Shahin Sallahu

Nuk e di saktësisht meqenëse nuk i kam përcjellur, por më duket se deputetët e kuvendit të Kosovës, janë mbledhur 33 herë për të zgjedhur kryesinë e kuvendit, pa sukses! Po sikur të priteshin këta kuvend me këngën “Mora fjalë” në kuvend, apo edhe më mirë me këngën “Do t’i kallim fitilat es llambës”, athua do të ua ngriste pak shqisat e lumturisë, dhembshurisë apo edhe adrenalinës për të festuar duke rënë në ekstazë momentale nga ndikimi i muzikës?

Por ja që kënga e parë ndoshta do të përbënte skandal sepse i “ngacmon” serbët e përfaqësuar në parlament, e këngën e dytë ndoshta se kuptojnë por ngjason me muzikën turbofolk serbe dhe disi adoptohen me të! Po sikur emri i kandidates për kryetare të parlamentit të ishte Duda Balje, athua tani do të mbahej seanca e 33 e rregullt e kuvendit?

Disi, bukuria e një femre, shqiptarët i bën më të butë, më të dashur, më të kthyeshëm dhe Duda do t’i fitonte zemrat e tyre me nga një votë, secili një nga një!? Thonë “harami mblidhet e mblidhet, por kur kërcet e bën belanë!”! E dini që Kosova në të gjithë botën njihet si Kosovo (ashtu siç na quan Serbia!) dhe se mbi 70% të vendbanimeve në Kosovë, kanë emra sllavë?

E dini që kur Kosova është anëtarësuar në Fondin monetar ndërkombëtar FMN dhe kërkoj të marr një kredi prej rreth 500 milionë eurosh, FMN i dha kredinë por menjëherë i’a ndali më shumë se gjysmen, sepse Kosova i kishte “borxh” këtë shumë nga koha e ish Jugosllavisë! Por këto borxhe ishin të Serbisë që i kishte marrë në emër të Kosovës, meqenëse Kosova ishte krahinë dhe nuk kishte të drejtë për huamarrje! E kjo si dhe emri Kosovo, ka ndodhur falë zemërgjerësisë së delegacionit të Kosovës gjatë bisedimeve në Vjenë! E nga Vjena vijnë të gjitha të këqijat me të cilat edhe sot përballet Kosova. Po, thuani ju, nga aty erdhi pavarësia e Kosovës, saktë, por çfarë pavarësie se!

Me paketën e Ahtisaarit, Kosova ka fituar pavarësinë më të çoroditur në botë, ku një pakicë serbe gëzon të drejta shumë më të mëdha sesa populli shumicë shqiptare! Me këtë paketë, në fakt populli shqiptar është ç’kombëtarizuar dhe polli një komb i ri “kosovar”, komb të cilin përveç shqiptarëve nuk e ka pranuar asnjë pakicë që jeton në Kosovë, e serbet assesi!

Ti kthehemi kuvendit! Ndoshta futja në sallën e kuvendit me këngën “O i lumi unë” do t’i bënte bashkë gra e burra, të gjitha partitë shqiptare, meqenëse mesazhi i kësaj kënge përputhet shumë mirë me lumturinë e shumë deputetëve që pa bërë asgjë, paguhen me paga të majme nga publiku që ka ngelur jashtë tribunave të teatrit kombëtar, më falni kuvendit të Kosovës! Se botës është duke i shpërthyer rrypi i sigurisë, kjo nuk ju bën fare përshtypje shqiptarëve, përveç se shahen mes veti duke mbajtur anë njërës apo tjetrës palë!

Përndryshe, çmimi i “shezlloneve” në det, ka mundësi të shkoj sivjet deri në 20 euro!

By