Nuk do të ishte një përplasje e fortë, edhe pse shumë prisnin që të zbulonin gjëra të reja nga intervista e Tucker Carlson me Vladimir Putin, e pritur me shumë bujë dhe duke marrë edhe epitete si “intervista e shekullit”.

Pritshmëria se Putin do të lihej të fliste sipas dëshirës për luftën në Ukrainë rezultoi e vërtetë. Që prej nisjes së luftës në shkurt 2022, Presidenti rus nuk kishte dhënë asnjë intervistë për mediat perëndimore dhe jo rastësisht.

E ndërsa për ekspertët politikë çka Putin do të thoshte nuk do surpizonte, për popujt në SHBA dhe BE, ku gëlon pandërprerë propaganda anti-Rusi dhe anti-Putin, kjo do të ishte hera e parë që ata nuk dëgjonin interpretime të qëllimeve të Putin, por ato çka ai thotë vetë. Kur mbaron lufta në Ukrainë? Kush është përgjegjësi kryesor për këtë luftë? Kjo ishte edhe ideja e intervistës, sipas ikonës televizive amerikane, Tucker Carlson.

Në këtë kontekst, Putin shfrytëzoi maksimalisht qasjen e butë të Carlson për të mbjellë farat e dyshimit për ndihmën e Amerikës për Ukrainën dhe sistemin politik të SHBA-së.

Pikat më të rëndësishme të intervistës:

– Kur mbaron lufta

Mesazhi kryesor që Putin kërkoi t’u përcillte amerikanëve ishte i qartë: Nuk ka kuptim të ndihmoni Ukrainën me më shumë para dhe armë.

Dhe Carlson ishte mëse i lumtur për ti bërë jehonë këtij mesazhi. Gazetari më i famshëm i amerikan, në mos globalisht, është kthyer në ikonë falë qëndrimeve të tij të forta, që i vishen më shumë një analisti sesa një moderatori emisioni politik.

I veshur me këtë petk, Tucker prej kohësh ka vënë në pikëpyetje mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën dhe ka sulmuar Zelenskin.

“Nëse vërtet dëshironi të ndaloni luftën, duhet të ndaloni furnizimin me armë. Lufta do të përfundojë brenda pak javësh. Kaq.” – kështu u shpreh Putin, duke shtuar se i takon SHBA-së t’i thotë Ukrainës që të vijë në tryezën e bisedimeve.

Por në fakt, kjo nuk është tamam e saktë dhe këtu Putin duket se bie në njëfarë kontradikte.

I pyetur nga Carlson nëse Rusia i kishte arritur qëllimet e saj në këtë luftë, Putin mohoi.

“Jo. Ne nuk i kemi arritur ende qëllimet tona, sepse një prej tyre është denazifikimi.”

Pretendimi se Rusia po kërkon të “de-nazifikojë” Ukrainën shihet gjerësisht si mesazhi i kriptuar për largimin e presidentit të zgjedhur (çifut) të vendit, Volodimir Zelenski. Putin tha “ne duhet të heqim qafe ata njerëz” për të cilët ai pretendoi se “mbështesin” nazizmin.

Më pas, kur Carlson pyeti nëse Putini do të ishte i kënaqur me territorin që kanë pushtuar aktulaisht, Presidenti refuzoi të përgjigjet. Putin iu rikthye pikës së tij për “de-nazifikimin” dhe duke këmbëngulur se nuk kishte përfunduar ende përgjigjen në pyetjen e mëparshme.

– Jo presidentët, por elitat kontrollojnë SHBA

Një nga qëndrimet më të bujshme të Putinit në intervistë ishte se Presidentët amerikanë nuk drejtojnë realisht Shtetet e Bashkuara.

Sipas Putin, presidentët e kaluar të SHBA nuk kanë mundur të arrijnë konsensus me Rusinë për çështjet e sigurisë, edhe kur ai pretendoi se ata e kishin dashur një gjë të tillë.

“Sistemi politik i SHBA-së është, për të huazuar një frazë, një moçal i pashuar dhe demokracia amerikane një iluzion.” – u shpreh Putin.

Calson ndërhyu menjëherë, a thua se Putin i doli në shteg. Një nga qëndrimet më të forta të Carlson është se elita të fshehta drejtojnë SHBA-të.

“Duket sikur po përshkruani një sistem që nuk drejtohet nga njerëzit që zgjidhen,” – u shpreh Carlson.

“Ashtu është, ashtu është. Nuk ka të bëjë me personalitetin e liderit. Bëhet fjalë për mentalitetin e elitës.” u përgjigj Putini, gati gati i kënaqur.

-Kanalet e komunikimit SHBA-Rusi mbeten të hapura

Putin pretendoi se nuk mbante mend kur foli për herë të fundit me Presidentin Biden. “A duhet të mbaj mend gjithçka? Unë kam gjërat e mia për të bërë. Ne kemi çështje të brendshme politike”. 

I pyetur pse nuk ka folur me homologun e tij amerikan, Putin tha: “Pse do ta telefonoja? Për çfarë duhet të flas me të? A supozohet që ti lutem?” 

Por ai shtoi se “kontakte të caktuara po mbahen” kur bëhet fjalë për linjat e komunikimit midis Uashingtonit dhe Moskës. Putin nënkuptoi se shërbimet sekrete, CIA dhe FSB-ja ruse respektivisht, janë në kontakt të vazhdueshëm.

-Putin fajëson SHBA-në për shpërthimet e tubacionit Nord Stream

“Kush e hodhi në erë Nord Stream?” Carlson e pyeti Putinin, duke iu referuar shpërthimeve misterioze në shtator 2022 që shkatërruan tubacionet e gazit nënujorë Rusi-Gjermani.

“Ju, me siguri,” u përgjigj Putin.

“Isha i zënë atë ditë!” u përgjigj Carlson me batutë.

Putinit dukej se i pëlqente të luante me fjalët, duke i thënë gazetarit se megjithëse ai personalisht mund të kishte një alibi, CIA nuk e kishte.

I pyetur nëse ai kishte ndonjë provë për këtë pretendim, Putin tha se çështja ishte se kush kishte motivin dhe kapacitetet për ta bërë një sulm të tillë.

Për shpërthimet e NordStream janë fajësuar publikisht disa shtete. Ukraina ka thënë se Rusia ishte përgjegjëse, gjë që Kremlini e ka mohuar, ndërsa Moska ka fajësuar më parë Britaninë e Madhe dhe tani SHBA-të, por pa paraqitur asnjë provë.

-Propagandistët e Kremlinit arritën një fitore

Kushdo që mund të thyejë armaturën e Putinit mbahet vite dritë larg presidentit, qofshin ata gazetarë, njërëz të thjeshtë, apo kundërshtarë politikë.

Ata që arrijnë të flasin me Putinin zgjidhen gjithmonë nga Moska dhe Carlson nuk ishte përjashtim. Këtë madje e konfrimoi zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov këtë javë.

Duke parashikuar kritikat se intervista do ti bënte veçse jehonë Putinit, si Carlson ashtu edhe Putin u përpoqën ta largonin këtë përshtypje. Por çdo moment tensioni ishte i shkurtër dhe në thelb i parëndësishëm. Putini doli në krye.

“A po bëjmë një talk show apo një bisedë?” Putini bëri snajperin që në minutat e para të intervistës, përpara se të jepte një ligjëratë pothuajse të pandërprerë historike 28-minutëshe ku thelbi ishte se Ukraina ishte një shtet fals dhe asgjë tjetër veçse një krahinë e Rusisë.

Carlson nuk arriti të kontrollonte faktet apo të devijonte mësimin e historisë së presidentit rus. Dhe ndoshta nuk kishte faj. Njohuritë që shpalosi Putin do të sfidonin çdo ekspert historie aty për aty.

Por, në këndvështrimin e Lapsi.al, Carlson e teproi me deklaratën hapëse të intervistës ku tha se Putin ishte “i sinqertë” dhe me “njohje enciklopedike“. Themi kështu, pasi është tjetër gjë të mos arrish ta ndërpresësh një nga njerëzit më të pushtetshëm të globit me të cilin je dakordësuar për ta intervistuar (ndoshta me disa kushte), apo edhe të mos të arrish ta sfidosh në njohuritë e tij historike, por të deklarosh besimin në sinqeritetin e Putin është minimalisht naive.

Politico analizon se Carlson shmangu çdo temë që mund të kishte qenë e ndjeshme për Kremlinin. Dhe me të drejtë. Politico rendit raportet e krimeve ruse të luftës në vende si Bucha dhe Mariupol, urdhërarrestin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Putinin, Alexei Navalnyn dhe të burgosur të tjerë politikë, si dhe numrin e madh të vdekjeve gjatë luftës. Ai madje u largua nga çdo pyetje në lidhje me zgjedhjet e ardhshme presidenciale ruse dhe skualifikimin e kësaj jave të kandidatit presidencial anti-luftë Boris Nadezhdin.

Por në mbrojtje të ikonës televizive amerikane duhet të themi se ai një ditë më parë dha një shpjegim se pse po e intervistonte Vladimir Putinin.


“Ju ftojmë ta shihni intervistën. Si qytetarë të lirë dhe jo si skllevër, ju mund të vendosni vetë” – u shpreh Carlson, pasi për tre minuta rresht tha se perëndimi duhet ta dijë se çfarë lufte po financon, çfarë efektesh ka ajo globalisht, pasi elitat perëndimore po ia fshehin implikimet katastrofike popujve të tyre duke servirur vetëm propagandë anti-Putin dhe duke censuruar çdo shpjegim të palës ruse në konflikt.