Gëzim Mekuli

/Njohës i shkencave të mediave dhe retorikës/

FATMIR domëthënë fat i mirë për Kosovën, një emër që sot përfaqëson mundësinë për dalje nga ngërçi, për stabilitet institucional dhe për bashkëpunim kombëtar.

ALBIN domëthënë “i bardhë, i ndritshëm”, është kjo metafora për transparencën, ndershmërinë, antikorrupsionin dhe orientimin drejt të ardhmes; domëthënja e emrit konoton atë që qytetarët e Kosovës e shohin si shpresë e si mundësi për ndryshim të vërtetë dhe të qëndrueshëm.

Andaj Fatmir dhe Albin është Koha për të ‘kapërcyer Rubikonin’ dhe për të shpëtuar Kosovën nga Bllokada e porositur.

Pse e them këtë të dashur lexues?
Në këtë moment kyç për fatin politik dhe vet ekzistencën e Republikës së Kosovës, mbështes një takim (marrëveshje) të sinqertë mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj.

Të nderuar,
Kjo nuk është vetëm një çështje numrash apo pozicionesh në Kuvend. Kjo është një thirrje e sinqertë për lidership dhe guxim politik për të shpëtuar shtetin nga Bllokada që nuk vjen vetëm nga opozita, por edhe nga jashtë.

PDK, LDK dhe AAK, aleanca e dreqit, e interesit dhe e verbërisë politike, kanë penguar për të 48-tën herë formimin e Kuvendit të Kosovës. Nuk është më sekret për askënd se kjo bllokadë është e koordinuar me interesa të caktuara rajonale dhe ndërkombëtare që nuk e duan një Kosovë funksionale, të pavarur dhe me vetëvendosje të vërtetë.

Janë të njëjtat qarqe që ndihmuan në kapjen e shtetit, në varrosjen e drejtësisë, në manipulimin me veteranët e UÇK-së dhe në dëmtimin e integritetit të institucioneve të Kosovës.

Në këtë plan të errët të TYRE, takimi (marrëveshja) mes Kurtit dhe Limajt është shpresa dhe drita në fund të tunelit.

Pse Fatmir Limaj?

Sepse Limaj, ndonëse përballuar me akuza të rënda, NUK është dënuar kurrë. Ai ka dalë i pafajshëm nga çdo proces gjyqësor, përfshirë Tribunalin e Hagës, dhe kjo duhet të përmendet më fort. Ai është një nga figurat që nuk i ka ikur drejtësisë, që ka qëndruar përballë saj me dinjitet, dhe që ka mbetur në politikë me integritet. Në një skenë politike ku shumë ikin e fshihen pas imuniteteve, Limaj ka qenë gjithmonë i pranishëm dhe transparent.

Ai është një njeri me përvojë në ndërtimin institucional, ka luajtur rol kyç në shumë procese të rëndësishme të pasluftës, dhe përfaqëson një segment të rëndësishëm të qytetarëve që janë të lodhur nga lufta e ftohtë mes egove të sëmura politike dhe klaneve banditeske mediatike.

Pse Albin Kurti?

Sepse Albin Kurti përfaqëson aspiratën e qindra mijëra qytetarëve për një Kosovë të re, të drejtë dhe të pavarur nga korrupsioni politik, nga ndikimi i Serbisë dhe nga përkulja para ambasadave. Por sot Kurti është përballë një momenti vendimtar: do të jetë udhëheqës i ndryshimit apo peng i kalkulimeve të brendshme?

Kapërcimi i Rubikonit do të thotë të bëhet marrëveshja e madhe, jo për pazare politike, por për të shpëtuar institucionin më të lartë të shtetit, Kuvendin dhe Kosovën.

Pse është ky momenti vendimtar për Kosovën?

Sepse vendi nuk mund të vazhdojë me një Kuvend të bllokuar, me një presidente që ka rënë në funksion simbolik dhe me një qeveri në detyrë që nuk ka kapacitetin e plotë kushtetues për të udhëhequr proceset strategjike. Jemi në një kohë ku:

Dialogu me Serbinë e moçme kërkon pozicion të unifikuar dhe sovran.

Proceset euroatlantike janë të kërcënuara nga mosfunksionimi institucional.

Politika e jashtme e Kosovës është dobësuar për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme të imponuar nga PDK, PDK dhe AAK.

Rreziku nga ndikimi rus e serb është real, i ndjeshëm dhe aktiv.

Në këtë situatë, media e Prishtinës dhe e Tiranës, e kapur, e korruptuar dhe e frikësuar, luan rolin e një megafoni të frikës dhe të dezinformimit. Ajo nuk ndihmon, përkundrazi, është bashkëpërgjegjëse për këtë ngërç.

Thirrja ime,
Albin dhe Fatmir, kapërceni Rubikonin. Bashkohuni përtej ndasive dhe bëjeni të mundur formimin e Kuvendit. Kjo nuk është çështje partie, kjo është çështje shteti; gjeopolitikë kombi.
Të gjithë ata që ju duan të ndarë, janë të njëjtit që duan Kosovën të dobët e të copëtuar në veri e në perëndim. Mos i bëni peshqesh Serbisë.

Historia nuk do të ju gjykojë për kompromisin, por do ju gjykojë për ngurrim.

Kuvendi i Kosovës duhet të themelohet tani. Jo nesër. Jo kur të duan ambasadat. Por sot. Nga djemtë dhe qikat e këtij vendi, që kanë sakrifikuar gjithçka për këtë shtet e për kombin shqiptar.

Fatmir Limaj dhe Albin Kurti, bëhuni ata që e kthejnë shpresën në institucionin shtet.
Kosova nuk guxon të jetë peng i pabesisë politike, i Serbisë së Qubrilloviqit, Andriqit, Garashaninit, Millosheviqit, Vuqiqit dhe viqave tjerë; qofshin ata serb, shqiptarë a ndërkombëtarë.

By