Shkrimtari dhe studiuesi Ermir Nika i ftuar në News 24, tha se Ismail Kadare është sulmuar vazhdimisht dhe sipas tij, ka pasur edhe shkrimtarë të fabrikuar që e kanë sulmuar atë.
“E mendoj fort që nuk janë spontane sulmet ndaj Kadaresë dhe e tha vetë që ishin të njëjtit njerëz me emra të ndryshëm që bënin denoncime. Një pjesë e mirë e atyre që e kritikojnë nuk e njohin. Ka studime të mirëfillta siç është edhe botimi juaj, që do të jenë një peshë e rëndë që do ta shtypin këtë lloj shtrese. Të mos i vij keq askujt kur nesër të dalë një vëllim tjetër, Kadare i sulmuar. Sulmet kanë qenë të ashpra.
Janë fabrikuar edhe shkrimtarë vetëm për t’iu kundërvënë Ismail Kadaresë. Njëri nuk jeton më, urrente gjithë shkrimtarët e letërsisë shqipe. U fabrikua si një vlerë e madhe, financuar dhe botuar jashtë. Kemi autorë të tjerë që ikën nga Shqipëria, punuan në katedrat e Perëndimit dhe nuk krijuan dot lexues. Nuk e krijuan dot kthesën dhe vëmendjen. Ajo ndodhi në Shqipëri me emra të mëdhenj. Kadareja veprat më të mira i ka para vitit ’90”, tha ai.