Në debatet mbi etikën në gazetari, opinioni publik luan një rol të veçantë. Përderisa publiku konsumon dhe thith vazhdimisht prodhimin medial, i takon pranuesit, pra opinionit publik, të këndellet dhe të analizojë se kush dhe si po e keqpërdor, kush po e instrumentalizon atë. Pra, publiku do të duhej të merrte mbi vete përgjegjësinë etike që i takon.

Mediat, d.m.th. gazetarët, ofrojnë me pompozitet “mallin” e tyre, por është shikuesi, dëgjuesi dhe lexuesi është ai që vendos nëse i pëlqen apo jo ky “mall”. Po të ballafaqoheshin mediat me një opinion të tillë të vetëdijshëm, me siguri se do t’u duhej të luftonin për cilësi, oferta të shëndosha dhe objektive.

Pra, nëpërmjet pjesëmarrjes aktive të opinionit publik në procesin e komunikimit përcaktohet shumë se çfarë cilësie dhe në çfarë shkalle do të bëhet ndërmjetësimi i etikës gazetareske dhe si rrjedhojë e kësaj edhe informimi i vetë opinionit në përgjithësi.

Në lidhje me këtë, deri vonë kishte shumë shkencëtarë që shihnin publikun krejt pasiv, si të pambrojtur dhe të pa ndihmë. Por, së voni shkencat e komunikimit zbuluan pranuesin aktiv, i cili i shfrytëzon mediat nga nevoja, ndaj dhe duhet ta ketë mundësinë që ai vetë të kryejë analizën dhe përzgjedhjen e tyre. Në këtë mënyrë pedagogjia e komunikimit synon dhe dëshiron që pranuesin “ta detyrojë” të emancipohet dhe “të mbushet mend”, sepse në mesin e tij qëndrojnë edhe shumë rrugaçë dhe analfabetë të quajtur gazetarë. Është kjo një ndër arsyet e shumta që duhet ta detyrojë pranuesin që të orientohet dhe të vetëdijesohet mirë në (mos)përdorimin dhe (mos)shfrytëzimin e mediave me përmbajtje ”të këqija”.

Si do të përfytyrohej dhe si do të dukej një publik i tillë me përgjegjësi të vetëdijshme etike? Për këtë profesori i shkencave të komunikimit, amerikani Kliford Christians, shkruan: “Sikurse që mbijetesa njerëzore varet nga mbrojtja dhe kujdesi për natyrën, në të njëjtën shkallë kërkohet një ‘ekologji e kulturës’ (ku e dhe mediat bëjnë pjesë), një përkujdesje dhe një mbrojtje e saj”. Christians guximshëm fajëson dhe gjykon opinionin publik për përgjegjësi kolektive. Me përgjegjësinë kolektive nënkuptohet detyrimi moral që ka publiku ndaj proceseve sociale në përgjithësi dhe ndaj mediave në veçanti, për të nxitur informimin sa më objektiv e profesional të shoqërisë nëpërmjet një përcjelljeje të tillë, objektive dhe të vetëdijshme.

Nëse publiku do të ishte përgjegjës dhe bashkëfajtor për rrënimin dhe për zhbërjen e gazetarisë etike, atëherë do të duhej që këtij t’i bëhet e qartë se si do të duhej të zhvillohej procesi i konsumimit të mediave. Konsumimi me përgjegjësi i mediave masive nga pranuesi duhet të ndodhë jo vetëm për të nxitur cilësinë e mallit gazetaresk, por në radhë të parë për veten e tij dhe për të mirën e brezave që vijnë.

Struktura topografike e mediave shqipe nuk është aq e thjeshtë, përkundrazi, është shumëkomplekse, “plot male e kodra të larta, gropa e humnera të thella”. Gara për t’u ngjitur në këto male e kodra, nganjëherë, për ndokënd, është e lodhshme, e mundimshme dhe madje e paarritshme. Shumëkush në këtë ngjitje humb fuqinë, energjinë dhe përqendrimin, stërlodhet dhe s’e gjen më rrugën. Por, kjo ngjitje në këto “male e kodra të etikës” nuk duhet të ndërpritet, pavarësisht sa lodhje dhe sa sakrifica kërkon ajo.

Mediat do të ishin shtyllë e fortë dhe pozitive për opinionin dhe për shoqërinë, nëse do të kishin ”burrërinë” për të gërmuar dhe zbuluar pasojat dhe shkakun e errësirës dhe të çrregullimit tonë kombëtarë e shoqëror.