Rexhep Qosja

Një fund dhe një fillim – Këtë vit, 2019, e shënojmë 100-vjetorin e ndarjes nga jeta të Babait të Pavarësisë së Shqipërisë, Isamil Qemalit.

Ismail Qemali është personalitet me rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar. Me emrin e tij është i lidhur një fund dhe një fillim në këtë histori: fundi i pushtimit shumëshekullor otoman dhe fillimi i lirisë dhe i pavarësisë shqiptare, sado jo për krejt popullin shqiptar.

Si themelues i Shqipërisë, ai hyn në radhën e atyre personaliteteve që e kanë ndryshuar historinë politike të popullit shqiptar dhe të Ballkanit në përgjithësi.

Karakteri i tij
Ismail Qemali është njëri nga politikanët me prejardhje shqiptare më të suksesshëm në Perandorinë Otomane, dhe kur thuhet kështu, mendohet në karrierën e tij të gjatë politike e shtetare dhe në ndikimin e tij të madh. Ai i kishte tri parakushte për sukses politik e shtetëror: e para, kishte prejardhje fisnike – çka shikohej shumë në atë kohë; e dyta, ishte aq i pashëm e përshtypjelënës në mesin e burrave të tjerë – çka nuk ishte e parëndësishme as atëherë, as më vonë; e treta, ishte aq mendjelartë sa të shquhej fort mes të shquarve – çka çmohet shumë gjithmonë.

Cilësitë me të cilat e kishte dhuruar natyra apo ishte pajisur gjatë jetës e punës, më parë se ç’kundërshtoheshin, krijonin baraspeshë në personalitetin e tij. Ai ishte modest dhe i dinjitetshëm, i vendosur dhe zemërgjerë, i guximshëm dhe i matur, gojëtar e largpamës. Gjykimi i tij i qartë, sjellja e tij e avashtë dhe shija e tij e sigurt e bënin sipëror dhe magjepsës personalitetin e tij. Me veprimin e tij të njësuar, ai ishte zotëruesi i situatave dhe, siç është thënë bukur për të, zotëria i kohës.
Në pozitë të lartë a pa të, i pasur a i varfëruar, i adhuruar a i shpërfillur, i mbrojtur a i dënuar, në Atdhe a në mërgim, ai ishte kudo e kurdo Ismail Qemal Vlora.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Karriera e tij
Në sajë të cilësive të sipërthëna, Ismail Qemali do të arrijë të bëhet denjëtar i lartë në Perandorinë Otomane.

Por, në sajë të cilësive të sipërthëna, Ismail Qemali do të arrijë të bëhet prijës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, themelues i shtetit shqiptar dhe kryeministër i Shqipërisë – të gjitha këto aty ku, zakonisht, zogoritë e mediokriteteve ndiejnë kënaqësi të madhe në përmbysjen e gjenive!

Gjatë, gati gjysmëshekulli të veprimtarisë politike e shtetare në Perandorinë Otomane, ai do të arrijë të jetë sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, por edhe i caktuar ministër i Jashtëm, ministër i Punëve të Brendshme a i Drejtësisë; prijës a pjesëmarrës në misione të ndryshme politike e diplomatike të Perandorisë në vende të Evropës; Kryetar i Komisionit Evropian të Danubit; këshilltar a sekretar i kryeqeveritarëve në vilajete; prefekt në qytete të mëdha a kryeqeveritar në krahina të mëdha të Perandorisë; kryetar i Dhomës së Deputetëve, por nuk e pranonte titullin pasha sepse e shihte si diçka të tejkaluar. Njohja e gjendjes politike e shoqërore dhe përvoja e madhe shtetare do ta bëjnë disa herë të përzgjedhurin e sulltanit për reforma shtetërore. Cilësitë e larttheksuara do ta bëjnë, njëkohësisht, edhe të dyshimtin a të dënuarin e sulltanit, para të cilit ai do të ketë guximin t’i shfaqë shpengueshëm mendimet. Domethënë: cilësitë që do ta bëjnë të mundshme karrierën e tij, do të bëhen edhe shkaku i smirës, që do të zgjojë te politikanë e diplomatë dhe i përndjekjeve që do të pësojë, duke qenë i çuar në mërgim, i privuar pasurie dhe i dënuar me vdekje.

Besimi i tij politik
Të dhënat që dihen për jetën dhe veprimtarinë politike e shtetare të Ismail Qemalit, kujtimet e tij dhe kujtimet e të tjerëve për të e kallëzojnë njeri me formim të gjithanshëm dhe me kulturë të gjerë, çfarë ishin shumica e intelektualëve shqiptarë të Rilindjes Kombëtare. Në mendjen e tij kishte vend për të gjitha kulturat, kurse në zemrën e tij vend për të gjitha racat, të gjitha kombësitë dhe të gjitha besimet.

Megjithëse atdhetar i përkushtuar dhe krijues i shtetit shqiptar, ai kurrë nuk do t’i keqpërdorë ndjenjat kombëtare për qëllime politike.
Megjithëse mysliman për nga besimi, ai do të kalojë jetë të lumtur me gruan e besimit të krishterë dhe të kombësisë tjetër.

Megjithëse politikan e diplomat në një Perandori në të cilën sundonte despotizmi oriental, me bindje e me sjellje ai ishte demokrat liberal. Marrëveshja ishte mjeti i tij politik, toleranca ishte mënyra e sjelljes së tij, humanizmi ishte etika e tij, liberalizmi ishte koncepti i tij për shtetin dhe shoqërinë.

Ai mbron të drejtat e njeriut në një kohë kur nuk kishte mbrojtje të tyre të ligjësuar dhe në kushte në të cilat aq shumë shkeleshin ato më shumë vende në botë.

Ai punon për lirimin e çerkezëve që trajtoheshin skllevër; ai merret me vendosjen në Perandorinë Otomane të hebrenjve të dëbuar dhunshëm nga Rusia. Kudo është i caktuar për qeveritar në Perandori, Ismail Qemali bën përpjekje të asnjanësojë pasojat e sundimit despotik dhe të ushtrojë pushtetin si pushtet të ndërgjegjes.

Liberalizmi i Ismail Qemalit ka më shumë se një burim. Burimi i parë është shkollimi i tij. Në gjimnazin e njohur Zosimea të Janinës ai do të mësohet “të jetojë – si thotë vetë – në frymën e lirive të botës së vjetër greke” dhe do të përvetësojë ide liberale të Volterit, Rusos e Lokut.

Burimi i dytë janë njohuritë që kishte për Evropën Perëndimore. Ai qëndron shpesh, më shkurtër a më gjatë, në Angli, në Francë e në Itali, ku njeh organizimin shtetëror, sistemin ekonomik, filozofinë politike, qytetërimin e tyre.

Burimi i tretë i liberalizmit të Ismail Qemalit është kultura e tij politike dhe historike. Ai e di se vetëm shtetet demokratike janë shtete historikisht të qëndrueshme. Ai thekson se shovinizmi shtetëror, politik, kombëtar dhe fetar është varrtar i shteteve. Ai thekson se “çdo perandori që është krijuar me shpatë në të njëjtën kohë ka mbjellë edhe farën e shkatërrimit të vet”. Për këtë arsye, për rregullimin shtetëror ai e çmon “forcën morale më të fuqishme se forcën e armatosur” por, natyrisht, forcën morale të mbështetur në ligje demokratike.

Vepra e tij historike
Me bindje të tilla, liberale, të cilat ishin bërë shkaku i përndjekjes së tij, Ismail Qemali do të hyjë në Lëvizjen Kombëtare për krijimin e shtetit shqiptar. Por, bindjet që kishte dhe cilësitë me të cilat shquhej do ta bëjnë shpejt prijësin e kësaj Lëvizjeje. Si edhe ideologët e Rilindjes Kombëtare përpara tij, që kishin vdekur në mërgim, një kohë edhe ai do të mendojë për zgjidhjen e çështjes kombëtare përmes autonomisë në gjirin e Perandorisë Otomane, por të Perandorisë së shqendërzuar në federatë të kombeve. Do të mendojë kështu sepse e dinte se disa nga fuqitë e mëdha, e, sidomos, Britania e Madhe, ishin të interesuara që kjo perandori të mbahej si një nga faktorët për mbajtjen e baraspeshës së tyre. Evropa, ndërkaq, po i afrohej luftës botërore, kurse tronditjeve që do të sjellë ajo po u afrohej edhe Perandoria Otomane. Kur do të bindet se kjo Perandori po përmbysej dhe se me përmbysjen e saj mund të përmbysej edhe shpresa e shqiptarëve për krijimin e shtetit të vet, kur do të bindet se fqinjët ballkanikë me luftë do t’i copëtonin tokat shqiptare, domethënë kur do të bindet se çasti historik për veprim të vendosur historik kishte ardhur, Ismail Qemali do të zëvendësojë idenë e autonomisë me idenë e pavarësisë së Shqipërisë. Njëkohësisht ai do të ndryshojë edhe idenë për mjetet që do të duhej të përdoreshin për sendërtimin e asaj pavarësie: në vend të luftës politike – si i vetmi mjet, ai tani do të kërkojë luftë të armatosur – si mjet kryesor. Rrjedhimisht, veprimtaria e tij përqendrohet: e para, në bashkimin e të gjitha forcave mendore, morale e vepruese kombëtare për atë luftë dhe, e dyta, në sigurimin e mirëkuptimit të Fuqive të Mëdha për kërkesën shqiptare. Sikundër shihet, formulës së tij politike gjithnjë realiste, Ismail Qemali tani do t’ia shtojë edhe përbërësin idealist. Gjeniu i tij politik e çmon se ajo më e dëshiruara, ajo e mundshmja, tani ka mundësinë të bëhet e sendërtueshme. Dhe, më 28 nëntor 1912 ai mbledh në Vlorë Kuvendin Kombëtar, i cili shpall pavarësinë e Shqipërisë, i cili zgjedh Qeverinë e Përkohshme dhe i cili e zgjedh Atë, Ismail Qemalin, kryeministër të saj.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Ky ishte shtet ende pa kufij, pa forca të rendit, pa ushtri, pa administratë kombëtare, pa ekonomi, pa financa – shtet pa kushte shteti. Por, ky shtet i porsalindur, megjithatë, kishte dinjitetin politik, juridik dhe moral të shtetit: institucionet e tij shtetformuese – Kuvendi dhe Qeveria, ishin sovrane në një pjesë, sado e vogël qoftë ajo atëherë, të Shqipërisë së ardhshme. Qeveria e Përkohshme, me në krye Ismail Qemalin, liberalin që ishte i bindur se virtytet shpirtërore duhet të jenë arma kryesore e saj, do të bëjë çmos që Shqipëria të shtrihej deri atje deri ku ishin kufijtë e saj etnikë dhe që të jetë, vërtet, e pavarur dhe e qëndrueshme. “Për fat të keq – do të shkruajë Ismail Qemali më vonë në Kujtimet e tij – ashtu si ndjek njerëzit e veçuar, Fati ndjek dhe popujt”.

Dëshpërimi i tij
Atë ditë të madhe, më 28 nëntor, kur fillon jeta e Shqipërisë së pavarur, atë ditë fillon edhe ecja e saj, e krijuesit të saj dhe e popullit të saj nëpër mundime. Shqipërisë do t’i shkaktohen të këqija, cenime, peripeci, prej fqinjëve ballkanikë, prej disa fuqive të mëdha evropiane, prej klasës së vet politike, prej trashtinës njerëzore. Luftërat Ballkanike dhe, menjëherë në vazhdim të tyre, Lufta Botërore, në të cilën për interesa të kundërta të Fuqive të Mëdha e të të mbrojturve të tyre të vegjël do të derdhet aq shumë gjak, do të shtojnë numrin e shkaktarëve të peripecive të Shqipërisë e të tragjedive të shqiptarëve. Konferenca e Ambasadorëve në Londër do t’i sjellë dëshpërim të madh popullit shqiptar dhe Ismail Qemalit. Jashtë kufijve të Shqipërisë ajo do të lërë më shumë se gjysmën e trojeve shqiptare dhe më shumë se gjysmën e popullit shqiptar! Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë do t’u jepen fushat më pjellore, burime të lumenjve, qytete të zhvilluara shqiptare! Se ç’përmasa ka papërgjegjësia historike e Fuqive të Mëdha në këtë Konferencë shihet në rastin e Kosovës e të Maqedonisë: ato do t’i jepen Serbisë edhe pse numri i serbëve që jetonin aty ishte gati i padukshëm!

Serbia i vazhdon përpjekjet për të dalë në det përmes Shqipërisë dhe një kohë e mban të pushtuar një pjesë të saj! Mali i Zi bën çmos të rikthejë Shkodrën dhe gjithë Ultinën e saj.

Greqia pushton pjesën jugore të Shqipërisë dhe nuk heq dorë prej synimeve për përshtrirje sa më lart në veri! Italia bën politikën e pushtimit të Vlorës e të Sazanit dhe të vënies së Shqipërisë nën protektoratin e saj!

Rusia e Franca, madje edhe Britania e Madhe, shteti – shpresë i Ismail Qemalit, shikojnë si ta bëjnë Serbinë sa më të madhe, kurse Franca nuk do të ngurrojë ta shpërblejë Greqinë me qytete shqiptare, si, fjala vjen, me Korçën!

Esat Pashë Toptani krijon kundërqeveri në Durrës, zhvillon fushatë të hapur me shpifje djallëzore kundër Ismail Qemalit dhe vihet në shërbim të Serbisë!

Anarkia e brendshme, që shfaqet gjithmonë e gjithkund pas rënies së sundimeve të gjata të dhunshme, varfëria, analfabetizmi i shtrirë dhe zia e bukës bëhen, po ashtu, rrezik për Shqipërinë dhe për qeverisjen e saj!
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Fati i Shqipërisë dhe i Babait të saj ishin bërë Njësh.
I gjetur nën trysninë e Fuqive të Mëdha për arsye se donte të ishte subjekt e jo objekt i historisë, i braktisur nga bashkëpunëtorët arrivistë, i pa kuptuar nga një pjesë e madhe e bashkëkombësve, i shpërfolur e i akuzuar rrejshëm nga intrigantë, i lodhur nga mosha, i pushtuar nga një mosbesim për mundësinë e ndryshimit të shpejtë të gjendjes, Ismail Qemali më në fund lë Shqipërinë dhe rishtazi merr rrugën e mërgimit. Pesha mbi krahët e tij kishte qenë shumë e rëndë dhe ai nuk kishte mundur ta çonte më tutje. Si njeri që nuk dorëzohej lehtë ai, megjithatë, do ta vazhdojë luftën për Shqipërinë atje ku e kishte filluar: në qendrat politike evropiane. Kjo luftë tani nuk do të zgjasë shumë: perdja në fund të Dramës së tij jetësore do të bjerë më 26 janar 1919. Shqipëria me kufij të caktuar në Konferencën e Londrës më 1913 do të mbahet, por perdja në fund të dramës shqiptare nuk do të bjerë aq shpejt. Kjo dramë do të vazhdojë të luhet gjatë gjithë shekullit njëzet e, në kushte të tjera e në mënyra të tjera, me mundësi e me shpresa të tjera, vazhdon diku diku të luhet edhe sot në fatin historik të shqiptarëve.

Nuk jam profet që ta di edhe sa kohë do të luhet kjo dramë. Shqiptarët kanë shumë arsye që t’u jenë mirënjohës përgjithmonë SHBA-ve dhe BE-së për të gjitha ato që kanë bërë për të ndalë dhunën shfarosëse serbe kundër tyre në Kosovë në vitin 1999 dhe për të gjitha ato që vazhdojnë t’i bëjnë për mbrojtjen e paqes në Kosovë. Por, nuk mund të mos thuhet se regjisorët e tragjedisë historike shqiptare në Kongresin e Berlinit (1878), në Konferencën e Londrës (1913) dhe në Konferencën e Paqes në Paris (1919) – shtetet e mëdha evropiane, po e dëgjojnë të mrrolura edhe sot jehonën e çështjes shqiptare ende të pazgjidhur përfundimisht, domethënë historikisht. Megjithëse për të janë shumë më të vëmendshme sesa paraardhëset e tyre para gati një shekulli, zgjidhjen e saj vazhdojnë ta lënë ende të pakryer para së gjithash duke e kundërshtuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë! E çështjet si kjo për të cilën është fjala këtu, kur lihen përgjysmë të zgjidhura, lënë mundësi për tendosje e konflikte.
Por ta përfundoj këtë fjalë.

Shembulli i tij
Emri i Ismail Qemalit në historinë e popullit shqiptar mbetet përgjithmonë i shënuar si shtetari, që themeloi Shqipërinë; si demokrati liberal, që e filloi qeverisjen demokratike në jetën kombëtare dhe si njeriu, që dhuntinë e tij politike e përdori në mënyrat më të denja për punët më të rëndësishme – domethënë mbetet i shënuar si personaliteti, që ka kryer mision prijës e parathënës në këtë histori. Është e kuptueshme pse pikërisht populli, njerëzit e thjeshtë me të cilët është përnjësuar ai, e kanë vlerësuar aq bukur këtë mision kur e kanë kënduar në vargjet:

Unë jam Smail Qemali
Pas meje vjen historia.

Lavdia e pa kaluar politike e shtetare meritohet edhe në sajë të dhuntive e virtyteve që e shquanin Ismail Qemalin: në sajë të kulturës çfarë e kishte Ai; në sajë të forcës morale, me të cilën i duronte tundimet e fatkeqësitë Ai; në sajë të ndershmërisë me të cilën shquhej Ai; dhe në sajë të sakrificave që për Atdheun e vet i bënte Ai.

Ai, i cili, si rilindësit e tjerë të mëdhenj, të gjitha pasuritë e veta lëndore, mendore, shpirtërore, ia dhuroi popullit të vet
Ai – Ismail Qemal Vlora – shembulli i madh i njeriut, i politikanit dhe i shtetarit në historinë e popullit shqiptar. MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress