Në një opinion të botuar në gazetën “Kathimerini”, Stavros Tzimas, që shkruan shpesh për marrëdhëniet greko-shqiptare, vë në dukje se me afrimin e ditës së gjykimit për Fredi Belerin, pakicës greke në Shqipëri i mbeten dy rrugë: të gjejë një kandidat tjetër ose të bojkotojë. Në rastin e parë, Tsimas shkruan se djali i Belerit, që së fundmi është shfaqur në media, mund të jetë një kandidaturë, çka do ta shndërronte Himarën në një bastion politik dhe elektoral.

Nga ana tjetër, Tsimas duket se nuk ka ndonjë informacion të shtuar sepse disa qarqe në Perëndim mbështesin Edi Ramën në ballafaqime të tilla, në kushtet kur është e qartë se për rastin e Himarës ka një manipulim të hapur. Autori grek shkruan se një arsye është statusi që i ka dhënë vetes Edi Rama si interlokutor për botën shqiptare dhe rolin qetësues që ai ka në Kosovë, diçka që nuk i përgjigjet realitetit sepse me krizën e fundit në Kosovë ne pamë se atë nuk e pyeti kush në Prishtinë. Madje ajo krizë ishte inaugurimi I shtetësisë së Kosovës përkundrejt marrëdhënieve emocionale me Shqipërinë.

Një arsye që ndikon në këtë qëndrim është padyshim fakti se minoritetet që dikur kanë qenë në krye të axhendës së Europës dhe Perëndimit kur vjen puna për të drejtat e njeriut, kanë humbur rëndësinë e tyre. Edhe zhurma për Asocacionin në Kosovë, nuk udhëhiqet nga shqetësimi për të drejtat, por nga konsideratat për sigurinë në rajon, nisur nga perceptimi se Serbia ka potencial të lartë destabilizimi.

Kështu që së bashku me forcën e Greqisë që nuk është ajo që ka qenë, situata e Himarës kalon sot si një episod elektoral që nuk konsideron shqetësimet e palës greke. E parë në prizmin formal të një qytetari shqiptar, do të duhet të ishim të gëzuar për mbështetjen që ka kryeministri i Shqipërisë, një palaço cirku kudo që vete. Mirëpo me mbështetjen gati të pakufizuar që i jepet atij, çdo sens opozitarizmi në këtë vend dekurajohet. Dhe dekurajohet sepse ne jemi një shoqëri që e kemi edukatën politike të deformuar: presim të tjerët të na japin sinjalin.

Ndaj fitorja e palaços që dirigjon në rastin Beleri nuk është fitore për Shqipërinë. Është fitore për ndërtuesit e këtij vendi. Dhe është e dukshme se BE-ja megjithë spektaklin që i ka ofruar zotit Rama, po humbet kredencialet e veta në çdo drejtim. Pas bëri Komisarin politik për 30 vjet, befas devijon dhe i jep firmën një njeriu që zhbëri çdo gjë normale në këtë vend.

s.zaimi