GlaxosmithKline deklaroi se një analizë në laborator e terapisë me antitrupa të Covid-19 që po zhvillon me partnerin amerikan, Vir, ka treguar se ilaçi është efektiv kundër variantit të ri Omicron. Në një deklaratë, firma britanike theksoi se testet në laborator dhe një studim tek kaviet ka vërtetuar se kokteji me antitrupa sotrovimab funksionon kundër viruseve që janë krijuar në laborator për të mbajtur disa mutacione kryesore që ka varianti Omicron.

Kompania shtoi se testet për të konfrimuar rezultatin ndaj të gjithë mutacioneve të Omicron po vazhdojnë dhe pritet një përditësim në fund të vitit. Paralelisht, rregullatori i barnave në Britani, miratoi sotrovimab për njerëzit me sëmundje të lehtë e të mesme, që ndodhen në rrezik të lartë të zhvillimit të sëmundjes së ashpër. Rregullatori britanik rekomandoi përdorimin e ilaçit sa më shpejtë të jetë e mundur dhe brenda 5 ditëve të shfaqjes së simptomave.

Duke shtuar arsenalin e mjeteve kundër Omicron, Moderna deklaroi se mund të ketë gati një dozë nxitëse që shënjestron variantin e ri në muajin Mars. Presidenti i firmës, Stephen Hoge, tha se mendon që dozat nxitëse, me gene që shënjestrojnë specifikisht mutacionet tek varianti Omicron, mund të jenë mënyra më e shpejtë për të trajtuar reduktimin e efektshmërisë tek vaksinat që mund të shkaktojë varianti.

Klevis Llaha