marrëveshjen e majit 2017. Të hapë garën në parti, e vetmja punë e mirë që mbetet për të bërë.

s.zaimi