Izraeli ka nisur të administrojë vaksinën e Pfizer-BionTech ndaj Covid-19 për 5-11 vjeçarët, me shpresën se do të mposhtë rritjen e fundit të infeksioneve. Një valë e katërt e pandemisë që goditi Izraelin në Qershor, u tërhoq gjatë Shtatorit. Megjithatë, në javët e fundit, norma “R” apo e riprodhimit të virusit, që kishte qëndruar poshtë 1 për 2 muajt e fundit, ka nisur të rritet dhe tashmë e ka kaluar atë kufi, çka tregon se virusi mund të përhapet përsëri në mënyrë eksponenciale.

Rastet ditore janë rritur gjithashtu në kohët e fundit, me gjysmën e infeksioneve të konfirmuara që janë shfaqur tek fëmijët në moshë 11-vjeç e poshtë. Popullsia prej 9.4 milionë e Izraelit është relativisht e re, me rreth 1.2 milionë fëmijë në grupmoshën 5-11 vjeç. Deri në Nëntor, ai grup përbënte për mbi 1/3 e rasteve të reja, sipas ministrisë së Shëndetësisë. Shkencëtarët dhe autoritetet kanë qenë dyshues mbi arritjen e imunitetit në tufë, nëse fëmijët nuk vaksinohen. Megjithatë, politikëbërësit thonë se vaksinimi i fëmijëve ka për qëllim fillestar mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe jo vetëm të ndalojë transmetimin e virusit.

Në javën e fundit, autoritetet kanë thënë se pavarësisht se Covid-19 është rrallë herë i ashpër tek fëmijët dhe shumica nuk tregojnë simptoma fare, sëmundja mund të bart rreziqe shëndetësore në afat-gjatë. Ministria e Shëndetësisë në Izrael vlerëson se 1 në 3,500 fëmijë të infektuar me koronavirus, do të zhvillojnë më vonë Sindromën Inflamatore Multisistemike të fëmijëve (MIS-C), ku pjesë të trupit pësojnë inflamacion, përfshirë zemrën, mushkëritë, veshkat, trurin, lëkurën dhe organet gastrointestinale.

Shumica e fëmijëve që vuajnë nga kjo gjendje kërkojnë trajtim në njësi intensive dhe 1-2% vdesin. Autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu rreziqet e simptomave të vazhdueshme, si ndërprerja e gjumit, dhimbje e muskujve, humbje e shijes dhe nuhatjes, dhimbje koke dhe kollë, që njihet gjerësisht si “Covid i gjatë”.