17 qershor 2022 – Qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë nisin punën për herë të parë që pas ekzistencës së shtetit shqiptar për hekurudhën Durrës – Prishtinë.

Qeveria e pakorruptuar e Kosovës ka miratuar dy propozim-vendime që lidhen me marrëveshjen me Shqipërinë, për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë.

Në njoftimin e dërguar nga Zyra e Kryeministrit për media bëhet e ditur se në një mbledhje elektronike ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes për bashkëfinancim për studimin e fizibilitetit dhe projektidesë për këtë lidhje hekurudhore dhe rekomandimin e presidentes që të nënshkruhet marrëveshja me Shqipërinë për këtë çështje.

Njoftimi i plotë:

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar dy propozim-vendime lidhur me marrëveshje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Është miratuar nisma për lidhjen e marrëveshjes për bashkëfinancim për studimin e fizibilitetit dhe projekt–idesë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë, ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë.

Pas shqyrtimit është miratuar edhe vendimi për rekomandimin e Presidentes së Republikës së Kosovës për autorizimin e Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për nënshkrim të marrëveshjes me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë, për bashkëfinancimin për studimin e fizibilitetit dhe projekt–idesë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë. ​