Anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës kanë kërkuar zbardhjen e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë. Gjatë diskutimeve për Kosovën, ata kërkuan paralelisht çtensionimin e situatës dhe rikthimin e palëve në tryezën e dialogut.

Disa prej anëtarëve, përfshirë nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, e dënuan aktin duke tërhequr paralele me sulmin e Rusisë në Ukrainë.

“Situata në Kosovë është shqetësuese dhe më kujton pushtimin e Rusisë në Ukrainë në vitin 2014. Nuk dyshoj se Rusia me veglat e saj në Ballkan po tenton një luftë të re për ta tërhequr vëmendjen nga lufta në Ukrainë. Disa shtete në Ballkan duhet të ndalojnë së shfrytëzuari minoritetet për qëllime kundër sovranitetit të një shteti tjetër. Nuk besoj as se Vuçiçi ka iluzion se mund të ketë kontroll në Kosovë, kjo më shumë është një lojë politike”, tha Aleksander Mereshko, përfaqësues i Ukrainës.

Ndërsa përfaqësuesja e Bosnjë-Hercegovinës, Sabina Gudiq, kërkoi që Kosovës t’i hapet dera në Këshillin e Evropës.

“Dy të tretat e familjes sonë besojnë fuqishëm se Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës. Tani është koha dhe se nuk mund të pritet më gjatë për t’ua hapur derën atyre që duan të bëhen pjesë e Këshillit. Sa më shumë që zgjatet ky proces, krijohet terren për ndikimet e huaja keqdashëse që të përzihen në Ballkan, sikurse Putini i cili ka ndikim në Beograd dhe në Banjallukë. Kjo u lejon atyre të krijojnë kriza jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnjë e vende të tjera të Ballkanit. Qytetarët e Kosovës duhet të kenë qasje në mekanizmat për të drejtat e njeriut. Mund të debatojmë gjatë se kush është fajtor, por në fund janë qytetarët që e paguajnë çmimin”, tha ajo.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të këtij viti, por në lidhje me kërkesën e saj nuk ka ende vendim.

Pavarësisht kësaj, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, marrin pjesë deputetë të Kosovës, të cilët gëzojnë aty të drejtën e fjalës.