Fjala ime sot në konferencën për media të Lëvizjes Vetëvendosje!

Për mua ky është një moment shumë i veçantë, po aq edhe i rëndësishëm. E kemi diskutuar prej muajsh mënyrën sesi do marrim pjesë në këto zgjedhje politike, dhe jam i vetëdijshëm se kjo rrugë nuk është e lehtë, nuk është e tillë për asnjërin prej nesh. Aq më tepër që kjo periudhë është e vështirë për të gjithë shqiptarët, të cilët po përgatiten t’i japin përgjigje kësaj situate përmes këtyre zgjedhjeve vendimtare.

Përgjegjësia është e madhe, rruga e vështirë, por e pakthyeshme. Vetëm duke qenë e pakthyeshme, e ardhmja na premton mundësi të reja.

Një mundësi e re janë dhe këto kandidatura, jo sepse ashtu e mendoj thjesht unë. Kandidatët nga zgjedhësit nuk janë vetëm, sepse shumë qytetarë mendojnë e veprojnë bashkërisht dhe ndryshe. E tillë është edhe kjo nismë qytetare, bashkë me Lëvizjen sjell një mundësi për ta përfytyruar dhe realizuar ndryshe të ardhmen.

Kjo mënyrë jo e zakonshme për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, dëshmon se qytetarët shqiptarë vazhdojnë të mbeten masivisht të papërfaqësuar ose të keqpërfaqësuar. Qytetarët e dinë se legjitimiteti i partive të vjetra është në rënie drastike, votuesi është lodhur, dyshimi është instaluar anë e kënd.

Mbështetja për këto inciativa është akt rezistence, veprim i organizuar dhe i lirë kundrejt këtij sistemi që prodhon dhe qarkullon të njëjtat premtime boshe, të njëjtat logo, të njëjtët sloganë, të njëjtat fytyra, ende pas kaq e kaq vitesh. Të gjitha manovrat për të penguar subjektet e reja politike, sidomos me kodin e ri zgjedhor, kanë qenë manovra për ta fshirë të ardhmen.

Jam mëse i privilegjuar që kjo kandidature po shpallet në qarkun e Lezhës, në qytetin tim të lindjes. Lezha nuk është dhe aq larg nga këtu, por dhe është kaq afër asaj që ka munguar kaq shumë në politikëbërje; pra, në vetë politikënsi kusht për drejtësi dhe mirëqenie.

Ky projekt që nuk dihet se ku mbaron dhe as ka për të mbaruar deri në çkapjen e shtetit, të kombit tonë, si dhe më urgjentja: çkapjen e mendimit tonë prej lodhjes, korruptimit dhe frikës. Nuk duhet t’i bëjmë gabimet e njëjta ngase kemi frikë. Duhet të frikësohemi vetëm nga përsëritja e po këtyre gabimeve që e lanë këtë vend keq, për kaq gjatë. Virtytet që do na çojnë para janë guximi dhe dija.

Bashkë me një ekip aktivistësh nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga Kosova dhe Maqedonia, me mbështetjen e shumë profesorëve e mësuesve në secilën prej bashkive të qarkut, do të kërkojmë mbështetje për këtë iniciativë.

Të gjithë dhe gjithmonë, duke mos u lodhur e dorëzuar, kjo gjë bëhet e mundshme dhe do ia dalim mbanë!