Ka mjaftuar një jë episod dhune në selinë e e Partisë Demokratike që të shpallet me vrik shpellari i përhershëm që kërcënoka demokracinë tonë. Një demokraci e shkreta që përthyhet përditë në dhunën,  si element kohezioni në shoqërinë tonë që udhëhiqet nga hipokrizia. Sot, shumëkush pa dhunën e Berishës, anakronikut permanent. Askush nuk pa potencialin dhunues të Lulzim Bashës dhe  të vetëve që pajisën me paramilitarë një seli partie. Duke bërë atë që duhet ta bënte policia. Për të kujtuar disa raste sesi aspekti formal ka vlerë rregullatore në politikë e që sot shpërfillen sikur të ishin diçka e panjohur.

  1. Lulzim Basha përjashtoi me vendim personal ish-kryetarin e partisë, pa mbledhur qoftë edhe formalisht një forum partie. E bëri këtë me urdhër dhe garanci ambasadash.

Shembulli: Edhe Enver Hoxha e thirri Mehmet Shehun për të lexuar një autokritikë formale, pavarësisht se cili ishte vendimi.

2. Sot u mbrojt me huliganë një seli partie.

Shembulli: Selia e Lidhjes Demokratike të Kosovës na është thënë se ishte 39 m2. E hapur, e pambrojtur, por e fuqizuar përherë e më shumë nga pesha e parimeve dhe energjia e Fjalës.

3. Sot Sali Berisha sulmoi një seli duke ushtruar akte dhune jo ekstreme. Më shumë duke manifestuar forcën. Lulzim Basha armatosi selinë.

Shembulli: Sllobodan Milloshevici, i akzuar me gjithfarë fjalësh e termash, dha dorëheqje pas protestave. Duke pranuar një zgjidhje politike.

Tani shembujt çalojnë si përherë dhe mund të dalë dikush e të thotë që këto janë kot. Mirëpo këtu nuk është puna të ekuivalentojmë kontekstet por të sjellim në vëmendje se kjo lebetia e të ashtuquajturës qytetari ndaj dhunës së malokut siç kanë qejf ta përgojojnë, injoron atë dhunën strukturore të staus quosë që përfaqësohet nga ata që japin koncesione dhe ata që marrin fitë e gjoja opozitarizmit.

Janë këta që po dhunojnë të ardhmen tonë më shumë se kushdo tjetër, por në Shqipëri hipokrizia është parim funksional, ndaj edhe spektakli i çdo dhune shqetëson më shumë sesa çdo shpërbërje që ndodh para syve tanë përditë. E që cenon të ardhmen e fëmijëve tanë. Apeli kundër dhunës jo përherë lidhet me motive fisnike, sidomos kur  legjitimon korrupsionin dhe pasqyron frikën apo edhe përçmimin dhe stigmën sektare.

s.zaimi