Nga Kreshnik KUÇAJ

Pas shpalljes së Pavarësisë dhe shkëputjes nga Perandoria Osmane, edhe pse në gjendje të mjerueshme ekonomike, Shqipëria doli si vend pa borxh publik dhe më nje sistem monetar të fortë pasi bazohej tek ari.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta për të ndërmarrë reforma ekonomike e për të realizuar investime që mund të kontribuonin në forcimin e ekonomisë shqiptare, jetëgjatësia e shkurtër e qeverisë së përkohshme të Vlorës të drejtuar nga Ismail Qemali nuk mundësoi lëvizje të forta ekonomike e financiare me përjashtim të koncesionit për krijimin e bankës kombëtare me kapital austriak dhe italian.

Banka u themelua me kapitalin e austiakes “Wiener Bank Verein” dhe italianes “Banca Commerciale Italiana” në 1913.

Pas dorëheqjes së Ismail Qemalit, pushteti kaloi në administrim ndërkombëtar, pra të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit që përbëhej nga 6 shtete superfuqi të kohës; Franca, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Rusia, Austro-Hungaria e Gjermania.

Wilhelm Wied do të caktohej princ i Shqipërisë. Për ardhjen e tij në Shqipëri shtrohej çështja e marrjes së një huaje 75 milionë franga që do të shërbente për shpenzimet e princit dhe oborrit të tij.

Historiani Arben Puto e trajton gjerësisht çështjen e huasë te “Pavarësia  Shqiptare dhe diplomacia e fuqive të mëdha 1912-1914” ku evidenton se”duke dashur t’u përshtatej vendimeve të Londrës që sanksiononin karakterin ndërkombëtar të organizimit të shtetit shqiptar, Wied-i iu drejtua njëkohësisht të 6 fuqive të mëdha për të kërkuar garantimin e tyre të përbashkët për huanë”.

Ngërçi dhe kushti për ndërkombëtarizimin e bankës kombëtare të 1913

Çështja e garantimit të huasë nga 6 superfuqitë do të krijonte jo vetëm diskutime por edhe do të vononte ardhjen e princit gjerman në Shqipëri. Huaja duhej të merrte miratimin e secilit shtet, e në këtë rast, mbështetësit më të mëdhenj ishin Italia dhe Austro-Hungaria.

Në momentin që u kërkua mbështetja për këtë hua, shtetet e tjera e kushtëzuan garantimin e saj me kërkesa të ndryshme, mes të cilave edhe për shkrirjen e bankës kombëtare të themeluar me kapital austriak e italian. Si alternativë, kërkohej të ngrihej një bankë me kapital të përbashkët ndërkombëtar të 6 fuqive të mëdha, mbi bazën e paritetit në aksione.

Po ashtu, gjatë diskutimeve për huanë u kërkua që ajo të mbulohej duke përdorur të ardhurat e shtetit shqiptar (monopolin e kripës, pullat postare, duhanin, peshkimin, alkoolin etj) vjelja e të cilave do të bëhej nën monitorimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit.

Puto evidenton në studimin e tij se diskutimet për mënyrën sesi do të krijohej banka e re kombëtare që pasonte atë të kohës së Ismail Qemalit do të nxirrnin në pah edhe marrëveshjen që kishin pasur Italia me Austro-Hungarinë  që banka kombëtare me kapital austriak dhe italian do t’i jepte Vidit një paradhënie prej 10 milionë frangash.

Praktikisht çështja e huasë së parë u kthye në një betejë mes shteteve nëse duhej anuluar koncesioni i parë i bankës kombëtare për të krijuar një bankë të re ndërkombëtare apo duhej mbajtur banka me afat 60 vjeçar e që praktikisht përfaqësonte interesat e vetëm 2 fuqive nga 6 të tilla.

Diskutimet do të mbylleshin me garancinë që i dhanë Wied-it Italia dhe Austro-Hungaria që do t’i jepnin atij paradhënien 10 milionë franga, si këst të parë të huasë 75 milion franga që kërkohej.

Dhënia e këstit të parë do të pasohej me ardhjen e princ Wied-it në Shqipëri e si rrjedhojë edhe marrjen e huasë së parë nga shteti shqiptar.

Largimi i Wied-it pas 6 muajve dhe shpërthimi i Luftës së Parë Botërore do të bënin që këstet e huasë të mos avanconin, ashtu sikurse edhe shlyerja e saj, që nuk do të bëhej kurrë. – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress