Këtë të mërkurë që shkoi, KQZ i certifikoi zgjedhjet për të dytën herë, pas ankesave që kishin në PZAP parti të caktuar politike, pasi sipas tyre kishte parregullësi në proces.

Në certifikimin e parë, Nisma nuk e kaloi pragun, mirëpo kjo nuk ndodhi herën e dytë, ku për një numër shumë të vogël votash, ajo arriti të fus 6 deputetë në Kuvend, në koalicion me AKR-në dhe PD-në.

Me hyrjen e tyre në Kuvend, Vetëvendosja ka 29 deputetë, ndërsa LDK-ja 28, që së bashku bëjnë 57 deputetë.

Mirëpo kjo nuk i ndal ata që të formojnë qeverinë e re.

Lideri i VV-së që pritet të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar para disa ditësh se një deputet i partisë egjiptiane të Kosovës, i vetmi që ka arritur të futet në Kuvend, ka kaluar në radhët e Vetëvendosjes, që i bie se Vetëvendosja ka gjithsej 30 deputetë.

Ndërsa lajmin e mirë, Kurti e dha para një javë, ku konfirmoi se 3 deputetë të ardhshëm të Kuvendit nga pakicat joserbe, i kanë garantuar Kurtit 3 votat e tyre që mjaftojnë për ta formuar qeverinë e re.

Pra, 29 deputetë Vetëvendosja, plus deputeti egjiptian që iu bashkua partisë së Kurtit, e gjithashtu edhe 3 deputetët e partive joserbe, arrijnë në 33 deputetë.

Në anën tjetër, 28 deputetët e LDK-së e plotësojnë numrin për aq sa duhet për qeverinë e re, pra në total 61 deputetë.