Autoritetet kishtare serbe dolën kundër restaurimit të një kishe në Mitrovicë, proces që po kryhet nga Ministria e kulturës në Prishtinë. Kisha ortodokse në fshatin Gornje Vinarce, shtatë kilometra larg Mitrovicës, në anë të lumit Ibër, është përfshirë në listën e “monumenteve nën mbrojtjen e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë” nga viti 2016.

Por Eparkia e Rashkës-Prizrenit pretendon se përmes restaurimit, autoritetet e Kosovës po përpiqen të përvetësojnë trashëgiminë kulturore serbe.

Kisha Ortodokse Serbe thotë se nuk është vënë në dijeni për restaurimin e objektit, të cilin, sipas saj, Ministria në Prishtinë e ka shpallur kishë katolike.

Kjo dioqezë nuk është kundër restaurimit të faltoreve të saj, shumë prej të cilave u shkatërruan nga ekstremistët shqiptarë në vitet 1998-1999, të mbetura ende në gërmadha, por do të kundërshtojë me forcë përdorimin e rindërtimit të pretenduar për të marrë përsipër trashëgiminë kulturore serbe dhe ndryshimin e identitetit, me qëllim të revizionizmit historik.

“Ndryshimi i identitetit të kishave shkakton drejtpërdrejt intolerancë etnike dhe fetare dhe është e dënueshme sipas ligjeve të Kosovës, shkakton tensione etnike dhe fetare dhe e bën të pamundur qetësimin e situatës, e cila është përkeqësuar shumëfish, sidomos në vitet e fundit”, thuhet në deklaratë.

Dioqeza pretendon se kisha ortodokse në fshatin Gornje Vinarce ekziston që nga shekulli i 14-të, kohë kur sipas saj në fshat ishin vetëm 15 shtëpi serbe.

Ndërkohë, sipas autoriteteve të Kosovës, Kisha Mortore është ndërtuar në shek. XVIII nga mjeshtrit vendas, për nevojat e komunitetit katolik të zonës. Ajo shërbente për ritet e varrimit.