Unë jam gati të bëj çdo gjë në të mirë të PD-së, Kështu u shpreh sot Lulzim Basha, statusi faktik i të cilit nuk dihet. Meqenëse zotëria ka luajtur një rol publik, e më pas, ia caktuan një rol publik, të cilin sot po kërkojnë t’ia ruajnë sërish, është e udhës që të ndihmohet për ta zgjeruar diapazonin e fatit ku e thirri Historia.

Zoti Basha ka sot në dorë të bëjë diçka edhe për Shqipërinë, diçka në sensin pozitiv, si akt ndryshues: Të IKË! Sepse atë në politikë nuk e do më kush, jo në pozicionin e përfaqësuesit të 6% të elektoratit dhe si kryetar i partisë, formalisht kryesore të opozitës.

Kaq e kupton edhe vetë zotëria që sot po luan një teatër që nuk ka spektatorë. Mundet që edhe të rrijë, duke bërë dëme përherë e më të vogla, duke u bërë një askush në krye të një tavoline që nuk e takon për të parë që tavolina do mbetet bosh. Nuk ka më asnjë skenar dhe asnjë regji të ringjallë dikë apo diçka që nuk ka qenë kurrë në jetë, pa dashur të fyejmë.