Kapiteni i kombëtares së kombit shqiptar, Berat Gjimshiti, u shfaq optimist në konferencën për shtyp përkrah trajnerit Sylvinho, në prag të përballjes ndaj Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës. Ai theksoi se ekipi është përgatitur mirë dhe synon vetëm fitoren në ndeshjen që do të luhet të shtunën në “Air Albania”.
Sipas Gjimshitit, fakti që lojtarët kanë pasur më shumë kohë në dispozicion pas përfundimit të kampionateve i ka ndihmuar për t’u stërvitur intensivisht së bashku. Ai vlerësoi mbështetjen e tifozëve si një element thelbësor për suksesin, duke e cilësuar atë si “tifozërinë më të bukur në botë”.
Kapiteni i Shqipërisë tha se skuadra është e fokusuar vetëm te ndeshja dhe kërkimi i tre pikëve, duke u përpjekur të shmangë ndikimin e emocioneve jashtë futbollit. Ai shtoi se suksesi do të vijë nëse lojtarët ruajnë qetësinë dhe përqendrohen te performanca e tyre në fushë.
Përballë pyetjeve për jetën e tij personale, Gjimshiti reagoi qartë duke theksuar se është i pranishëm për çështje sportive dhe nuk do të komentojë mbi aspekte të jetës private.
Deklarata e plotë:
Ekipi është përgatitur mirë. Kemi pasur më shumë kohë, kemi mbaruar kampionatin me ekipet më herët. Kemi bërë shumë stërvitje bashkë. Jemi gati për nesër. Besoj nesër do jetë si gjithmonë tifozëria më e bukur në botë për mu, si për gjithë shqiptarët. Këtë kohë që kam qenë në kombëtare ka qenë mbështetja shtesë dhe e rëndësishme.
Kisha 3-4 ditë pushim, kam folur me trajnerin Silvinjo, pashë gjyshin dhe gjyshen në vendlindje. Ishte shumë e rëndësishme ta bëja, porosia ajo që keni dëgjuar të gjithë, jemi të fokusuar te ndeshja, gjithmonë kërkojmë fitoren, kështu do jetë dhe me kundërshtarin e fortë, por jemi gjithmonë me synim fitoren e ndeshjes.
Nuk besoj do jetë shumë e vështirë. Ka gjëra emocionale që mund të ndjekin pak më shumë disa lojtarë. Nesër të fokusohemi te futbolli, kundërshtari, të vendosim fokusin te vetja jonë. Duhet të mbahemi dhe të mendojmë nesër vetëm ndeshjen dhe 3 pikë.
Mesazhi që mund të japim është vetëm në fushë me paraqitjen në fushë. Të japim dhe të lemë gjithçka në fushë, atë që kemi brenda vetes. Tifozët do duatrokasin, jemi përgatitur, kemi pasur shumë kohë të studiojmë kundërshtarin, por edhe loja jonë. Besoj jemi të përgatitur.
Vlahoviç dhe Joviç? Nuk kam folur me të tjerët, vetëm me Samardzic që e kam në stërvitje. Nuk do them këtu çfarë kemi folur. Nuk janë vetëm ato, por gjithë Serbia që ka shumë lojtarë të fortë individualë, të fokusohemi te të gjithë do jetë çelësi i suksesit nesër.
Bashkëshortja nga Serbia? Nuk kam ardhur këtu që të përgjigjem për jetën private, jam për futboll dhe këto çështje janë të futbollit, jo personale të Gjimshitit, kështu e lëmë me futboll.