Sulmet e ashpra izraelite, të cilat filluan më 8 maj, u përshkallëzuan sot. Një natë e vështirë për palestinezët, ndërkohë që pasuan reagime të shumta nga e gjithë bota.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u bëri thirrje të gjitha shteteve të reagojnë, duke thënë se Turqia gjithmonë do të mbështesë çështjen palestineze, të jetë me vëllezërit palestinezë dhe të mbrojë dinjitetin e Al-Kuds-it.

Drejtoria e Komunikimit në zyrën e presidentit turk tha se Erdogan kishte bisedime të ndara sot me Presidentin palestinez Mahmoud Abbas dhe udhëheqësin politik të Hamasit Ismail Haniyeh.

Gjatë këtyre bisedave telefonike me udhëheqësit palestinezë, Erdogan dënoi ashpër sulmet izraelite ndaj palestinezëve dhe ndaj kompleksit Al-Aqsa në Al-Kuds, duke i cilësuar ato si terrorizëm.

“Ne do të bëjmë gjithçka që e gjithë bota, e udhëhequr nga vendet muslimane, të dalë kundër terrorit dhe okupimit të kryer nga Izraeli,” tha Erdogan.

Por SHBA e sheh ndryshe. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se sulmet me raketa nga grupe të armatosura palestineze në Rripin e Gazës mbi Izraelin ishin një “përshkallëzim i papranueshëm” i dhunës.

Price e tha këtë në një konferencë të rregullt për shtyp, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara janë “plotësisht të angazhuara” në promovimin e një ulje të tensioneve në Jeruzalem.

Më herët, Presidenti i SHBA Joe Biden shprehu shqetësim rreth rritjes së tensioneve në Izrael.

“Ne vazhdojmë të monitorojmë nga afër dhunën në Izrael. Ne kemi shqetësime serioze në lidhje me situatën, përfshirë konfliktet e dhunshme që kemi parë ditët e fundit,” tha zëdhënësja Psaki.

Këshilli i Sigurimit i KB zhvilloi një takim urgjent mbi dhunën në Jeruzalem, por takimi përfundoi pa një marrëveshje mbi një deklaratë të përbashkët, pasi Shtetet e Bashkuara vlerësuan se “mesazhi publik nuk është i përshtatshëm në këtë fazë”, thanë burimet diplomatike.

Teksti i parë i propozuar nga Tunizia dhe Kina bën thirrje që Izraeli të pezullojë aktivitetet e kolonizimit, prishjes dhe dëbimit të palestinezëve, përfshirë në pjesën lindore të Jeruzalemit.

Këshilli i Sigurimit i KB në tekst shpreh shqetësim të madh për tensionet në rritje dhe dhunën në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor, ku disa qindra njerëz u plagosën gjatë konfliktit sot.

Burimet diplomatike deklaruan se Shtetet e Bashkuara shpjeguan se ata “po vepronin prapa skenave” në mënyrë që të qetësonin situatën dhe se në këtë “fazë” deklarata e KB nuk mund të ndihmonte.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, u bëri thirrje të gjitha palëve të respektojnë status quo-në në vendet e shenjta në Jeruzalem.

“Ne jemi thellësisht të brengosur për konfliktet dhe dhunën e fundit, përfshirë këtë mëngjes. Unë u bëj thirrje të gjitha palëve të respektojnë status quo-në në vendet e shenjta,” tha Borrell në një konferencë shtypi pas takimit me ministrat e jashtëm të BE.

Borrell përsëriti gjithashtu deklaratat e mëparshme nga blloku duke dënuar dëbimin e familjeve palestineze nga vendbanimi Sheikh Jarrah dhe zona të tjera të Jeruzalemit Lindor të okupuar.

Ai theksoi se këto veprime janë “një çështje shqetësuese serioze” për BE, pasi ato janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe “vetëm nxisin tensione në terren”.

“Eshtë e rëndësishme të bëjmë gjithçka që është e mundur për të shmangur nxitjen e tensioneve,” tha Borrell, duke përshëndetur vendimin e autoriteteve izraelite për të ndaluar besimtarët hebrenj nga qasja në sit si “pozitive që mund të qetësojë situatën”.