“Brigada e Veriut” ka vazhduar me kërcënime ndaj institucioneve të Kosovës. Kjo organizatë terroriste ka postuar në rrjetet sociale një fotografi plot armatim, me një mesazh drejtuar kryeministrit Kurtit. Si lokacion është vënë Komuna e Graçanicës. Dy ditë më parë, kjo organizatë ka kërcënuar me vdekje kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Brendshme
Në profilin në Facebook të organizatës “Brigada e Veriut” është postuar të enjten një fotografi plot armatim. E si lokacion është lënë Komuna ngjitur me Prishtinën, Graçanica.

“Shiko Kurti dhe qaj, në bunkerin tonë kanë mbërritur mbrëmë edhe më shumë, ka mjaftueshëm”, shkruan në këtë llogari.

Mesazhi i kësaj organizate, që Qeveria e Kosovës e ka shpallur terroriste, është lënë dy ditë pas aksionit të policisë, kur në Zveçan u zbulua një bazë plot me armatim.
Në njoftimin për këtë aksion, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, u kërcënua me vdekje nga po ky profil.
Por ai insistoi se ndihet i sigurt falë punës profesionale të Policisë, ndërsa pati edhe një mesazh për kërcënuesit.

“Patjetër se në luftën tonë për drejtësi, për rend dhe ligj, gjithmonë do të ketë armiq të kësaj lufte, të cilët në një mënyrë apo tjetër do të godasin institucionet e Kosovës. Mos të harrojmë se edhe vetë Policia e Kosovës ka policë të rënë në detyrë, të cilët nuk janë në mesin tonë për të festuar, por janë familjarët e tyre, të cilëve ua uroj ditën e Policisë. Punët vazhdojnë, armiqtë tanë do të përfundojnë gjithmonë duke dhënë llogari para ligjit”, ka thënë ministri Sveçla.

Gjatë operacionit të kryer të martën në Zveçan, sipas ministrit Sveçla, është gjetur numër i konsiderueshëm i armëve. Ai ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes ishin edhe përfaqësuesit e KFOR-it.

E, Policia ka bërë të ditur se në koordinim me organet e drejtësisë, në orën 09:40 të kësaj dite, ka kryer një kontroll në një shtëpi, pronë e një serbi 75-vjeçar, me inicialet L.G.

Gjatë kontrollit të shtëpisë, policia ka gjetur dhe konfiskuar: 4 armë AK 47; 34 karikatorë të armës AK 47; 1546 fishekë të kalibrave të ndryshëm; 8 granata dore; 1 minë antikëmbësorie; 2 gazë-maska; 2 çanta ushtarake; 1 shok-bombë; 2 fishekë-zjarre; 2 optika të armës; 1 thikë ushtarake; 1 maskë ushtarake; 2 rripa për mbajtje të municionit të gjuetisë; 5 çanta të vogla ushtarake; 1 rrip i pajisjeve ushtarake; 1 këllëf i pistoletës dhe pajisje për pastrim të armatimit.

Organizata “Brigada e Veriut”, që ka kërcënuar edhe kryeministrin Albin Kurti, është shpallur terroriste bashkë me organizatën tjetër, “Mbrojtja Civile”.