Një histeri kolektive ka mbërthyer Turqinë pas nisjes së operacioneve të luftës në Siri. Të gjithë po nxitojnë të deklarojnë mbështetjen e tyre për vendimet e Erdoganit, duke përshëndetur ushtarakisht.

Që nga fëmijët e vegjël, sportistët dhe zyrtarët e lartë janë shfaqur duke nderuar me përshëndetje ushtarake, në paraqitjet publike. Kësaj liste të gjatë i’u  shtua edhe ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar. Gjatë vizitës së tij në shkollën ku u diplomua, studentët e pritën me përshëndetje ushtarake. Siç tregohet në videon e mëposhtme, kur ministri hyri në dhomë, të gjithë studentët u ngritën në këmbë, e përshëndetën ushtarakisht dhe kënduan himnin e shkollës.

Në fjalën e tij, Hulusi Akar theksoi rolin e rëndësishëm të arsimit. Ai gjithashtu iu referua çështjes së disiplinës, duke thënë se disiplina është e nevojshme kudo, jo vetëm në ushtri, ndërsa këshilloi studentët të kujdesen për lidhjet familjare. I pyetur nga një student për operacionet në veri-lindje të Sirisë, Akar u përgjigj se “siguria dhe interesat e vendit janë jetike. Në këtë kontekst ne nuk do të lejojmë asnjë rrezik dhe kërcënim për kufijtë tanë dhe njerëzit tanë në jug të vendit “.

Fillimisht ishin futbollistët e Kombëtares së Turqisë që në ndeshjet e Evropianit me Shqipërinë dhe Francën bënë këtë gjest. Përshëndetja ushtarake ka marrë një dimension histerik, ku sportistë të garve të ndryshme tregojnë solidaritetin e tyre me politikën e Erdoganit. Së fundmi edhe në Kosovë, fëmijë të një shkolle në Prizren përshëndetën ushtarakisht duke mbajtur flamurin turk.