Nga Aurenc Bebja

Ndërsa po bëja disa kërkime mbi historinë e Shqipërisë, gjeta rastësisht një shkrim, i cili mbase mund të përmbajë një informacion të rëndësishëm mbi një zyrtar të lartë nazist që supozohej se kishte vdekur ose ishte zhdukur më 29 prill 1945, në Gjermani.

Bëhet fjalë për Heinrich Müller, pseudonimi i të cilit ishte “Gestapo Müller”, pjesëtar i SS-Gruppenführer. Ai ishte një nga përgjegjësit kryesorë të Holokaustit. Sipas një artikulli të gazetës “Le Figaro”, të datës 31 tetor 2013, Mülleri u varros në 1945 në një varrezë hebraike në lagjen Mitte të Berlinit, gjithsesi ky lajm ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

 

Është zbuluar vendi ku gjendet i strehuar i ligu Heinrich Müller, krahu i djathtë i Himmler-it.

Që nga viti 1956, ky administrator i kampeve të vdekjes naziste ka jetuar nën emrin e “Abedin Bekir Nakoschir” në Tiranë, ku ai ushtron funksionet e shefit të policisë sekrete shqiptare.

Sapo u informua, një organizatë e luftëtarëve të rezistencës nga Schleswig-Holstein i dërgoi një mesazh Walter Ulbricht, presidentit të Republikës Demokratike gjermane, duke i kërkuar atij të kërkonte ekstradimin e Muller në mënyrë që ai të jepte llogari për krimet e tij.

Letra është e datës 15 janar 1964. Deri më tani, nuk është marrë asnjë përgjigje.

Gazeta “Le Monde” gjithashtu ka shkruar mbi mundësinë që Mülleri mund të ketë jetuar gjatë asaj periudhe në Shqipëri, së pari në një artikull të 7 janarit 1964, duke shpjeguar ardhjen e tij në tokën e shqiponjave : …thuhet se Mülleri ka zbuluar identitetin e tij të vërtetë një inxhinieri të Gjermanisë Lindore vitin e kaluar në hotelin Adriatik në Durrës, në bregdetin shqiptar, gjatë një momenti kur të dy burrat gjendeshin të dehur… Sipas Der Stern (gazetë javore gjermane), thuhet se Mülleri është përdorur që nga viti 1945 nga autoritetet sovjetike, të cilat i dhanë atij një funksion në aparatin e policisë (spiunazhit) që drejtonte Beria. Pas vdekjes së Stalinit dhe arrestimit të Beria-s, Mülleri thuhet se ka emigruar në Hungari, pastaj në Shqipëri pas kryengritjes së vitit 1956. dhe së dyti, në një artikull të 8 gushtit 1967 ajo specifikon : …I kërkuar në të gjithë botën, SS-Gruppenführeri Heinrich Müller thuhet se jeton aktualisht në Shqipëri. Të paktën kështu ka thënë të shtunën, në gazetën Schwaebische Donau-Zeitung, e cila botohet në Ulm, një ish-agjent sekret, Helmut LUI, i cili pretendon se ka ndihmuar Heinrich Müller-in te strehohej në Shqipëri. Sipas LUI, ish-eprori i dikurshëm i Adolf Eichmann-it ka një emër të rremë “Jergj Kovoc” (ndoshta Gjergj) dhe thuhet se jeton në Tiranë. Ai gjithashtu pretendon se ishte ai që e përgatiti largimin e Müller-it në 1949, që sipas tij, ky i fundit gjendej i fshehur në Itali…

Meqenëse vdekja ose zhdukja e Heinrich Müller-it mbetet ende një mister, pista shqiptare duket se është e nevojshme të gërmohet më tej nëpër arkiva më qëllim vërtetimin ose rrëzimin e kësaj hipoteze që e lidh me Tiranën.

(Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania)