Ismail Kadare në librin e tij për Migjenin, shpalos në mënyrë intime gjithë mendësinë shqiptare të asaj kohe përmes vet fjalëve të Migjenit. Bëhet fjalë për 25 vitet pas pavarësisë së Shqipërisë, ku vendi ende nuk ishte ‘pjekur’ në asnjë aspekt të jetës ndërsa vetëlëvdatat nuk pushonin. Këtij populli po i mungonte një vetëdijësim për vlerësimin e situatës pa ngjyrime dhe shtrembërime, ashtu siç do të bëhet vetëm me ardhjen e Migjenit; ku vetëkritika e tij në letërsi gjendet në çdo rresht apo varg të tij. Këtu më poshtë do paraqesim një pjesë të librit të Kadaresë “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe” që e bën këtë zbërthim gjenial:

—–

Përballë euforisë dhe vetëlëvdatave prej të cilave po i merrej fryma artit shqiptar, Migjeni dhe shkrimtarë të tjerë të kohës i parashtruan botes shqiptare një vizion të ri: sensin vetëkritik.

Nuk ishte e lehtë që një vendi ballkanik, me një histori aq dramatike, t’i propozoje një sens të tillë. Ai sens do të ishte shenjë e sigurt e emancipimit të mëtejshëm, shenjë pjekurie dhe kulture e kombit.

Edhe më parë në letërsinë shqipe ishte dukur aty-këtu ky sens, por ai kishte qenë i rrallë. Kurse tani ai ndihej përherë e më shpesh e me përmasa të mëdha, si te vjersha e famshme e Nolit «Moisiu në mal» ku parashkrimi i zymtë i Jehovajt:

“Skllevër, bij skllevërish s’e meritoni
se liri s’doni”

shpallte fajin kolektiv të popujve për gjendjen e tyre.

Qortimet, qoftë edhe shfrimet dëshpëruese si ky i Nolit, nuk kishin gjë të përbashkët me përçmimin cinik. Ato ishin gjithë dhembje, ngaqë ishin të gatuar prej saj.

“Në vendin tonë
Kudo valojnë
flamujt e një melankolie
të trishtueshme…
…dhe askush s’mund të thotë
se këtu rron
një popull që ndërton
diçka të re.”

Është vjersha «Nën flamujt e melankolisë», një tablo antifestive e pakompromis dhe që s’kursen askënd me të cilën mbyllet libri «Vargjet e lira» i Migjenit. Vjersha u shkrua në prag të festimeve të 25-vjetorit të pavarësisë së vendit, jubile që mbreti Zog po e shfrytëzonte për reklamimin dhe përjetësimin e dinastisë së tij. Në sfond të flamurëve të festës Migjeni ka ngritur flamurët e vet të përzishëm.

Koha nuk ishte për festë. Shqipëria ishte në terr e mjerim. Mjerimi i saj ishte ulëritës, i padurueshëm, «kafshatë që s’kapërdihet», siç e quajti ai në vargun e parë të «Poemës së mjerimit». Përballë këtij mjerimi ekonomik e moral, të gjitha himnet, kapardisjet, mburrjet për «fisnikërinë e racës» etj., tingëllonin si një farsë makabre.

Populli, i shpallur dikur si një ndër më fisnikët e Evropës, pasardhësi i ilirëve, madje sipas disave i pellazgëve mitikë (e origjinën pellazgjike nga ajo hyjnore nuk e ndanin veçse dy hapa!), ky popull i zgjedhur, pra, i ngjante tani një armate të rreckosur të dal nga një makth.

Sytë e tij janë prapë të veshur e të turbullt, por jo nga robëria, nga tjetër gjë: nga keqkuptimi i gjërave. E Migjeni dëshiron ta zgjojë nga ëndrra e mbrapshtë. Kështu titullohet edhe një nga vjershat më të shquara të tij «Zgjimi». Por «zgjimi», një nga formulat poetike kryesore të Rilindjes, te Migjeni ka kuptim të ri, madje në njëfarë mënyre të kundërt me atë të tyre. Zgjohu, të kuptosh se sa i fisëm je, këndonin ata, kurse thirrja e Migjenit ishte e ndryshme: zgjohu që ta kuptosh se sa i mjerë je.

Sfida e Migjenit s’ka të bëjë vetëm me institucionet gjysmëqesharake të regjimit, të cilat s’ishte fort e vështirë të ironizoheshin, sfida shkonte më thellë, kishte të bënte me «malin që s’bëzan», pra me krejt mendësinë shqiptare, me idolet, kanunet, mitet, komplekset e paragjykimet të shtresuara shekull pas shekulli e të kthyera tashmë në një lëvozhgë të ngurtësuar mbi të cilën mund të thyenin kohën idetë përparimtare dhe të gjitha formulat e reja që mund t’i parashtroheshin këtij vendi prej mendjeve më të emancipuara të tij.

“O si nuk e kam një grusht të fortë
ti bij mu në zemër malit që s’bëzan”

Kështu shkruante Migjeni në vjershën «Recital i malësorit» që është në radhë të parë recital i tij.

Ç’të bëjë një poet kundër një «mali që s’bëzan?» Dhjetë vjet më parë Noli e kishte përmbysur shtetin tiranik. Por «mali që s’bëzan» ishte më i fortë se çdo shtet.

Ashtu sikurse «zgjimi», në poetiken shqiptare «malet» kishin qenë një nga formulat ma sublime. Ata ishin simbol i qëndresës, i pastërtisë, i mosdhunimit, i ruajtjes së gjuhës, zakoneve, i vetmisë krenare. Por në kushtet e pavarësisë, pra, në kohen që shoqëria shqiptare s’priste ndonjë gjë prej maleve, ato s’ishin veçse simboli i ngrirjes e i prapambetjes. Nuk ishte e rastit që tradicionalistët qenë kapur me thonj e më dhëmb pas kreshtave të tyre. Ora e Maleve, Komiteti i Maleve, Lahuta e Malcisë. Me dhjetra ishin vjershat, gazetat, shoqatat që vazhdonin të himnizonin malet, në kohen që Migjeni, fare i vetmuar midis këtij kori, lëshonte një thirrje të re.

“Mali hesht dhe në heshtje qesh”
“e unë vuej e në vuejtje vdes.”

/MekuliPress.com/