Një raport i brendshëm i Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE), që tashmë i ka shkuar edhe Zyrës së Kryeministrit, shpalos detaje për një kontratë tjetër të madhe të nënshkruar nga ish-ministrja Dhurata Hoxha në vitin 2019.

Në mesin dy kontratave të mëdha për lobim që u nënshkruan nga Dhurata Hoxha, sa ishte në krye të Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE), është edhe ajo me kompaninë franceze “MAJORELLE PR & Event”.

Një dokument i brendshëm i MIE-së, të cilin e ka siguruar Buletini Ekonomik, tregon sesi kjo kompani u pagua 168 mijë euro për disa shërbime fare të thjeshta.

Aktiviteti kryesor i saj ishte që ta njoftonte ministrinë në baza mujore lidhur me atë se çfarë shkruanin mediat franceze për Kosovën.

Nga raportimet e këtij operatori ekonomik për shërbimet e kryera në emër të MIE dhe natyrën e shërbimeve, dalin dyshime mbase të bazuara se a i’a ka vlejtë të paguhen 28,000.00 euro në muaj për shërbime të tilla (si p.sh. përcjellja e shtypit francez etj; se a e kanë përmendur ose jo Kosovën, etj;), gjë e cila do mund të bëhej edhe nga Kosova, me një kërkim të thjeshtë duke shkruar fjalën “Kosova” bashkë me datën përkatëse në google”, thuhet në këtë raport, që tashmë i ka shkuar edhe Zyrës së Kryeministrit.

Raporti është përgatitur pas ardhjes së Blerim Rekës në krye të Ministrisë së Integrimit Evropian.

Si aktivitet tjetër në raport përmendet “lobimi” i kompanisë për të sjellë në Kosovë gazetarë të huaj për përcjelljen e “Sunny Hill Festival” apo “Dokufest-in”.

“Madje s’kishin arritur të gjejnë interesim të duhur të mediave franceze; ndonëse për këto ngjarje në Kosovë kishin ardhur media nga e tërë bota, sidomos për t’a përcjelluar artisten Dua Lipa në “Sunny Hill Festival”, e të ngjashme. Tërë ky “aktivitet” i kompanisë lobuese franceze duket më tepër si një tallje dhe nënҫmim ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në raport.

Kjo është kontrata e dytë e kësaj ministrie qe ka për qëllim aktivitetet lobuese.

Një tjetër kontratë ishte nënshkruar po në vitin 2019, me kompaninë amerikane “Madison Global Strategies”.

Edhe në këtë rast, u konstatuan parregullsi në zbatim, derisa kompania në fjalë ka paralajmëruar edhe arbitrazh për Kosovën, me një pretendim prej 513 mijë euro.

Detajet e kontratës

Kjo kontratë 13 – faqëshe, nga MIE-ja është nënshkruar më datën 28.03.2019 nga Kushtrim Cukaj, Sekretar i Përgjithshëm i MIE-së, nga ish-ministrja e MIE-së, Dhurata Hoxha dhe nga Fitim Mustafa, Zyrtar përgjegjës i Prokurimit në MIE, ndërkaq nga pala franceze nga Sacha Mandel, Drejtor i Majorelle PR & Events.

Në raport saktësohet se kontrata është nënshkruar “bazuar në kërkesën e ministres së MIE, Dhurata Hoxha, të datës 19.02.2019, protokoluar në MIE më datë 21.02.2019”.

Vlera e përgjithshme e kontratës është 168.000 Euro dhe është lidhur për gjashtë muaj, apo me obligim pagese nga 28.000 euro në muaj.