Para disa ditësh në mediat të ndryshme qarkulloi një i ashtuquajtur “raport i pesë shteteve”, mbiquajtur “Five Eyes” sipas të cilit Kina ka fshehur të dhënat për epideminë e koronavirusit dhe për rrjedhojë ka provokuar vdekjen e mijëra njerëzve.
Kina ka fshehur apo shkatërruar prova, fillimisht mohoi transmetimin nga njeriu tek njeriu, heshti apo zhduku mjekë që paralajmëronin për rrezikun real, u mohoi shkencëtarëve të huaj kampionë të virusit dhe në fund bllokoi aksesin e organizatave ndërkombëtare në Wuhan, epiqendër e përhapjes së koronavirusit të ri. Emra të rëndësishëm të laboratorit të virologjisë së qytetit kinez, në të shkuarën kanë punuar apo janë trajnuar në laboratorë të qeverisë australiane, ku kanë kryer kërkime për viruse në lakuriqë nate, duke tentuar që të arrinin si rezultat koronavirusë të pakurueshëm, thuhet ndër të tjera në raportin e publikuar në mediat britanike.
Më tej akoma, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo deklaroi edhe para dy ditësh se “ka prova të shumta se virusi doli nga laboratori në Wuhan”. Këto qëndrime dhe raporte sekrete që çuditërisht dalin përherë në mediat perëndimore, duke u çsekretuar sa hap e mbyll sytë, pasojnë një sërë mesazhesh konfuze nga qeveritë e Perëndimit dhe një krizë të vërtetë epidemike në to. Por ato nuk kanë sjellë deri më sot një provë të vetme bindëse për këto pretendime.
Së pari, SHBA u detyrua të heqë dorë nga pretendimi i krijuar nga politika kryesisht se virusi është krijuar në laborator. Ka një konsensus të përgjithshëm shkencor se virusi është natyral. Tjerrja e kësaj teorie nga Donald Trump është thjesht dëshmi e faktit se teza të tilla që sfidojnë shkencën kanë gjetur zëdhënës në majën e vendimmarrjes së botës. Paradoksalisht, i njëjti president u detyrua të dorëzojë menaxhimin e epidemisë në vendin e vet në ekipin e drejtuar nga mjeku Anthony Fauci dhe të shmangë konferencat e shtypit ku jepte receta të ndryshme, përfshirë sugjerimin prej Adhamudhi për injektimin e dizinfektantëve.
Nga kjo tezë u kalua në tezën se Kina ka fshehur të dhënat, se si shtet dikatorial ajo nuk ka bërë transparencë. Kjo është parimisht, por mundet të jetë edhe konkretisht e vërtetë për disa aspekte. Por nuk ka asnjë shtet në botë që të jetë transparent në çdo gjë dhe këtë na e ilustron së fundmi lufta në Irak. Nga ana tjetër sekuenca genetike e CoVid-19 u publikua nga Kina më 25 shkurt të këtij viti, ndërkohë që vendet perëndimore u goditën në masë duke nisur nga mesi i marsit.
Është po ashtu shumë paradoksale që shërbimet sekrete të vendeve të zhvilluara arritën të japin një konkluzion që përkon me preferencat politike të ditës në Perëndim, vetëm gati 6 muaj pasi shpërtheu epidemia, duke na bërë të ditur kështu dështimin spektakolar të tyre në një drejtim shumë të ndjeshëm të sigurisë publike. Paradokset nuk kanë të sosur kur sheh se teksa Kina akuzohet se i ka bërë gjëmën botës, vetë Qendra Amerikane e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, në manualin e vet për koronavirusin, referon thuajse në çdo drejtim, qoftë atë diagonistik apo edhe trajtim, përvojën klinike të Kinës. Ka pra një dallim të madh mes qëndrimeve politike dhe atyre shkencore.
Mjafton të vihet në dukje se edhe në Itali, apo Shqipëri protokollet që ndiqen rrjedhin direkt nga përvoja kineze e cila është vënë në dispozicion dhe është pasuruar me studime klinike numerikisht më të mëdha se në çdo vend tjetër.
Kina mundet të ketë fshehur numrin e vdekjeve, por edhe në Itali u vu në diskutim mënyra e raportimit të vdekjeve në vende si Gjermani apo Franca. Raporti po ashtu pretendon se shkencëtarët kinezë kanë tentuar të krijojnë koronavirusë të pakurueshëm. Mirëpo ky nuk është rasti. CoVid-19 është për momentin i pakurueshëm, por është ama i trajtueshëm dhe i kontrollueshëm. Karakteristika e vetme universale e tij është relacioni i fatalitetit me moshën e rritur dhe sëmundjet shoqëruese. Siç shprehej një shkencëtar izraelit “nuk është aksush i interesuar të krijojë nëj virus që vret 70-vjeçarët”. Vetë epidemia ka dëshmuar se ka kurbë dhe si e tillë është e vështirë të mendohet se një virus i modifikuar me synime të luftës biologjike të diskrimojë në këtë mënyrë dhe të reduktojë virulencën e vet.
Është e qartë se akuza ndaj Kinës bëhet për qëllime politike. Dështimi I dukshëm në menaxhimin e situatës, madje edhe në intuitizimin e saj, moskonsiderimi i seriozitetit të saj, janë në fakt shkaku i kësaj fature që shohim sot. Koronavirusi provokoi një situatë që nxori në pah se sistemi shëndetësor në vendet e zhvilluara nuk i përgjigjet mirë krizave të tilla, ndërkohë që nuk pati thuajse asnjë vend që ta shmangte “masën autoritare të karantinimit“. Shkrime karagjozësh si ato në Foreign Policy se ka një menaxhim autoritarist dhe demokratik, janë dëshmi e miopisë të shumëkujt që beson se është në anën e demokracisë thjesht pse ngre gishtin kundër “Diktaturës”.
Nuk është rastësi që kjo lloj kinofobie që shohim të gjejë rrënjë në Perëndim. Është po aty ku urrejtja për Tjetrin, ku fajësimi i të Huajit, ka qenë përherë alibi dhe mënyrë për të shjeguar dështimet e veta. Rasti i antisemitizmit është ilustrimi më i qartë në këtë kontekst. Kina ka përgjegjësitë e veta dhe duhet t’i mbajë, por kjo akuzë ndaj saj nuk hahet fare. Kjo akuzë synon të marrë për budalla qindra milionë njerëz, njësoj sikurse deklaratat për demokraci që vijnë nga Perëndimi, konsiderojnë për budallenj të gjithë shqiptarët. Pandemi ka patur përherë në histori, madje katastrofike. Dhe dikur një pandemi do të ndodhte. Por asnjëherë më parë nuk ka patur akuza të kësaj natyre ku një komb është i fajshëm dhe të tjerët janë viktima.