Rrugëtimi 106 vjeçar i revistës së parë shqiptare “Hylli i dritës” themeluar nga At Gjergj Fishta vjen në një ekspozitë tek kalaja e Tiranës. Kjo ekspozitë sjell për publikun kopje origjinale të revistës, e cila ka pasur një program të qartë atdhetar, politik e kulturor dhe që u bë shprehja më e pastër e intelektualëve.

“Hylli i Dritës” ka qenë e para revistë e botuar në Shqipëri, me një program të qartë atdhetar, politik e kulturor, dhe që u bë shprehja më e pastër e intelektualëve katolikë dhe e kryesisë së Provincës Françeskane në Shqipëri, përfaqësuesit e së cilës qenë jo vetëm drejtori i saj At Gjergj Fishta, por madje një plejadë letrarësh, gjuhëtarësh, folkloristësh dhe ekonomistësh që nderuan jo vetëm Provincën Françeskane por edhe Kombin.

Atë Gjergj Fishta ishte drejtuesi i “Hyllit të Dritës” në vitet 1913-1914 dhe 1931. Më pas drejtues ishte At Anton Harapi, për t’ia lënë vendin më 1939-n Gjon Shllakut. Në vitet 1993-1997 gazeta është drejtuar nga At Zef Pllumi, dhe kryeredaktor Aurel Plasari, ndërsa nga viti 2007 e deri tani gazeta drejtohet nga Ardian Ndreca.

Në një intervistë për emisionin ‘Chic’ të Fjodora Dorës në News 24 drejtori i Arkivës së Shtetit, Ardit Bido tregon diçka më shumë rreth veçantisë së këtij ekspozimi dhe se çfarë e bën të veçantë revistën “Hylli i dritës. Ardit Bido gjithashtu rrëfen për dy projektet shumë ambicioze për të cilat po përgatitet së fundmi Arkivi i Shtetit.

I pyetur se pse vendosën që këtë dokument kaq të rëndësishme ta ekspozojnë për publikun në një mënyrë të veçantë Ardit Bido tregon se është tjetër gjë të thuash të flasësh për “Hyllin e dritës dhe tjetër gjë t’ia tregosh atë.

“Është një përzgjedhje strategjike e jona që prej së paku tre vitesh ne kemi organizuar pafundësisht ekspozita rreth 40-50 të tilla çdo vit, që në ambiente publike dhe shumë të rralla të çojmë një pjesë të historisë sonë në forma të ndryshme. Shumicën e rasteve ekspozojmë dokumente të printuara dhe në pak raste edhe dokumente origjinale. Është një vendim strategjik sepse vjen në kuadër të një bjerrjeje që shoqëria shqiptare dhe gjithë shoqëritë botërore, është çështje e epokave ku jetojmë dhe kontakti i tyre me historinë. Nëse para pak vitesh historinë t’i duhej të shkoje dhe ta shihje, sot njerëzit mjaftohen me atë që lexojnë online dhe duke u mjaftuar me të ndonjëherë marrin informacionin e gabuar. Ballkan Web