Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) ka shpallur në kërkim ndërkombëtar ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj. Vendimi vjen pasi Policia e Shtetit konfirmoi se ish-zv.kryeministri Ahmetaj nuk ndodhet në Shqipëri.

Të dhënat e sistemit TIMS kanë konfirmuar se Ahmetaj ka dalë jashtë territorit shqiptar. Vetë Ahmetaj disa ditë më parë e konfirmoi largimin përmes një statusi në rrjetet sociale, mëngjesin e ditës kur Parlamenti i hoqi imunitetin me 117 vota pro.

Ahmetaj ka lënë Shqipërinë ditën kur SPAK i dërgoi Kuvendit një shkresë me të cilën kërkonte autorizimin për arrestimin e tij.

Tre janë akuzat e SPAK ndaj ish-numrit dy të qeverisë: Refuzim për deklarimin, mosdeklarim ose fshehje e pasurive; korrupsion pasiv dhe pastrim i produkteve të veprës penale.

Vetë Ahmetaj ka deklaruar se si ish-ministër i Ekonomisë dhe si ish-ministër i Financave nuk ka pasur asnjë rol vendimmarrës për inceneratorët.