Pas tërmetit të fuqishëm që ndodhi në orët e para të mëngjesit, Forca e Sigurisë së Kosovës është nisur menjëherë drejt Shqipërisë për të dhënë ndihmën dhe kontributin e tyre.
Koloneli i FSK-së, Agron Bajrami, ka dhënë më shumë detaje se me çfarë kapacitetesh është nisur FSK-ja drejt Shqipërisë.
“FSK-ja duke u bazuar në procedurat zyrtare ka proceduar me të gjitha elementet e nevojshme për t’u përgatitur dhe kryer veprimet e nevojshme përmes të cilave FSK-ja dislokohet në operacione jashtë vendit”.
“Diku rreth orës 06:00 kemi filluar me procedurat zyrtare pas vendosjes së kontakteve me strukturat në Republikën e Shqipërisë. Më pas, janë kryer procedurat e nevojshme që lidhen me procesin e vendimmarrjes, analizën e situatës dhe çështje të tjera për të filluar lëvizjen e forcave tona diku rreth orës 09:00”.
“Rreth orës 13:00, forcat tona veç kanë zbarkuar në zonën e operacionit për të filluar operacionet e kërkim-shpëtimit”.
“Aktualisht në zonën e operacionit kemi Njësi të Kërkim-Shpëtimit Urban me Njësi Specialistike të K9, por edhe njësitë e tjera mbështetëse të cilat kryejnë veprimet e nevojshme duke u bazuar në procedurat standarde të operimit”.
Por, çfarë ekspertize ka FSK-ja për situata të tilla?
“FSK-ja posedon aftësi dhe kapacitete për reagim në operacionet e kërkim-shpëtimit urban, male dhe ujë. Në rastin konkret, ne kemi angazhuar Njësitë e Kërkim Shpëtimit Urban ose kërkimit në rrënoja dhe njësitë tona janë të specializuara për kryerjen e këtyre operacioneve në çfarëdo situate”.
Koloneli i FSK-së në Specialen ka treguar më shumë detaje lidhur me operacionet që FSK-ja ka kryer dhe po kryen gjatë ditës së sotme në zonat që janë prekur nga tërmeti i fuqishëm që e ka goditur Shqipërinë.
“Operacionet tona kanë filluar rreth orës 13:00 në zonën e Thumanës apo zonën e Fushë Krujës. Sa i përket operacioneve në zonën e operacionit Durrës kemi filluar diku rreth 40 minuta pas orës 13:00”.
“Situata në zonën e Thumanës ka qenë mjaft e vështirë. Forcat tona janë duke operuar në bashkëveprim me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.
“Ajo që dua të theksoj se një pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë trajnuar bashkë me forcat tona. Në aspektin e ndërveprimit është një element mjaft i rëndësishëm kur kuptohen procedurat dhe dy forca ndërveprojnë mes vete me të njëjtin operacion”.
“Sa i përket operacioneve në zonën e Durrësit mund të vlerësoj që ekziston një shkallë e lartë e dëmeve që janë bërë në objektet ku janë duke operuar forcat tona”.
Ai ka thënë se FSK-ja, ashtu si është zotuar, do të vazhdojë të kryejë operacionet e nevojshme edhe gjatë natës.
“Mirëpo, zotimi jonë është që do të vazhdojmë të realizojmë operacione edhe gjatë natës. Për këtë qëllim ne veç kemi filluar dislokimin e pajisjeve shtesë që janë të nevojshme për forcat tona për operim edhe gjatë natës”.
“Ritheksoj zotimin e Komandantit të FSK-së dhe Ministrit të Mbrojtjes që kapacitetet tona në dispozicion do të jenë të gatshme për të mbështetur operacione në Republikën e Shqipërisë”.