“Kush nuk e voton Gjykatën Speciale është armiku i pavarësisë së Kosovës dhe i UÇK-së.”
– Hashim Thaçi, 2015
Gëzim Mekuli
Njohës i shkencave të mediave dhe retorikës
Kjo fjali është vula publike me të cilën Hashim Thaçi përçau çdo mendje të lirë, çdo kritik të ndershëm, ndër tjerash edhe autorin e kësaj trajtese dhe mbi të gjitha, çdo ish-luftëtar që nuk pranoi të kthehej në vegël politike të korrupsionit dhe servilizmit ndërkombëtar. Me këto fjalë, ai shpalli armiq idealistët e vërtetë të lirisë, vetëm sepse nuk pranonin t’i shërbenin një drejtësie selektive, njëetnike dhe të komanduar nga zyra të errëta diplomatike.
Sot, në vitin 2025, kur nëpër media të kapura e servile transmetohen intervista si ajo e gazetarit Adriatik Kelmendi me Thaçin nga burgu në Hagë, nuk bëhet fjalë për informim, por për manipulim, harrnim imazhi dhe ripërtypje të një mashtrimi të madh politik që ka prodhuar vetëm humbje për Kosovën. Po flasim pra për median dhe vet gazetarin i cili me turr sponzorizoj themelimin e Gjykatës speciale për UÇK-në.
Nga Gjykata Speciale te Zajednica; zinxhiri i dështimeve të nënshkruara
Hashim Thaçi nuk është thjesht nën akuzë në Hagë. Ai është nën aktakuzë historike, sepse:
Votimi i Gjykatës Speciale ishte akti më i rëndë politik pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës; një gjykatë një-etnike, e cila ka për qëllim të gjykojë vetëm luftën e drejtë të shqiptarëve, ndërkohë që asnjë kriminel serb nuk është ulur kurrë në bankën e të akuzuarve për masakrat në Kosovë.
Nënshkrimi i marrëveshjes për “Zajednicën* (Asociacionin e Komunave me shumicë serbe), në vitin 2013 dhe 2015, ishte pranim formal i autonomisë territoriale të Serbisë brenda shtetit të Kosovës. Ai e hapi rrugën për sovranitet paralel serb në veri, pa asnjë llogari ndaj institucioneve të Kosovës.
Ndarja faktike e veriut u nënshkrua në heshtje. Me marrëveshjet e Brukselit, Thaçi hoqi çdo autoritet institucional të shtetit të Kosovës në katër komunat veriore, duke pranuar që policia, bankat, arsimi, drejtësia dhe administrata të kalojnë nën kontrollin e strukturave ilegale serbe; të cilat më pas do të përdoren për të destabilizuar Kosovën në çdo moment krize.
Thaçi u bë “arkitekt i shkatërrimit të brendshëm” të Kosovës, sepse veproi jo si lider që mbron shtetin, por si pazargji politik, që firmoste gjithçka për të ruajtur veten dhe për të fituar pëlqimin e momentit nga ndërkombëtarët.
Përkulja para lapidarëve që fyejnë historinë shqiptare
Një nga momentet më të ulëta të karrierës së tij ishte kur, si president i Kosovës, vendosi kurorë lulesh para një lapidari serb ku shkruhej se serbët ishin vrarë nga “terroristët shqiptarë” (nënkupto UÇK-në). Ky akt nuk ishte vetëm përulje diplomatike: ishte njollosje morale e luftës çlirimtare dhe legjitimim i propagandës së moçme serbe.
Aty ku duhej të ngrihej zëri për drejtësinë e Reçakut, të Çyshkut, të Mejës, ai zgjodhi të heshtë. Aty ku duhej të kërkonte gjykatë për krimet serbe, ai ngriti gjykatë për shqiptarët. Aty ku duhej të çlironte veriun, ai e dorëzoi. Aty ku duhej të përfaqësonte popullin e vet, ai nënshkroi në emër të një karrigeje.
Kjo intervistë është fyerje për viktimat dhe inteligjencën e publikut
Intervista, (me regji e me skenografi) me Thaçin, në vend që të jetë një ballafaqim me të kaluarën e tij dhe me pyetje serioze për dështimet politike dhe morale të ish-presidentit, është një lavdi e rreme, një nënshtrim i gazetarisë së korruptuar para pushtetit të vjetër, po ashtu të korruptuar.
Gazetari nuk e sfidon intervistuesin. Ncuk! Nuk ngre pyetje për “Zajednicën”. Ncuk! Nuk e përmend as veri, as korrupsion, as përgjegjësi. Ncuk!
Në vend të pyetjeve të vërteta, kemi një monolog të kontrolluar emocionalisht, me fjalë të buta, fraza heroike dhe një tregim që tenton ta paraqesë, dhe t’a glorifikon, Thaçin si një burrë shteti të maaaaadh që është sakrifikuar për Kosovën.
Të dashur lexues,
Kjo nuk është media e pavarur. Kjo fabrikë është zgjatim i propagandës së klaneve të vjetra.
Këta gazetarë nuk përfaqësojnë zërin e së vërtetës, por shërbejnë si zëdhënës të riciklimit politik të një elite politike të çoroditur që e ka konsumuar të gjithë kredibilitetin moral.
Nëse e doni Kosovën, mos u mashtroni nga këto shfaqje Hollywoodiane.
Nëse e doni drejtësinë, kërkojeni aty ku gjykohet Serbia, jo aty ku luftëtarët shqiptarë përndiqen politikisht.
Të dashur lexues,
Në një moment të ndjeshëm politik për Kosovën; kur situata retorike dhe politike është e tensionuar, kur qeveria po përballet me sfida të brendshme dhe të jashtme, dhe kur debati publik është më i lirë se kurrë më parë nga kontrolli i elitave të vjetra, na del në skenë një intervistë e kurdisur, nga burgu i Hagës, me një figurë që simbolizon gjithçka që shkon keq në shtetformimin tonë: Hashim Thaçi.
Në pamje të parë, kjo mund të duket si një përpjekje për të dëgjuar “njërën anë të historisë”. Por nuk është as histori, as baraspeshë. Kjo intervistë është manipulim emocional, fushatë e pastër rehabilitimi, dhe mbi të gjitha, një akt i qëllimshëm politik me objektiva të qarta dhe të mbrapshta:
Të godasë simbolikisht kryeministrin Albin Kurti, i cili është sot figura më legjitime që përfaqëson interesin publik dhe pavarësinë institucionale të Republikës së Kosovës.
Të dërgojë një porosi frikësues ndaj Fatmir Limajt, një prej të paktëve liderë të UÇK-së që nuk i është përkulur sistemit të Thaçit dhe që mbetet politikisht i pavarur dhe i pakontrolluar nga klanet e vjetra.
Por ja ku qëndron ironia:
Asnjërin qëllim nuk do ta arrijnë me këtë intervistë “alla siciliane”. Sepse koha e kontrollit të opinionit publik nga televizorët e kapur ka përfunduar.
Konsekuent deri në fund: populli ka më shumë kujtesë sesa një video-intervistë në televizor.