Gjatë muajit gusht, kompania e Microsoft Japan përjetoi një javë më të shkurtër pune, konkretisht nga e hëna në të enjte, duke arritur rezultate të jashtëzakonshme. Në fakt, sipas këtij testi rezultoi se produktiviteti është rritur me 40% dhe kënaqësia e stafit ka arritur në 92%. Propozimi është pjesë e Work Life Choice Challenge (Sfida për Zgjedhjen e Jetës Profesionale), një projekt i promovuar nga gjiganti për të inkurajuar një ekuilibër të shëndetshëm midis punës dhe jetës private.

Verën e kaluar, 2300 punonjësit e zyrës së Tokios përfituan të Premten pushim dhe mbi të gjitha të paguar, duke pasur kështu në dispozicion një fundjavë të gjatë. Analiza e të dhënave tregon një optimizim të përgjithshëm të kohës së zyrës dhe një mirëqenie më të madhe të stafit. Microsoft në të vërtetë ka matur, për sa i përket shitjeve për një punonjës, rezultatet e vitit 2019 në krahasim me ato të të njëjtit muaj të vitit 2018, duke gjetur një rritje prej 39.9% të produktivitetit. Puna një ditë më pak i ka bërë punonjësit më të lumtur dhe për këtë arsye më produktivë në katër ditët efektive.

Jo vetëm kaq, Microsoft ka certifikuar një rënie të kostove të biznesit, duke marrë parasysh për shembull një ulje prej 23.1% të energjisë elektrike të përdorur dhe një përdorim letre për të shtypur dokumente të ulur me 58.7% gjatë gjithë muajit. Një përgjigje tejet pozitive, e përshëndetur me një parullë nga CEO japonez i gjigantit, Takuya Hirano: “Punoni më pak, pushoni mirë dhe mësoni më shumë”. Qëllimi, tha ai, ishte të shohim se si punonjësit mund të arrijnë të njëjtat rezultate, apo edhe t’i zbatojnë ato, me 20% më pak orë pune.

Çfarë është fenomeni ‘karoshi’

Sipas një studimi të qeverisë japoneze tre vjet më parë, pothuajse një e katërta e kompanive japoneze u kërkojnë punonjësve të kryejnë më shumë se 80 orë jashtë orarit në muaj. Nuk është rastësi që termi ‘karoshi’ ekziston, që do të thotë vdekje nga puna e tepërt. Në Japoni janë konfirmuar shumë raste të ndryshme vdekjesh si pasojë e atakut kardiak dhe stresit të lidhur me aktivitetin intensiv në punë. Ja përse Microsoft kërkon të vlerësojë hipotezën e ringjalljes së projektit pilot edhe dimrin e ardhshëm, në mënyrë që të inkurajojë një punë gjithnjë e më fleksibël.

Përvoja të tjera

Eksperimenti, demonstron se të punosh më pak nuk do të thotë të bësh më pak, por në të vërtetë ka për qëllim optimizimin e kohës, kursimin e parave dhe një ekuilibër më të mirë midis jetës private dhe jetës profesionale. Por nuk është hera e parë që fundjava e gjatë po përjetohet në botën e korporatave. Në vitin 2018 në Zelandën e Re, një kompani me 240 të punësuar e adoptoi atë dy muaj me një ulje prej 7% të stresit në punë. Studime të tjera çojnë në të njëjtin rezultat edhe në rastin e zvogëlimit të orëve ditore të punës duke mbajtur gjatësinë e javës po të pandryshuar.(Wired)

Edel Strazimiri