Ja sesi e pershkruan luftën e çetës së vet luftëtari, patrioti dhe shkrimtari ynë, Mihal Grameno:

”Të martën, duke e gdhirë e mërkurë, më 5 mars 1908, Çerçiz Topulli brof në këmbë dhe lëshon atë shprehjen tashmë të bërë legjendë: “O burrani, shokë, se na rrethoi ushtria!”’
Çeta braktis me të shpejtë shtëpinë dhe lëshohet në një përrua për të dalë deri te një haur i braktisur, ku zë pozicione. Në momentet e ikjes, një plumb e lëshon përdhe pa jetë Hajredin Tremishtin, një nga më të rinjtë e çetës. Çeta mbeti kështu me pesë vetë. Përballë kishin 150 ushtarë (sipas Gramenos). Rrethimi ka vazhduar nga ora 7 e mëngjesit deri në të ngrysur. Në mes të ushtarëve osmanë të vrarë ishte edhe kallauzi, tradhtari që i tregoi ushtrisë vendin ku strehohej çeta. “Zbathur, lakuriq, kokëjashtë, me leshrat përpjetë vërtiteshe në të gjitha anët si një komandant i madh, me pushkën në dorë dhe gjashtoren në dhëmbë duke na mburrur neve dhe duke qëlluar mbi ushtarët. Fytyra e tij, këtë ditë, ishte më e qeshur se kurdoherë, edhe jo sikur luftonte, por sikur kërcente”, kështu e kujton Çerçizin atë ditë bashkëluftëtari i tij Gramenoja.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Një “darkë mbretërore”

”Vetëm vonë, duke përfituar nga errësira e natës, çeta u vodh fshehurazi duke ecur në lumë dhe mbërriti në një çiflig të Dino Çiços, mik i Topullarëve. Këtu jetonte një “evgjit” me të shoqen. “Të uritur, iu shtruam tryezës dhe hëgrëm një tenxhere plot me fasule, të cilat ndofta evgjitërit i kishin përgatitur për një javë që ta hanin me fëmijën. Kurrë dhe kurrë do të mos e harroj, se në jetën time kurrë nuk mbaj mend që të kem ngrënë me shije kaq të madhe…”, shkruan historishkruesi i çetës.

Topulli, Grameno dhe të tjerët e vazhduan jetën e kaçakut ndër male, deri në shpalljen e Kushtetutës së 1908-s, pak kohë pas Luftës së Mashkullorës. Atëherë secili shkoi në punë të vet. “Në Selanik – i mbyll kujtimet e tij Gramenoja – ndejtëm 10 ditë, pastaj duhej të shpërndaheshim. Bajo me Çerçizin e shokët e tjerë shkuan me vapor për në Gjirokastër, ndërsa unë i mbetur si i shkretë, mora udhën për në Korçë. Lotët na derdheshin çurkë si lumë, kur u puthmë dhe u ndamë e së bashku kishim shkuar si vëllezër, afër dy vjet, nëpër malet e bukura të së dashurës Shqipëri”.

/MekuliPress.com/

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress