Nga fillimi i këtij muaji Gjermania e ka marrë presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Europian  e me këtë rast Këshilli Koordinues i Diasporës (KKD) i ka dërguar një letër Kancelares Angela Merkel.

“Ju shkruajmë si Këshill Koordinues i Diasporës, Institucion shtetëror që përfaqëson interesat e diasporës shqiptare me banim në vende të ndryshme të botës. Së pari, Ju përcjellim urimet tona më të mira për Presidencën Gjermane të BE. Jemi plotësisht të bindur se ashtu si Gjermania edhe Bashkimi Europian do të vazhdojë progresin në rrugën e drejtë. Sfidat me të cilat përballet Bashkimi Europian, posaçërisht në këtë periudhë pandemie, janë të mëdha dhe ne jemi të bindur se nën udhëheqjen Tuaj do të jemi në gjendje t’i kalojmë ato me sukses”, thekson në letër Këshilli i Diasporës.

“Zonja Kancelare, përmes kësaj letre dëshirojmë gjithashtu angazhimin Tuaj për liberalizimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës. Shtetasit e Republikës së Kosovës janë të vetmit në Europë që nuk mund të udhëtojnë në Zonën Schengen pa viza, edhe pse Institucionet shtetërore të këtij vendi i kanë plotësuar detyrat e caktuara nga Bashkimi Europian për këtë qëllim. Për më tepër, Komisioni Europian e ka dhënë pëlqimin për liberalizimin e vizave”, theksojnw ata.

“Ky kufizim i lëvizjes nuk prek vetëm shtetasit e Republikës së Kosovës por edhe anëtarët e familjeve të tyre që janë nënshtetas të vendeve ku aplikohet sistemi i vizave Schengen. Vetëm në shtetet ku flitet gjuha gjermane (Gjermani, Austri, Zvicër) jetojnë më shumë se 700,000 shqiptarë nga Kosova. Pamundësia e vizitave të rregullta për familjet e tyre nga Kosova ndikon në të drejtën e tyre themelore për jetë familjare, e drejtë që mbrohet nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut”, shton Këshilli i Diasporës.

“Ne shprehim besimin që liberalizimi i vizave do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në respektimin e të drejtave themelore të njeriut por edhe në ekonomi, kulturë si dhe në procesin e negociatave me Serbinë, proces në të cilin Bashkimi Europian ka një rol të pazëvendësueshëm. Jemi shumë mirënjohës që Ju personalisht dhe Gjermania, po e mbështesni prej kohësh liberalizimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe shpresojmë që gjatë Presidencës Gjermane të Këshillit të Bashkimit Europian, kjo gjë të bëhet realitet”, thuhet në letër.

“Duke ju uruar mbarësi dhe suksese të mëtejshme, mbetemi në pritje të përgjigjes Suaj pozitive. Ju lutemi Zonja Kancelare, pranoni përshëndetjet tona të sinqerta dhe konsideratën më të lartë”, shprehen anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës.

Dr.h.c. Lazim Destani……………. Gjermani

Prof. dr. Sokrat Sinaj…………….. Zvicër

Anila Hyka Smorgrav……………. Francë

Ardian Lekaj………………………… Holandë

Rosario Petta………………………… Itali

Dr. Gazmend Kapllani…………… Greqi

Brikena Muharremi……………….. Britani e Madhe

Endri Hatillari………………………. Britani e Madhe

Dr. Adriana Fishta-Bejko………. Kanada

Ardian Radovicka…………………. Kanada

Mark Gjonaj…………………………. SHBA

Visar Tasimi…………………………. SHBA

Esmeralda Mosko………………….. SHBA

Bashkim Bekiri……………………… Australi

Namik Shabi…………………………. Turqi