para

Ambasadori britanik  Alastair King Smith ka deklaruar nga Elbasani se do të ketë sanksione të reja për ata që minojnë demokracinë dhe bëjnë korrupsion. Të paktën kështu e raporton gazeta “Tema” diplomatin në fjalë që duhet thënë se po shkon pak skiç me formatin e deritanishëm të diplomatit britanik në vendin tonë.

Zoti Smith ka një lloj lufte deklarative me ish-kryeministrin Berisha për shkak të shpalljes non grata, kjo e fundit një instrument si shumë të tjerë që shtetet kanë për të zhvilluar luftën diplomatike. Problemi I këtyre mjeteve është se ato në fakt janë ideuar që të paketojnë mesazhe direkte por në format zyrtar me synim kufizimin e disa raporteve me individë apo shtete. Në rastin e tanishëm ne kemi një instrumentalizim të tyre në formën e një ndëshkimi final që një shtet i bën një individi me implikime të qarta politike në një vend të tërë. Implikime të cilat ambasadori Smith i di shumë mirë, sikundër i kupton kolegia e tij amerikane.

Një shtet ka të gjithë të drejtën që të marrë një vendim. Problemi është se hyrja në politikën e ditës të përfaqësuesi të një shteti në një shtet tjetër, me instrumente të ideuara për qëllime të tjera është në fakt tjetërsim i rolit të diplomatit, që do të mund të kuptohej apo kompensohej nga ndonjë diplomat me staturë dhe aftësi komunikuese që di të ndajë qëndrimin shtetëror nga preferencat personale. Por ky nuk është rasti.

Në dritën e përvojës së deritanishme me këtë çështje, do të duhej të kuptohej fare mirë, se e kanë kuptuar edhe më kokëtrashët, që politika publike me “non grata” rezultoi kundërproduktive, pjesërisht për shkak të mënyrës së njëanshme sesi ajo u menaxhua nga diplomatë aksidentalë si Smith dhe Yuri Kim.

Do të ishte e zgjuar dhe e dobishme që ambasadorët të heshtnin publikisht në interpretimin e arsyeve të akteve për shpallje “non grata” në mënyrë që të eliminohej kështu riciklimi politik i atij që është shpallur se ka minuar demokracinë humoristike shqiptare dhe të shmangej sidomos konsumi i tepërt i kredencialeve të SHBA dhe Britanisë në Shqipëri, që duket se për të mirën e të gjithëve po zhgradohen në perceptim në kufijtë e racionales. Ndonëse do të duhej që të shtyhej disi në kohë zhgënjimi i përgjithshëm meqenëse mirë apo keq, i detyrohemi Perëndimit për disa gjëra me rëndësi.

s.zaimi