“Disa muaj në jetën time” është libri i fundit i Michel Houellebecq. Një novelë me nota autobiografike që rrëfen periudhën tetor 2022-mars 2023, të cilët autori i përshkruan si më të këqinjtë e jetës.

Fillimisht denoncimi, më pas i tërhequr, i Xhamisë së Madhe të Parisit për komentet e tij për myslimanët gjatë një interviste për revistën “Front Populaire” të Michel Onfray .

Më pas, akoma më keq, beteja e gjatë ligjore kundër Stefan Ruitenbeek, i cili e përfshiu shkrimtarin dhe gruan e tij Lysis në një film porno, pa pëlqimin e tyre.

“Për herë të parë në jetën time u ndjeva i trajtuar si subjekt i një dokumentari për kafshët”, shkruan shkrimtari më i famshëm francez. Në një intervistë për “Corriere della Sera”, ai flet mbi këto dy momente që përbëjnë shtyllat kryesore të librit dhe ripërsërit pendesën për komentet ndaj myslimanëve.

Çfarë ndodhi? Kemi parë një Houellebecq më të guximshëm, simbol i rebelimit kundër të qenit politikisht korrekt. Por libri i radhës ju zbulon të përvuajtur, të gatshëm për të kërkuar falje, të penduar për frazat për myslimanët dhe plot turp për skenat pornografike.

Ndiheni se keni ndryshuar në krahasim me të kaluarën?

Po. Sa për myslimanët, u tregova budalla që nuk e rilexova atë tekst më me kujdes. Ishte shumë i gjatë, është e vërtetë, por duke pasur parasysh të mëparshmit duhet të isha më i kujdesshëm.

I shkruat ato fjali që u kontestuan, më pas u tërhoqët. Si ndodhi kjo?

Sepse nuk doja t’i ofendoja myslimanët, por të paralajmëroja kundër rrezikut që një pakicë e vogël e tyre, islamistët xhihadistë, mund të provokonin një reagim të dhunshëm, sulme të stilit Bataclan, që nuk e uroj, por mund të çojnë Francën drejt luftës civile.

Dhe a keni ndryshuar mendje?

Për myslimanët në përgjithësi, po. Le të themi se jam ndërgjegjësuar se disa gjëra janë detaje. Nuk më intereson aspak që gratë veshin burkini në plazh, apo që ka kasapë hallall, mjaft me këtë obsesion të asimilimit të detyruar, mjaft me modelin e përsëritur deri në rraskapitje të “italianëve dhe polakëve që ditën të bëheshin francezë”. Nuk jam më dakord me disa ide të miqve të mi të djathtë.

A nuk është më i rëndësishëm asimilimi?

Kinezët nuk u asimiluan për një kohë të gjatë dhe nuk pati asnjë problem, unë jetoja në një pallat ngjitur dhe fqinjët, kinezët e vjetër, nuk flisnin frëngjisht, nuk është serioze. Më pas të rinjtë e mësuan atë për të mundur të punonin. Në periferi, problemi është delikuenca, jo Islami. Rreziku mbetet që një pakicë e vogël të provokojë një luftë civile. Kjo ka ndodhur tashmë në të kaluarën, me revolucionet franceze dhe ruse.

Në muajt e fundit, kryengritja nuk ka të bëjë me Islamin, por me reformën e pensioneve. Çfarë mendoni për demonstratat kundër Emmanuel Macron?

Më interesojnë, por nuk i kuptoj. Unë kam vrima në të kuptuarit e shoqërisë. Në çdo rast, dyshoj që çështja të jetë rritja e moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç. Është një protestë më e madhe kundër shoqërisë. Unë prirem ta interpretoj atë si një manifestim të dëshirës vetëvrasëse perëndimore.

Pyetje jashtë temës: çfarë mendon Michel Houellebecq për inteligjencën artificiale?

Nuk më tremb. Nuk jam dakord me alarmet e ngritura. Si adhurues i madh i trillimeve shkencore, jam magjepsur nga ideja për të mundur një ditë me jashtëtokësorët dhe tani me inteligjencën artificiale. Vepra që duhet përmendur në këtë kontekst është “Cikli klasik i robotëve” nga Isaac Asimov. Nuk më tremb as që inteligjenca artificiale është më e zgjuar se njerëzit. Tashmë kam humbur në shah me babin, mund të humbas edhe me kompjuter.

Çfarë ndodhi në të vërtetë me filmin tuaj porno? I xhiruat skenat dhe më pas jeni penduar?

Nuk kam dashur të marr pjesë në film pornografik, edhe pse nuk kam asgjë kundër pornografisë.

Atëherë çfarë ndodhi?

Unë dhe gruaja ime xhiruam disa skena me Jini van Rooijen, një mike e Beetle. Ato ishin të destinuara për llogarinë e tij Onlyfans, për të cilën mendova se ishte private. Kur kuptova që ishte publike dhe me pagesë, mohova pëlqimin.

Si përfundoi një skenë në filmin porno që Stefan Ruitenbeek dëshiron ta përhapë në internet dhe në kinema?

Ai më pas na ftoi në Amsterdam, në Lovecraft, një event që unë e ndjek shpesh dhe në hotel me nxitim më bëri të nënshkruaja një lloj leje. Vetëm më vonë e zbulova, për habinë time, se kishte efekt prapaveprues, dhe për këtë arsye përfshinte një skenë private të xhiruar në Paris. Më ka mashtruar. Sapo zbrita në stacionin e trenit në Amsterdam ishte një kameraman që filloi të më filmonte pa thënë as mirëmëngjes. Para kamerës i dhashë disa puthje Lysis dhe pamjet përfunduan në trailer pa lejen time. Ato ditë në Amsterdam ishin të frikshme, u besove njerëzve që nuk kishin skrupuj. Më vjen turp për këtë, e ula vigjilencën. Rashë pre e mashtrimit.

Çfarë do të thotë për ju pornografia, pavarësisht nga kjo sprovë?

Është e vetmja mënyrë për të fiksuar momente shumë të bukura në kohë. Unë nuk jam ekzibicionist, megjithëse vlerësoj bujarinë e atyre që ekspozojnë. Jam i interesuar të filmoj disa nga takimet e mia seksuale, në mënyrë që të mos humbasin momentet në të cilat ndjej se kam jetuar vërtet. Nuk gjej asgjë të pashëndetshme te pornografia dhe nuk e kuptoj kryqëzatën e qarqeve konservatore. Unë dhe një ish-partnere e imja e kemi regjistruar dikur, herë pas here e shikoj atë video me kënaqësi. Një vajzë tjetër më prezantoi me Nirvana dhe YouPorn. Këto janë përparësitë e të pasurit të dashura më të reja në moshë.

Së fundmi Depardieu është nën akuzë për sulme seksuale.

E di, por ai pretendon se është i pafajshëm dhe unë e besoj atë. Një joshës nuk mund të jetë përdhunues. Dhe Depardieu po vë bast se ka qenë e gjitha joshje.

Miqësia duket se do të thotë shumë për ju. Në libër, ju flisni për shkëputjen nga Onfray, i cili nuk donte të përfshinte korrigjimet që i bëtë bisedës për Islamin dhe shprehni mirënjohje për Bernard-Henri Lévy, i cili menjëherë ju doli në mbrojtje.

Bernard ka qenë bujar dhe besnik, kaq shumë vite pas librit që shkruam së bashku, “Armiqtë Publikë”. Ne nuk kemi të njëjtat ide, për shembull për një Evropë të bashkuar, në të cilën unë ende nuk besoj. Por në të kaluarën e lashë veten të joshesha shumë nga idetë, të cilat ndonjëherë më bënin të gaboja. Unë kam ndryshuar. Nuk besoj më në ide; besoj te njerëzit.