Arbër Zaimi
Teksa Amerika e ka bërë të qartë se nuk e sheh BE-në si pjesë të diskutimeve me Rusinë për paqen në Ukrainë, kryediplomati kinez Wang Yi i tha kryediplomates evropiane Kaja Kallas se Kina mbështet një rol të rëndësishëm evropian në bisedimet për paqe.
Çka po ndodh?
Amerika ka intensifikuar përpjekjet për ta larguar Rusinë prej Kinës duke i premtuar marrëveshje e normalizim mbi Ukrainën, duke hequr qafe pengesat dhe komplikimet që mund të vijnë nga shqetësimet evropiane për sigurinë dhe ekonominë. Këto përpjekje kanë nisur së paku qysh në kohën e Obamës, por tash janë më të zbuluara e nuk po marrin shumë parasysh rendin ndërkombëtar të pasrënies së Murit të Berlinit (të cilin rend Trumpi e sheh si të skaduar dhe dëshiron ta transformojë rrënjësisht).
Largimi i Rusisë prej Kinës ka rëndësi të dorës së parë për Amerikën si objektiv gjeopolitik, sepse Kina është rritur shpejt si ekonomi e si teknologji, dhe tashmë garon me Amerikën për dominim në disa sektorë të rëndësishëm. Rusia s’është ekonomi kushedi sa e zhvilluar, por ka në zotërim shumë burime të vlefshme natyrore e njerëzore. Dikur, kur gara ishte mes Amerikës dhe Rusisë (BRSS), amerikanët ndoqën të njëjtën strategji duke joshur Kinën që të largohet nga Rusia (një proces i strategjizuar nga Kissingeri dhe i vënë në jetë nga Nixoni). Investimi në çarjen Rusi-Kinë ka ndikuar në fitoren e Luftës së Ftohtë prej Amerikës, besohet se një investim i ngjashëm do të ndihmojë edhe në fitoren e garës së ShBA me Kinën.
Kina natyrisht që do të përpiqet nga ana tjetër të veprojë për forcimin e lidhjeve të saj ekonomike dhe gjeopolitike me BE-në. Këtë gjë amerikanët e dinë, prandaj po përpiqen të promovojnë në Evropë një klasë politike që nuk e dëshiron veprimin e përbashkët evropian por që do forcimin e shteteve individuale. Kjo gjë ndihmohet nga situata evropiane, ku mungon udhëheqja strategjike e mbizotëron ajo burokratike. Forcimi i shteteve individuale evropiane që janë gjithsesi të vogla në mejdanin global, do ta linte BE-në jashtë tavolinave për një kohë. Duke u asgjësuar pesha e Brukselit, Kina s’do të kishte mundësi ta rivalizonte afrimin Washington-Moskë duke tentuar afrimin Pekin-Bruksel.