Në shumicën e rasteve kolesteroli i lartë është një problem “i heshtur”. Zakonisht nuk shkakton simptoma. Shumë njerëz nuk e kuptojnë që kanë kolesterol të lartë deri sa të zhvillojnë komplikacione serioze, si atak kardiak apo goditje në tru.

Për këtë arsye kontrollet rutinë të kolesterolit janë të rëndësishme. Nëse jeni 20 vjeç ose më shumë duhet ta diskutoni këtë me mjekun tuaj. Kontrolli i kolesterolit mund t’ju shpëtojë jetën.

Shkaqet e kolesterolit të lartë

Ngrënia e shumë ushqimeve që kanë përbërjë të lartë kolesteroli, yndyrna të ngopura dhe yndyrna trans mund të rrisë riskun për të zhvilluar kolesterol të lartë. Dhe faktorë të tjerë të stilit të jetesës mund të kontribuojnë në shfaqjen e kolesterolit të lartë. Këta faktorë përfshijnë jetën sedentare dhe duhanpirjen.

Diçka tjetër që mund të ndikojë në shanset për të zhvilluar kolesterol të lartë është edhe gjenetika. Gjenet kalohen nga prindërit tek fëmijët. Gjene të caktuara udhëzojnë trupin se si duhen procesuar kolesteroli dhe yndyrnat. Nëse prindërit tuaj kanë kolesterol të lartë, atëherë dhe ju keni më shumë gjasa për t’u prekur nga ky problem.

Në raste të rralla, kolesteroli i lartë shkaktohet nga hiperkolesterolemia familjare. Ky çrregullim gjenetik nuk e lejon trupin që të largojë kolesterolin “e keq” LDL. Shumica e të rriturve me këtë çrregullim i kanë nivelet totale të kolesterolit mbi 300 mg/dL dhe nivelet e kolesterolit LDL mbi 200 mg/dL.

Kushte të tjera shëndetësore si diabeti dhe hipertiroidizmi, gjithashtu mund të rrisin riskun për zhvillimin e kolesterolit të lartë dhe komlikacioneve të tjera të ngjashme.

Mund të keni një risk më të lartë për zhvillimi e kolesterolit nëse:

  • jeni mbipeshë apo obezë
  • konsumoni një dietë ushqimore të pashëndetshme
  • nuk ushtroheni rregullisht
  • tymosni produkte të duhanit
  • keni një histori familjare të kolesterolit të lartë
  • keni diabet, sëmundje të veshkave apo hipertiroidizëm

Komplikacione të kolesterolit të lartë

Nëse lihet i patrajtuar, kolesteroli i lartë mund të shkaktojë krijimin e pllakave në arterie. Me kalimin e kohës, këto pllaka i ngushtojnë arteriet. Kjo njihet si arterioskleroza. Arterioskleroza është një problem serioz. Mund të limitojë qarkullimin e gjakut në arterie dhe gjithashtu rrit rrezikun për zhvillimin e mpiksjeve të rrezikshme të gjakut.

Arterioskleroza mund të rezultojë në shumë komplikacione të rrezikshme për jetën si:

  • goditje në tru
  • atak kardiak
  • angina (dhimbja e kraharorit)
  • tension i lartë i gjakut
  • sëmundja periferike vaskulare
  • sëmundja kronike e veshkave

Kolesteroli i lartë shkakton gjithashtu një disbalancë të lëngut biliar, duke rritur rrezikun për gurë në tëmth.

Si ta ulni kolesterolin

Nëse keni kolesterol të lartë, mjeku juaj mund t’ju rekomandojë ndryshime në stilin tuaj të jetesës në mënyrë që ta ulni atë. Për shëmbull, mund t’ju rekomandohen ndryshime në dietën tuaj, aktivitet fizik ose aspekte të tjera të rutinës suaj të përditshme. Nëse jeni duhanpirës, një nga rekomandimet do të jetë ndërprerja e duhanit.

Gjithashtu mjeku mund t’ju përshkruajë ilaçe për të cilat keni nevojë. Duhet të tregoni kujdes me marrjen e tyre e te jeni të vëmendshëm.